Njoftim i përbashkët për media Kosovë-Bashkimi Evropian

Prishtinë, 10 Korrik 2025

Kosova dhe Bashkimi Evropian mbajtën takimin e 7-të të Nënkomitetit për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit për Tregti, Industri, Doganë dhe Tatime.

Zyrtarë nga Kosova dhe Bashkimi Evropian u takuan në Prishtinë më 10 korrik 2025 për të diskutuar zhvillimet në fushat e tregtisë, industrisë, doganës dhe tatimit. Ky takim u zhvillua në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), e cila ka hyrë në fuqi që nga prilli i vitit 2016. Takimi shënoi nënkomitetin e parë pas njoftimit nga Përfaqësuesja e Lartë/Nënpresidente e Komisionit Evropian, znj. Kaja Kallas, për fillimin gradual të heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës. Si pasojë e këtyre masave, trupat e MSA-së kishin qenë të pezulluara që nga viti 2023.

Gjatë takimit, zyrtarët shkëmbyen mendime mbi fusha të ndryshme si tregtia, industria dhe politikat për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM), dogana, tatimi dhe lëvizja e lirë e mallrave. Në të gjitha fushat, Kosova dhe BE-ja theksuan rëndësinë e zbatimit të prioriteteve të Programit të Reformave Ekonomike, Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe Agjendës për Reformë, si dhe rekomandimeve të Raportit të Komisionit për Kosovën 2024.

Në fushën e Doganës dhe Tatimeve, Kosova ka shënuar përparim drejt përmbushjes së kërkesave të MSA-së për eliminimin e barrierave jotarifore duke zgjeruar përdorimin e terminaleve doganore publike dhe duke ulur ndjeshëm tarifat terminale për të gjitha ngarkesat hyrëse. BE-ja inkurajoi Kosovën që të vazhdojë punën në këtë drejtim derisa të arrihet përputhshmëria e plotë me kërkesat e MSA-së. Gjithashtu, BE-ja përshëndeti udhëheqjen konstruktive të Kosovës në CEFTA. U theksua domosdoshmëria që Administrata Tatimore e Kosovës të ketë kapacitete të mjaftueshme administrative dhe profesionale për realizimin e detyrave të saj, si dhe u nxitur Kosova që të angazhohet më tej në përputhjen me standardet ndërkombëtare të OECD në fushën e tatimit.

Në fushën e Tregtisë, progresi u shënua me konfirmimin e Kosovës për zbatimin e marrëveshjeve për lëvizshmëri CRM, veçanërisht vendimin e janarit 2025 për lejimin e hyrjes pa vizë me ID për qytetarët nga Bosnja dhe Hercegovina. Në këtë fushë, u diskutua gjithashtu çështja e kapaciteteve të kufizuara, veçanërisht në raport me Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, si dhe institucionet e lidhura. Kjo është kyçe për një përfshirje efektive në çështjet e tregtisë dhe bashkëpunimit rajonal ekonomik. BE-ja gjithashtu i kërkoi Kosovës që t’i japë përparësi ratifikimit të Protokolleve Plotësuese të CEFTA 5, 6 dhe 7, sapo të konstituohet Kuvendi.

Në fushën e Industrisë dhe Politikave për NVM-të, BE-ja përgëzoi Kosovën për ratifikimin e Programit të Tregut të Përbashkët në vitin 2024. Kosova informoi BE-në për themelimin e dy agjencive të reja: një për promovimin e eksportit dhe një për përkrahje për NVM-të. Qëllimi i këtyre agjencive është forcimi i mbështetjes për investimet dhe sektorin privat. BE-ja përshëndeti hapat e ndërmarrë drejt përputhjes së Ligjit për Pagesat e Vonuara në Transaksionet Komerciale me Direktivën e BE-së.

Në fushën e Lëvizja e Lirë e Mallrave, diskutimi u fokusua në rritjen e kapaciteteve institucionale dhe përputhjen e mëtejme të legjislacionit me acquis të BE-së për të përmirësuar infrastrukturën e cilësisë në fusha si standardizimi, akreditimi, vlerësimi i konformitetit, metrologjia dhe mbikëqyrja e tregut.

Informacion sfondi:

• Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA) është korniza mbi të cilën Bashkimi Evropian dhe administrata e Kosovës diskutojnë rregullisht çështjet teknike dhe të politikave që ndërlidhen me reformat në kuadër të integrimit në BE. Trupat e MSA-së përfshijnë Këshillin e Stabilizim-Asociimit, i asistuar nga Komiteti i Stabilizim-Asociimit, si dhe Nënkomitetet sektoriale që mbulojnë një gamë të gjerë të acquis së BE-së. Takimet e këtyre trupave japin kontribut të drejtpërdrejtë në raportet vjetore të Komisionit Evropian.

• Secili takim i Nënkomitetit monitoron dhe ndjek zbatimin e reformave nga ana e Kosovës dhe identifikon se si BE-ja mund të ndihmojë në këtë proces.

• Janë shtatë fusha që mbulohen përmes takimeve sektoriale të nënkomiteteve: Drejtësi, Liri dhe Siguri; Inovacion, Shoqëria e Informacionit, Politika Sociale, Arsimi dhe Kultura; Tregti, Industri, Dogana dhe Tatim; Tregu i Brendshëm, Konkurrenca, Mbrojtja e Konsumatorit dhe Shëndeti; Bujqësi, Peshkim, Pylltari dhe Siguria Ushqimore; Transport, Mjedis, Energji, Ndryshime Klimatike dhe Zhvillim Rajonal; Çështje Ekonomike dhe Financiare, Statistikë.

• Dy fusha të tjera mbulohen përmes takimeve të grupeve të posaçme: reforma e administratës publike dhe normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

• Takimet e Komitetit dhe Nënkomiteteve të MSA-së bashkëkryesohen nga Komisioni Evropian dhe Kosova. Secili takim përfundon me veprime të dakorduara që i takojnë autoriteteve kosovare për zbatim.

Koha ndërmjet takimeve shërben për zbatimin e rekomandimeve dhe veprimeve pasuese.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors