Prishtinë, 8 tetor 2025
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve për mbështetjen financiare të 198 ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, të cilat janë përzgjedhur si përfituese të mbështetjes financiare në vlerë 8.9 milionë euro nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA).
Duke shprehur kënaqësinë e veçantë që ndodhet në mesin e atyre bizneseve, kryeministri tha se në përputhje me vizionin tonë për qeverisje të mirë, zhvillim të qëndrueshëm, mirëqenie, siguri dhe barazi; krijimi i një mjedisi të favorshëm të të bërit biznes dhe rritja e konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve tona, mbeten prioritete të pandryshuara.
“Me këtë investim të radhës, ne po ofrojmë mbështetje direkte për shpalosjen e potencialit dhe rritjen e industrisë vendore. Pra, pikërisht për ata që janë kontribuues kyç të zhvillimit të mëtutjeshëm ekonomik, social dhe mjedisor në vendin tonë”, tha kryeministri.
198 ndërmarrje mikro, të vogla dhe të mesme janë përfituese nga tri skema të granteve nga KIESA:
- Skema e granteve për mbështetje ndërmarrjeve prodhuese me potencial për eksport, për blerjen e makinerive prodhuese, nga e cila janë 129 ndërmarrje përfituese me vlerë financiare prej 7.3 milionë euro;
- Skema e granteve në mbështetje të ndërmarrjeve që operojnë në sektorin e TIK-ut, nga e cila kanë përfituar 42 ndërmarrje, me vlerë prej 1 milion euro; dhe
- Skema e granteve për certifikimin e produkteve, me gjithsej 27 biznese përfituese, në vlerë prej 600 mijë euro.
“Nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve, është shembull i qartë i përkushtimit për ta mbështetur industrinë dhe për të krijuar mundësi të reja në një klimë biznesi adaptues dhe konkurrues në Kosovë. E nganjëherë sektori i industrisë nuk kuptohet mjaftueshëm që shtysë kryesore nuk e ka thjeshtë profitin, por zgjerimin. E neve na leverdisë shumë zgjerimi i industrive tuaja, sepse sa më shumë që zgjerohen industritë tuaja aq më shumë zëvendësohen importet, rriten eksportet dhe rritet ekonomia e vendit tonë”, u shpreh ai sot gjatë kësaj ceremonie.
Ndërkaq, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, tha se po shënojmë një sukses të radhës për ekonominë tonë, për mirëqenien e qytetarëve tanë në krah me industrinë vendore. Ajo shtoi se nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve kontribuon në mënyrë më efektive në zhvillimin e përgjithshëm të vendit tonë.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
E nderuar ministre në detyrë e Industrisë, Ndëmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari,
I nderuari ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të KIESA-s, z. Zef Dedaj,
Të nderuar përfaqësues të sektorit të biznesit në Kosovë,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Është kënaqësi e veçantë të jemi bashkë këtu sot, në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve për mbështetjen financiare të 198 ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme. Këto ndërmarrje janë përzgjedhur si përfituese të mbështetjes financiare në vlerë prej 8.9 milionë euro nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA).
Në përputhje me vizionin tonë për qeverisje të mirë, zhvillim të qëndrueshëm, mirëqenie, siguri dhe barazi; krijimi i një mjedisi të favorshëm të të bërit biznes dhe rritja e konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve tona, mbeten prioritete të pandryshuara.
Me këtë investim të radhës, ne po ofrojmë mbështetje direkte për shpalosjen e potencialit dhe rritjen e industrisë vendore. Pra, pikërisht për ata që janë kontribuues kyç të zhvillimit të mëtutjeshëm ekonomik, social dhe mjedisor në vendin tonë.
Këto 198 ndërmarrje mikro, të vogla dhe të mesme janë përfituese nga tri skema të granteve nga KIESA:
- Skema e granteve për mbështetje ndërmarrjeve prodhuese me potencial për eksport, për blerjen e makinerive prodhuese, 129 ndërmarrje përfituese me vlerë financiare prej 7.3 milionë euro. Qëllimi i kësaj skeme mbështetëse, është për zgjerimin e kapaciteteve prodhuese dhe përpunuese në sektorët prioritar industrial dhe rritjen e konkurrueshmërisë së tyre me produkte me vlerë për tregun ndërkombëtarë.
- Skema e granteve në mbështetje të ndërmarrjeve që operojnë në sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit janë 42 ndërmarrje përfituese, me vlerë prej 1 milion euro. Përmes kësaj skeme mbështetëse, po u ndihmojmë ndërmarrjeve që paraqesin propozime për krijimin e produkteve të reja apo zhvillimin dhe përmirësimin e produkteve ekzistuese, me fokus në rritjen e mundësive për eksport.
- Skema e granteve për certifikimin e produkteve, janë gjithsej 27 biznese përfituese, me vlerë prej 600 mijë euro. Kjo skemë e granteve do të kontribuojë në rritjen e prodhimit dhe përpunimit, përmirësimin e bilancit tregtar përmes rritjes së pjesëmarrjes së produkteve vendore në tregun ndërkombëtarë dhe rritjes së eksporteve. Gjithashtu do të ketë ndikim në përmirësimin e bilancit tregtar, rritjen e punësimit dhe rritjen e të ardhurave kombëtare.
Të nderuar të pranishëm,
Kjo përkrahje nuk është thjesht ndihmë financiare, por angazhim për të ndihmuar ndërmarrjet vendore, që janë shtyllë kryesore për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit tonë. E lajm i mirë është se në çerekun e dytë sivjet rritja ekonomike është 4.58 % të Bruto Produktit Vendor, që do të thotë se kemi stabilitet në rrije të vazhdueshme dhe me këtë rast më lejoni t’ju falënderoj të gjithë juve, secilën e secilin për kontributin që bëni për ekonominë e vendit tonë, duke filluar nga punësimi ku ju e keni barrën kryesore dhe asnjëherë nuk mund të jemi mjaftueshëm mirënjohjes e deri te kontributi në buxhetin e shtetit përmes tatimeve që paguani për Republikën tonë.
Me politikat tona zhvillimore, po fuqizojmë ekonominë e vendit bashkë dhe po i mbështesim si asnjëherë më parë qytetarët dhe ndërmarrësit e industrisë prodhuese në rritje, për zhvillim të qëndrueshëm e gjithëpërfshirës për qytetarët e Republikës sonë.
Nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve, është shembull i qartë i përkushtimit për ta mbështetur industrinë dhe për të krijuar mundësi të reja në një klimë biznesi adaptues dhe konkurrues në Kosovë. E nganjëherë sektori i industrisë nuk kuptohet mjaftueshëm që shtysë kryesore nuk e ka thjeshtë profitin, por zgjerimin. E neve na leverdisë shumë zgjerimi i industrive tuaja, sepse sa më shumë që zgjerohen industritë tuaja aq më shumë zëvendësohen importet, rriten eksportet dhe rritet ekonomia e vendit tonë.
Urime dhe ju priftë e mbara në angazhimin tuaj, me suksese edhe më të mëdha në të ardhmen.
Ju falemnderit.














