Nënshkruhet Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Komunës së Fushë Kosovës për ndërtimin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare

Fushë Kosovë, 17 dhjetor 2025

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia dhe kryetarin e ri të Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza, mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Komunës së Fushë Kosovës, për ndërtimin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKFM). QKMF e re do të kushtojë 2.5 milionë euro.

Me këtë rast, Kryeministri Kurti tha se ky është lajm i mirë jo vetëm për banorët e komunës, por gjithashtu edhe për mjekët specialistë, infermierët dhe stafin administrativ, që do të kenë kushtet e dinjitetshme të punës me rastin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore të kujdesit parësor.

“Gjatë mandatit tonë, ne e kemi pajisur kujdesin parësor me 40 autoambulanca dhe me 30 automjete gjithandej Kosovës për vizita shtëpiake, por në të njëjtën kohë edhe e kemi rritur buxhetin e barërave për kujdesin parësor, nga 11 milionë euro sa e kemi gjetur, në 24.5 milionë euro”, tha ai, duke shtuar se kjo është QKMF e gjashtë që po ndërtohet gjatë mandatit qeverisës, pas atyre në Drenas, Shtime, Istog dhe Ferizaj, që janë në proces të ndërtimit, dhe QKFM-së në Mamushë që është përuruar vitin e kaluar.

Ai shtoi se si Ministria e Shëndetësisë, kanë qenë të gatshëm që nga janari i këtij viti që ta bëjnë këtë marrëveshje, por nuk ka hasur në mirëkuptim nga qeverisja lokale. “Tash e kemi bashkëpunimin e garantuar dhe, natyrisht që do të vazhdojmë ta realizojmë konkretisht e praktikisht atë që Kryetari i Komunës, Valon Prebreza dhe Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia porsa e nënshkruan si zotim të përbashkët ndërmjet Qeverisë së Republikës dhe Komunës së Fushë Kosovës”, vijoi kryeministri.

Kryeministri Kurti falënderoi Ministrinë e Shëndetësisë për bashkëpunimin e ngushtë me kryetarin e ri të komunës deri te finalizimi dhe nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje.

Prononcimi i plotë i Kryeministrit Kurti:

Jemi shumë të gëzuar sot, që ndodhemi në Fushë Kosovë, ku na mirëpriti kryetari i ri, Valon Prebreza dhe me këtë rast u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Fushë Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë, për ndërtimin e një ndërtese të re të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, e cila do të kushtojë rreth 2.5 milionë euro dhe në këtë mënyrë do të shtohet kujdesi dhe qasja për banorët e kësaj komune, e cila është ndër më të dendurat në Republikën tonë, në mos qoftë edhe më e dendura në Kosovë.

Lajm i mirë për banorët e komunës, por gjithashtu edhe për mjekët specialistë, infermierët dhe stafin administrativ, që do të kenë kushtet e dinjitetshme të punës me rastin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore të kujdesit parësor.

Gjatë mandatit tonë, ne e kemi pajisur kujdesin parësor me 40 autoambulanca dhe me 30 automjete gjithandej Kosovës për vizita shtëpiake, por në të njëjtën kohë edhe e kemi rritur buxhetin e barërave për kujdesin parësor, nga 11 milionë euro sa e kemi gjetur, në 24.5 milionë euro.

Kjo është e gjashta Qendër e Mjekësisë Familjare gjatë këtij mandatit tonë. Në Mamushë tashmë e kemi përuruar objektin dhe po funksionon, ndërkohë që në ndërtim e sipër është QKMF-ja në Istog, në Drenas, në Shtime e në Ferizaj.

Unë e falënderoj Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitinë, ish-Sekretarin, Naim Bardiqin, pastaj doktoreshën, Fatmire Mulhaxhaj Kollçaku, Shefin e Kabinetit të ministrit, Egzon Azemin, që kanë bashkëpunuar ngushtë me kryetarin e ri të komunës deri te kjo marrëveshje dhe tash fillon puna, e cila do të ecë mbarë e mirë dhe sa më shpejt që është e mundur.

Ne si Qeveri, ministria e Shëndetësisë, kanë qenë të gatshëm, qysh në janar që ta bëjnë këtë marrëveshje, por nuk kemi hasur në mirëkuptim. Tash e kemi bashkëpunimin e garantuar dhe, natyrisht që do të vazhdojmë ta realizojmë konkretisht e praktikisht atë që Kryetari i Komunës, Valon Prebreza dhe Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia porsa e nënshkruan si zotim të përbashkët ndërmjet Qeverisë së Republikës dhe Komunës së Fushë Kosovës.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors