Fushë Kosovë, 29 gusht 2025
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren në detyrë të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, mori pjesë në përurimin e çerdhes në Fushë Kosovë, investim i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
Kjo çerdhe do t’i mirëpresë 60 fëmijë në një hapësirë moderne prej 750 m². Investimi është i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në vlerë prej rreth 415 mijë euro dhe janë pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme për kujdesin dhe zhvillimin e fëmijëve tanë të gjithë hapësirat në këtë çerdhe të re.
Kryeministri tha se vetëm gjatë këtij mandati qeverisës në komunën e Fushë Kosovës, në fushën e arsimit janë bërë investime kapitale me vlerë prej 5.6 milionë euro, duke treguar kështu përkushtimin tonë për gjeneratat e reja, të cilat duhet të kenë arsim cilësor dhe mirëqenie të garantuar.
“Të investosh në çerdhe për fëmijë dhe edukim të hershëm, do të thotë të investosh në të ardhmen e shtetit. Pikërisht në vitet e para të jetës aty ku hidhen themelet për zhvillimin, lumturinë dhe suksesin e fëmijëve të Kosovës, nesër profesionistë e kuadro, që do të udhëheqin institucionet, ekonominë, shoqërinë, politikën e kështu me radhë”, tha kryeministri.
Kryeministri njoftoi të pranishmit me një lajm tjetër të mirë në prag të fillim vitit të ri shkollor, atë për ndërtimin edhe të një çerdhe tjetër publike, me vlerë mbi 1.2 milionë euro, këtu në Fushë Kosovë.
Ai shprehu një falënderim të veçantë ndaj edukatorëve për zemrën e hapur, për kontributin e madh, dhe për përkushtimin e jashtëzakonshëm që tregojnë përditë me punën e tyre për fëmijët tanë.
Pas përurimit të çerdhes kryeministri Kurti vizitën e tij e vazhdoi me vënien e gurthemelit të Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët, po ashtu në Fushë Kosovë, investim i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, me një sipërfaqe prej 8,000 metra katror, për 1500 nxënës, me vlerë të investimit prej 3.8 milionë euro.
Prononcimi i Kryeministrit Kurti:
Të nderuar të pranishëm,
Sot, kemi kënaqësinë që së bashku me ministren Arbërie Nagavci dhe me zyrtarët nga komuna e Fushë Kosovës, Drejtori Komunal i arsimit dhe Kryesuesi i Kuvendit Komunal, të përurojmë çerdhen e re këtu në Fushë Kosovë.
Kjo çerdhe do t’i mirëpresë 60 fëmijë në një hapësirë moderne prej 750 m². Investim është i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në vlerë prej rreth 415 mijë euro dhe janë pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme për kujdesin dhe zhvillimin e fëmijëve tanë të gjithë hapësirat në këtë çerdhe të re. Vetëm në këtë komunë, gjatë këtij mandati qeverisës, në fushën e arsimit janë bërë investime kapitale me vlerë prej 5.6 milionë euro, sepse dëshirojmë që të tregojmë përkushtimin tonë për gjeneratat e rejat, të cilat duhet të kenë arsim cilësor dhe mirëqenie të garantuar.
Gjithashtu, dua që me këtë rast, t’a ndaj me juve edhe një lajm tjetër të mirë, në prag të fillim vitit të ri shkollor: jemi duke ndërtuar edhe një çerdhe tjetër publike, me vlerë mbi 1.2 milionë euro, këtu në Fushë Kosovë, e cila siç e dini, në bazë të regjistrimit të fundit të popullsisë, është komuna me rritjen më të madhe të popullsisë në Republikën e Kosovës. Kjo çerdhe pritet të përfundojë në vitin e ardhshëm, në 2026 dhe me këto investime, të cilat po i realizojmë, çdo fëmijë të ketë qasje në kujdes dhe edukim cilësor që nga hapat e parë të jetës.
Të investosh në çerdhe për fëmijë dhe edukim të hershëm, do të thotë të investosh në të ardhmen e shtetit. Pikërisht në vitet e para të jetës aty ku hidhen themelet për zhvillimin, lumturinë dhe suksesin e fëmijëve të Kosovës, nesër profesionistë e kuadro, që do të udhëheqin institucionet, ekonominë, shoqërinë, politikën e kështu me radhë. Çdo çerdhe e re nuk është vetëm një ndërtesë, po është një hapësirë, një objekt institucional, në të cilin fëmijët e nisin rrugëtimin e tyre, por edhe aty ku prindërit gjejnë mbështetje dhe komuniteti zhvillohet e zgjerohet.
Një falënderim i veçantë u takon edhe edukatorëve për zemrën e hapur, për kontributin e madh, dhe për përkushtimin e jashtëzakonshëm që tregojnë përditë me punën e tyre për fëmijët tanë. Le ta shohim këtë çerdhe si një fillim të mirë për shumë histori e kujtime të bukura, të cilat do të lindin pastaj prej saj.
Nga këtu, pas kësaj çerdheje do të vazhdojmë edhe në një ngjarje tjetër të mirë, po ashtu në Komunën e Fushë Kosovës, e që është vënia e gurthemelit të Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët. Kjo shkollë është po ashtu investim i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, me një sipërfaqe prej 8 mijë metra katror, për 1500 nxënës, me vlerë të investimit prej 3.8 milionë euro.
Puna po vazhdon dhe gjithashtu punët e mira, janë ato, të cilat do të vazhdojnë t’ju nevojiten qytetarëve tanë e posaçërisht një komune, e cila është kaq e dendur sikurse Fushë Kosova.
Suksese e t’i gëzoni të gjitha këto bashkë!














