Nisin punimet për ndërtimin e Stadiumit të Qytetit në Komunën e Suharekës, investim i MKRS-së në vlerë rreth 11 milionë euro

Suharekë, 2 shtator 2025

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministri në detyrë të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Harjulla Çeku, bashkë me kryetarin e Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, morën pjesë në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e Stadiumit të Qytetit në Komunën e Suharekës, investim i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në vlerën prej rreth 11 milionë euro.

Duke e quajtur këtë lajm të jashtëzakonshëm për Suharekën dhe futbollin e sportin e Kosovës, kryeministri Kurti tha se ky stadium është i kategorisë 2 + sipas UEFA-s dhe do të ketë më shumë se 6500 ulëse. 

Ai falënderoi në veçanti klubin futbollistik “Ballkani” i Suharekës, duke thënë se me sukseset e jashtëzakonshme në arenën ndërkombëtare e ka lartësuar imazhin e shtetit tonë, sportit e posaçërisht të futbollit vendor dhe  me këtë stadium, ne, në një mënyrë, e lajmë një pjesë të borxhit shtetëror për këtë ekip të jashtëzakonshëm, që padyshim se po frymëzon, që sa më shumë të rinj e të reja të merren me sport, në veçanti me futboll dhe në këtë mënyrë t’i kontribuojnë edhe sportit edhe shëndetit.

“Klubi futbollistik Ballkani pa dyshim që ka nevojë për investime në infrastrukturën sportive futbollistike, prandaj edhe për këtë ne jemi këtu. Ky është investim i madh kapital, 11 milionë euro dhe tash presim që qytetarët e Suharekës, komuna këtu, ta përcjellin përditë, në mënyrë që punimet të shkojnë mbarë e sa më shpejt e në fund ndoshta të kryhen edhe para 750 ditëve, ndoshta edhe për më shpejt se dy vjet”, tha kryeministri Kurti.

Ministri Çeku, tha se ky investim është pjesë e një programi shumë më të madh të Qeverisë së Kosovës, jo vetëm i Ministrisë. Ai tha se buxheti për infrastrukturën e futbollit ka kërkuar zotim të veçantë të qeverisë dhe të kryeministrit, për çka u shpreh mirënjohës ndaj kryeministrit.

“Jam shumë i lumtur që Suharekës po ja nisim këtë investim shumë të rëndësishëm bashkë me fushën ndihmëse që tashmë është në përfundim e sipër. Pra këtu po zhvillohet një kompleks i rëndësishëm”, tha ministri Çeku, duke shtuar se talentet e rinj e kanë pritur infrastrukturën, në mënyrë që potenciali i tyre me qenë maksimal.

Kryetari i Komunës, Muharremaj tha se kjo ditë është shumë e rëndësishme për qytetarët e Suharekës, veçanërisht për gjeneratat e reja dhe Klubit “Ballkani”. Ai theksoi se ky është investimi më i madh në infrastrukturë që mbahet në mend në këtë komunë, dhe në emër të qytetarëve të Komunës së Suharekës i shprehu falënderime Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Deklarimi i plotë i Kryeministrit Kurti: 

Jemi këtu bashkë këtu në Suharekë sot, për vënien e gurthemelit të stadiumit i cili është i kategorisë 2 + sipas UEFA-s, domethënë do të ketë më shumë se 6500 ulëse, një lajm i jashtëzakonshëm për Suharekën dhe futbollin e sportin e Kosovës.

U njoftuam që për 750 ditë duhet të kryhen të gjitha punimet e nevojshme, në mënyrë që ashtu siç dukej në projekt, të duket edhe në realitet.

Me këtë rast falënderoj në veçanti klubin futbollistik “Ballkani” i Suharekës, i cili me sukseset e jashtëzakonshme në arenën ndërkombëtare e ka lartësuar imazhin e shtetit tonë, sportit e posaçërisht të futbollit kosovar dhe në këtë mënyrë, ne, me këtë stadium, i cili e ka vlerën e gjithmbarshme të investimit rreth 11 milionë euro, lajmë një pjesë të borxhit shtetëror për këtë ekip të jashtëzakonshëm, që padyshim se po frymëzon, që sa më shumë të rinj e të reja të merren me sport, në veçanti me futboll, dhe në këtë mënyrë t’i kontribuojnë edhe sportit edhe shëndetit.

Klubi futbollistik “Ballkani” pa dyshim që ka nevojë për investime në infrastrukturën sportive futbollistike, prandaj edhe për këtë ne jemi këtu. Ky është investim i madh kapital, 11 milionë euro, dhe tash presim që qytetarët e Suharekës, Komuna këtu, ta përcjellin përditë, në mënyrë që punimet të shkojnë mbarë e sa më shpejt e në fund ndoshta të kryhen edhe para 750 ditëve, ndoshta edhe për më shpejt se dy vjet, për shkak se jemi të interesuar që këtë stadium, që ia vëmë gurin e themelit, ta shohim të plotë, me infrastrukturën përcjellëse, siç janë parkingjet, do të ketë edhe ndriçimin prej 1500 lux, ta kemi në realitetin, të cilin do ta jetojmë e përjetojmë, dikush, që është i talentuar në fushën e gjelbër e ne të tjerët në tribunat e spektatorëve.

Deklarimi i plotë e ministrit Çeku:

Përgëzime sot për Suharekën, sepse tradita sportive është e gjatë e Suharekës, e Klubi Futbollistik “Ballkani” e ka ngritur në një nivel tjetër, sidomos sa i përket rezultatit ndërkombëtar. Ky investim është pjesë e një programi shumë më të madh të Qeverisë së Kosovës, sepse duhet thënë kështu, jo vetëm i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Buxheti për infrastrukturën e futbollit ka kërkuar zotim të veçantë të qeverisë dhe të kryeministrit, për çka e falënderoj, sepse e ka kuptuar rëndësinë që e ka futbolli për shtetin tonë.

Jemi duke investuar në shumë qytete të Kosovës. Disa stadiume tashmë janë në realizim, disa përfundojnë shumë shpejtë, të tjerat nisin ndërkohë.

Jam shumë i lumtur që Suharekës po ja nisim këtë investim shumë të rëndësishëm bashkë me fushën ndihmëse që tashmë është në përfundim e sipër. Pra këtu po zhvillohet një kompleks i rëndësishëm.

Jam më së shumti i gëzuar për talentat, talentet e reja që veç e kanë pritur infrastrukturën, në mënyrë që potenciali i tyre me qenë maksimal. Po e shoh edhe sot prezencën dhe gëzimin e tyre. Është ditë feste për Suharekën, por edhe për Kosovën.

Urime edhe një herë të gjithëve.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors