Prishtinë, 25 qershor 2025
Nën organizmin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe në bashkëpunim me Shoqatën Evropiane të Kartës Rinore (EYCA), për herë të parë në vendin tonë, po mbahet Konferenca Ndërkombëtare e Shoqatës Evropiane të Kartës për Rini (EYCA).
Në ditën e parë të kësaj konference dyditore dhe në ceremoninë hapëse morën pjesë Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.
Kryeministri Kurti mbajti fjalë mirëseardhëse. Ai tha se është nder që kjo konferencë po mbahet për herë të parë në shtetin tonë, në kryeqytetin e Republikës ku janë mbledhur mbi 100 pjesëmarrës nga 37 shtete.
“Karta Evropiane e të Rinjve paraqet një nga veprimet konkrete në politikën tonë të re për të rinjtë. Më 9 gusht 2024, hyri në fuqi Ligji i ri për Rininë, duke zëvendësuar ligjin e mëparshëm të vitit 2009 dhe ky ligj i ri i vendos të rinjtë në zemër të prioriteteve të shtetit tonë dhe krijon një kornizë ndërinstitucionale për përfshirjen e të rinjve, veçanërisht në vendimmarrje, si dhe për përmirësimin e mirëqenies së të rinjve në vendin tonë. Deri më tani, janë nxjerrë katër Udhëzime Administrative kryesore, që mbulojnë fushat e Vullnetarizmit Rinor, Këshillave Kombëtare dhe Lokale Rinore, Punës Rinore dhe Arsimit Informal, si dhe Qendrave Rinore”, u shpreh kryeministri.
Ai shto se EYCA ka një mision frymëzues: të forcojë të rinjtë përmes mundësive të vërteta për lëvizje, përvojë dhe përfshirje sociale. “Shoqata Evropiane e Kartës për Rini nuk është vetëm një kartë që ofron zbritje – por është një mjet për mobilitet, arsim dhe pjesëmarrje aktive, i bazuar mbi një ide të fuqishme: që të rinjtë të kenë mundësi reale, jo vetëm premtime”, u shpreh më tej kryeministri Kurti.
Në përmbyllje të fjalës mirëseardhëse, kryeministri theksoi se përmes kësaj konference, ne po forcojmë bashkëpunimin midis institucioneve, organizatave dhe aktorëve që kanë ndikim në jetën e të rinjve, duke diskutuar shumë ide të reja, shkëmbyer praktikat më të mira, dhe frymëzuar njëri tjetrin për hartimin e politikave më të drejta edhe më të ndjeshme ndaj të rinjve.
Kosova u bë zyrtarisht anëtare në EYCA në dhjetor të vitit 2023. Në gjashtë muajt e parë të anëtarësimit të Kosovës në EYCA, gati 8 mijë të rinj janë regjistruar si anëtarë të programit dhe 18 biznese janë përfshirë si partnere të programit. Përmes kësaj karte, të rinjtë tanë mund të përfitojnë zbritje në transport, arsim, kulturë, sport, akomodim dhe shumë shërbime të tjera, në mbi 35 vende evropiane, me më shumë se 70,000 përfitime të ndryshme.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuar Hajrulla Çeku, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit,
I nderuar Miguel Perestrello, President i Shoqatës Evropiane të Kartës për Rini,
I nderuar Alessandro Roggi, Menaxher Programi në Drejtorinë e Përgjithshme për Arsim, Rini, Sport dhe Kulturë,
Të nderuar përfaqësues të Shoqatës Evropiane të Kartës për Rini,
Të nderuar pjesëmarrës,
Zonja dhe zotërinj,
Është një nder i madh të hap Konferencën e 41-të vjetore të Shoqatës Evropiane të Kartës për Rini, e cila për herë të parë po mbahet në vendin tonë, nën moton “Formësimi i asaj që vjen më pas”.
Këtë javë, në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, po mirëpresim mbi 100 pjesëmarrës nga 37 shtete. Ju uroj të gjithëve mirëseardhje të ngrohtë në Republikën e Kosovës dhe shpresoj që ta shfrytëzoni plotësisht qëndrimin tuaj këtu, për të përjetuar vendin tonë, njerëzit tanë dhe kulturën tonë.
