Përurohen investimet në efiçiencë të energjisë elektrike në shkollën e Mesme Ekonomike “Isa Boletini” dhe në shkollën “Shefki Kuleta”, në Komunën e Podujevës

Podujevë, 4 shkurt 2026

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, mori pjesë në ceremoninë e përurimit të investimeve në efiçiencë të energjisë elektrike në dy shkolla të Komunës së Podujevës: në shkollën e Mesme Ekonomike “Isa Boletini” dhe në shkollën “Shefki Kuleta”.

Pas renovimit në shkollën “Isa Boletini”, kryeministri Kurti tha se gjithsej investimi është 350 mijë euro, me rreth 3 mijë metra katrorë, për mbi 1000 nxënës, me rreth 100 mësimdhënës, me ç’rast janë ndërruar dritaret, janë vënë krejtësisht të reja, gjithashtu është izoluar edhe kulmi edhe muret, ndërkaq është optimizuar ngrohja.

Kryeministri Kurti falënderoi ministren Rizvanolli, Fondin Kosovar për Efiçiencë të Energjisë, të cilët kanë punuar në mënyrë të përkushtuar, duke realizuar çdo afat siç e kemi parashikuar për të ardhur te kjo ditë në të cilën bëjmë inaugurimin kaq të vlefshëm për shkollën “Isa Boletini”.

Ministrja Rizvanolli, tha se shkolla “Isa Boletini”, është një ndër katër shkollat në të cilat po investojmë në Podujevë përmes Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, për të rritur efiçiencën e energjisë dhe këto janë ndër 17 shkollat në katër komuna të ndryshme të Kosovës që po renovohen përmes një fondi që Qeveria e Kosovës ka ndarë para rreth dy vitesh.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, falënderoi kryeministrin Kurti, ministren Rizvanolli, por edhe Fondin Kosovar për Efiçiencë të Energjisë për investimet e bëra në këtë komunë, derisa theksoi se po punojmë çdo ditë e më shumë që nxënësve t’u krijojmë kushte sa më të përshtatshme për mësimdhënie dhe mësim nxënie.

Ndërsa, nga shkolla “Shefki Kuleta”, në Tërnavë të Podujevës, kryeministri Kurti tha se kjo është dëshmi që Qeveria e Republikës së Kosovës nuk mbështet me renovim të shkollave dhe të objekteve të tjera publike vetëm qytetet e mëdha apo qendrat komunale, por gjithashtu edhe fshatrat gjithandej, në mënyrë që të kemi barazi për të gjithë fëmijët që bëhen nxënës e një ditë si profesionistë të suksesshëm do të jenë edhe bartës të zhvillimit ekonomik të vendit tonë.

135 nxënës në Tërnavë të Podujevës do t’i kenë tashmë kushtet e përshtatshme, moderne për mësim, me rreth 700 metra katrorë hapësirë të gjithmbarshme të kësaj shkolle, e cila tash do t’i ketë dritaret e reja, e ka kulmin edhe muret e izoluara e gjithashtu është bërë edhe optimizimi i ngrohjes.

Prononcimi i Kryeministrit Kurti në shkollën “Isa Boletini” në Podujevë:

Atëherë jemi këtu në Podujevë te shkolla “Isa Boletini”, bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, me kryetarin e Komunës, Shpejtim Bulliqi dhe me drejtorin e shkollës, Muhamet Sejdiun, me rastin e përurimit të renovimit të shkollës që ka rezultuar në ambiente më të ngrohta, me ndriçim të përshtatshëm, dhe gjithashtu me siguri të lartë.

Këtu janë rreth 3 mijë metra katrorë, pra është një shkollë e madhe me mbi 1 mijë nxënës dhe me rreth 100 mësimdhënës, të cilët tash do t’i kenë kushtet moderne për mësimdhënie e për mësim nxënie.
Bëhet fjalë për 4 shkolla gjithsej në Podujevë në të cilat kemi investuar si Qeveri e Republikës së Kosovës, 750 mijë euro, por edhe po aq, gjithsej pra 1 milionë e gjysmë, edhe me mbështetjen e Bashkimit Evropian.

Synimi ynë është që sa më shumë, fëmijët, nxënësit, rinia, të kenë kushte për arsimim cilësor dhe në këtë mënyrë të përgatiten për avancimet e tyre në karrierë, për përparimin dhe ngritjen e tyre profesionale e personale dhe kësisoj t’i kontribuojnë edhe vetes, edhe familjes, edhe shtetit e ekonomisë sonë.

Unë e falënderoj shumë ministren Rizvanolli, gjithashtu edhe Fondin Kosovar për Efiçiencë të Energjisë, të cilët kanë punuar në mënyrë të përkushtuar, duke realizuar çdo afat siç e kemi parashikuar për të ardhur te kjo ditë në të cilën bëjmë inaugurimin kaq të vlefshëm për shkollën “Isa Boletini”.

Më lejoni edhe njëherë të theksoj se në shkollën e mesme ekonomike “Isa Boletini” në Podujevë, gjithsej investimi është 350 mijë euro, rreth 3 mijë metra katrorë, për mbi 1000 nxënës, me rreth 100 mësimdhënës, me ç’rast janë ndërruar dritaret, janë vënë krejtësisht të reja, gjithashtu është izoluar edhe kulmi edhe muret, ndërkaq është optimizuar ngrohja e cila ka kapacitet prej 300kw.

Prononcimi i Kryeministrit Kurti në shkollën “Shefki Kuleta” në Podujevë:

135 nxënës këtu në Tërnavë të Podujevës do t’i kenë kushtet e përshtatshme, moderne për mësim, në mënyrë që arsimimi të jetë cilësor dhe gjithashtu mundësitë të jenë moderne edhe për nxënësit edhe për mësimdhënësit.

Rreth 700 metra katrorë është hapësira e gjithmbarshme e kësaj shkolle, e cila, siç tha zyrtarja e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, tash do t’i ketë dritaret e reja, e ka kulmin edhe muret e izoluara e gjithashtu është bërë edhe optimizimi i ngrohjes për më pak kapacitet, aktualisht rreth 90 kw, do të kemi më shumë ngrohje për të gjithë këta nxënës këtu.

Edhe ndriçimi është ndërruar dhe gjithsej kjo ka kushtuar rreth 145 mijë euro. Është dëshmi që Qeveria e Republikës së Kosovës nuk mbështet me renovim të shkollave dhe të objekteve të tjera publike vetëm qytetet e mëdha apo vetëm qendrat komunale, por gjithashtu edhe fshatrat gjithandej, në mënyrë që të kemi barazi për të gjithë fëmijët që bëhen nxënës e një ditë si profesionistë të suksesshëm do të jenë edhe bartës të zhvillimit ekonomik të vendit tonë.

Unë falënderoj shumë drejtorin Xhemajlin, kryetarin Shpejtimin, ministren Artanen dhe Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë për bashkëpunimin dhe për këtë shkollë të renovuar, që e inauguruam sot.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors