Prishtinë, 22 gusht 2013
Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi ka zhvilluar mbledhjen e rregullt në të cilën ka miratuar projektligje, rregullore, strategji dhe vendime tjera nga përgjegjësit e saja kushtetuese dhe ligjore.
Në hapje të mbledhjes, kryeministri Hashim Thaçi ka theksuar se vendi është duke kaluar në një periudhë të rëndësishme dhe në një fazë të re të zhvillimeve politike dhe qeverisëse, dhe në vijim ka shtuar:
“Unë dje kam zhvilluar një bisedë telefonike me baroneshën Ashton, me kërkesën e saj, për të diskutuar për hapat e mëtutjeshëm të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë.
Jemi dakorduar që takimi i radhës në mes të kryeministrave të shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë, në Bruksel, të ndodh të martën, me ndërmjetësimin dhe udhëheqjen e këtij procesi nga baronesha Ashton dhe me një mbështetje unike të Bashkimit Evropian.
Është konfirmuar mbështetja e fuqishme, edhe këto ditë, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për angazhimin e ndërtimit të relacioneve evropiane në mes të dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë dhe për sigurimin e të ardhmes së sigurt evropiane dhe euroatlantike për Kosovën dhe për Serbinë.
Kosova shkon e përgatitur në takim, duke respektuar plotësisht, në të gjitha përkushtimet dhe vendimet që mund të arrihen, Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Pra ka mbetur që të përmbyllen edhe formalisht marrëveshjet për telekomin dhe energjinë, pasi që, sa i përket Kosovës dhe Bashkimit Evropian, këto çështje veç janë të përmbyllura.
Shpresojmë që do të vazhdoj implementimi, sipas agjendës së paraparë, i marrëveshjeve të arritura, që është sfidë, por jetik për mbarëvajtjen e proceseve të mëtutjeshme.
Në anën tjetër, sa i përket zgjedhjeve, unë dëshiroj të falënderoj Komisionin Qendror Zgjedhor për punën që është duke e bërë , për përgatitje e mira teknike që janë duke bërë.
Komisioni Qendror Zgjedhor e ka pasur mbështetjen e gjithë spektrit politik të Kuvendit të Kosovës, të Presidencës dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës do të kryej të gjitha obligimet kushtetuese dhe ligjore që dalin karshi Komisionit Qendror Zgjedhor, që këto zgjedhje të jenë fer, të lira dhe demokratike.
Këto janë zgjedhje jashtëzakonisht të rëndësishme, pra zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, sepse organizohen për herë të parë në tërë territorin e Republikës së Kosovës, ku do të marrin pjesë të gjithë qytetarët pa dallim etnik. Për herë të parë do të marrin pjesë edhe serbët në veri, prandaj edhe sot i ftoj për përgatitje sa më të mira edhe ata, qoftë me formimin e partive politike, lëvizjeve politike, kandidatëve të pavarur, që të respektojnë afatin e rregullt për regjistrimin e tyre në Komisionin Qendror Zgjedhor të Republikës së Kosovës.
Ndërsa, inkurajoj Komisionin Qendror Zgjedhor që të respektoj në plotëni marrëveshjen e 19 prillit, pra marrëveshje që siguron dhe garanton organizimin e zgjedhjeve në tërë territorin e Kosovës , sipas ligjeve të Kosovës.
Ndërsa, pas takimit që do ta zhvillojmë në Bruksel, do të vazhdojmë për në Nju Jork, ku do të marrim pjesë në prezantimin e gjithë këtij procesi, por në të njëjtën kohë të progresit të arritur në Kosovë në tre-katër muajt e fundit në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, ka thënë në fjalën e hapjes kryeministri Hashim Thaçi.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Projektligjin për Aktet Normative. Ky projektligj rregullon parimet për hartimin, nxjerrjen, miratimin dhe publikimin e akteve normative si dhe përcakton llojet dhe hierarkinë e tyre. Ky ligj do të vlejë për të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës që janë kompetente për të miratuar, nxjerr dhe publikuar akte normative sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës.
Kabineti qeveritar ka miratuar edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës.
Në mbledhje është aprovuar edhe Rregullorja e Qeverisë së Republikës së Kosovës për përcaktimin e procedurave të dhënies në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës. Kjo Rregullore ka për qëllim të përcaktojë procedurat dhe kriteret e dhënies në shfrytëzim dhe këmbimit të pronës së paluajtshme te komunës.
Strategjia Kombëtare për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Kosovës dhe Plani i Veprimit për implementimin e kësaj strategjie ka marrë aprovimin nga Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme. Kjo Strategji paraqet dokumentin udhërrëfyes drejt avancimit, fuqizimit dhe mbrojtjes së Personave më Aftësi të Kufizuara si dhe respektimin e të drejtave të tyre të barabarta në Republikën e Kosovës.
Strategjia përbënë një dokument të rëndësishëm në kuadër të përpjekjeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës që do të shërbejë si katalizator në krijimin e politikave efikase, të qëndrueshme dhe të bashkërenduara në fushën e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.
Strategjia synon përmirësimin e gjendjes aktuale në këto fusha: shëndetësi; mirëqenie sociale; punësim; edukim; mbrojtje ligjore, pjesëmarrje; informim dhe Komunikim; qasje në statistika. Përmirësimet në këto fusha janë formuluar në objektivat e kësaj strategjie si dhe janë zbërthyer edhe në veprime konkrete për zbatimin e saj në afate të caktuara.
Është aprovuar edhe vendimi përfundimtarë për shpronësimet e pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit, të cilat preken nga ndërtimi i Autostradës Vërmicë-Merdar dhe rrugës nacionale Fushë Kosovë-Arllat-Gjurgjicë. Pronat e paluajtshme gjenden në zonat kadastrale: Mazgit, Fushë Kosovë, Sllatinë e Madhe, Korroticë e Epërme, Arllat, Zabel i Epërm dhe Llapushnik.
Në vazhdim të implementimit të projektit për ndërtimin e rrugës nacionale Prishtinë-Mitrovicë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për shpronësimin për interes publik të pronave të paluajtshme dhe zotëruesve të interesit në zonatë kadastrale: Babimoc, Milloshevë, Stanoc i Poshtëm, Stanoc i Epërm, Gracë, Pestovë, Novosellë e Magjunit, Dobërllukë, Velika Rekë, Dumnicë, Nedakovc, Syrcak, Vushtrri, Studime e Poshtëme, Gojbulë, Sllatinë(Gjelbërishtë) Novosell e Begajve, Bajnska dhe Smrtekovnicë.
Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku ka informuar kabinetin qeveritar me procesin e përgatitjeve për negocimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asocim nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës.