Kosova u bë zyrtarisht anëtare e EYCA-s para një viti e gjysmë, saktësisht më 11 dhjetor 2023, duke shënuar një hap të rëndësishëm në përpjekjet tona për ta përfshirë rininë e Kosovës në hapësirën evropiane të mundësive dhe zhvillimit. Programi ynë i Kartës Evropiane për Rininë nisi në fillim të vitit 2024 dhe po zbatohet nga një konsorcium i organizatave rinore në partneritet me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Gjatë gjashtë muajve të parë të kësaj periudhe, arritëm të regjistrojmë gati 8,000 të rinj si anëtarë të programit, si dhe të përfshijmë 18 biznese partnere, me synim që deri në fund të vitit të arrijmë në 60 partnerë. Gjithashtu, po ofrojmë mijëra zbritje dhe përfitime për të rinjtë, brenda dhe jashtë Kosovës. Përmes kësaj karte, të rinjtë tanë mund të përfitojnë zbritje në transport, arsim, kulturë, sport, akomodim dhe shumë shërbime të tjera, në mbi 35 vende evropiane, me më shumë se 70,000 përfitime të ndryshme.
Karta Evropiane e të Rinjve përfaqëson një nga veprimet konkrete në politikën tonë të re për rininë. Më 9 gusht 2024, hyri në fuqi Ligji i ri për Rininë, duke zëvendësuar ligjin e mëparshëm të vitit 2009, dhe ky ligj i ri i vendos të rinjtë në zemër të prioriteteve të shtetit tonë, duke krijuar një kornizë ndërinstitucionale për përfshirjen e të rinjve, veçanërisht në vendimmarrje, si dhe për përmirësimin e mirëqenies së të rinjve në vendin tonë. Deri më tani, janë nxjerrë katër Udhëzime Administrative kyçe, që mbulojnë fushat e Vullnetarizmit Rinor, Këshillave Kombëtare dhe Lokale Rinore, Punës Rinore dhe Arsimit Informal, si dhe Qendrave Rinore.
Ndërkohë, kemi hartuar dhe miratuar edhe Strategjinë Shtetërore për Rininë 2024–2032. Kjo Strategji është dokumenti më gjithëpërfshirës i deritanishëm dhe paraqet një angazhim të qartë për t’u ofruar të rinjve tanë mundësitë dhe mjetet për ta realizuar potencialin e tyre të plotë njerëzor. Vizioni i kësaj strategjie është që çdo i ri në Kosovë të jetojë një jetë të shëndetshme, të sigurt dhe të plotësuar, duke marrë pjesë në çdo sferë të jetës shoqërore – jo vetëm përfshirje, por pjesëmarrje; jo vetëm pjesëmarrje, por vendimmarrje.
Strategjia përmban objektiva të qarta si fuqizimi i aftësive jetësore, përmirësimi i qasjes në shërbime cilësore si shëndeti mendor, arsimi dhe siguria, si dhe rritja e përfshirjes së të rinjve në vendimmarrje dhe politikëbërje publike.
Shoqata Evropiane e Kartës për Rini – EYCA – ka një mision frymëzues: të fuqizojë të rinjtë përmes mundësive të vërteta për lëvizje, përvojë dhe përfshirje sociale. EYCA nuk është vetëm një kartë zbritjesh – është një mjet për mobilitet, arsim dhe pjesëmarrje aktive, i bazuar mbi një ide të fuqishme: që të rinjtë kanë nevojë për mundësi reale, jo vetëm për premtime.
Përmes kësaj konference, po forcojmë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve, organizatave dhe akterëve që kanë ndikim në jetën e të rinjve. Këtu do të diskutojmë shumë ide të reja, do të shkëmbejmë praktikat më të mira dhe do të frymëzojmë njëri-tjetrin për të hartuar politika më të drejta dhe më të ndjeshme ndaj të rinjve.
Të rinjtë përfaqësojnë energjinë, kreativitetin dhe të ardhmen e Evropës. Por ju nuk jeni vetëm e ardhmja – ju jeni e tashmja e secilit shtet të kontinentit tonë. Si shtet, jemi të përkushtuar që politikat tona t’i formësojmë në përputhje me këtë bindje.
EYCA është një partner thelbësor në këtë përpjekje dhe një shembull se si bashkëpunimi ndërkombëtar mund të sjellë ndryshime konkrete në jetën e të rinjve.
Shpresoj që kjo konferencë të jetë një hapësirë e frytshme për reflektim, shkëmbim dhe bashkëpunim mes nesh.
Faleminderit shumë!















