Prishtinë, 8 tetor 2014
Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, zhvilloi mbledhjen e saj të rregullt, në të cilën ka miratuar Rregulloren për organizimin e brendshëm të Agjensionit të Pyjeve të Kosovës dhe dy vendime tjera të fushës së përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore të saj.
Në hapje të mbledhjes, kryeministri Hashim Thaçi, ka përshëndetur publikimin e Raportit të Progresit të Komisionit të Bashkimit Evropian për Kosovën, të cilin e ka vlerësuar pozitiv për Kosovën.
Raporti është një vlerësim i angazhimeve dhe arritjeve të institucioneve të Kosovës në procesin e nënshkrimit të marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe të procesit të liberalizimit të vizave, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi dhe ka shprehur përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ta vazhduar me angazhime për të përmbushur obligimet që dalin në procesin e integrimeve evropiane për Republikën e Kosovës.
Rregullorja për Organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Agjencinë Pyjore të Kosovës është dokumenti i parë i miratuar sot nga kabineti qeveritar. Kjo rregullore ka për qëllim rregullimin e organizimit dhe sistematizimit të vendeve të punës në këtë agjencion me rëndësi vitale për funksionimin e tij.
Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për shqyrtim të mëtejshëm për shpronësim të përhershëm dhe krijimin e të drejtës së servitutit të interesit publik të pronave të paluajtshme dhe të zotëruesve të interesit të cilat prekën nga ndërtimi i Linjës Energjetike 400kV, Kosovë-Shqipëri, në zonat kadastrale të komunave Rahovec, Deçan, Junik dhe Gjakovë.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për shfuqizimin dhe anulimin e vendimeve për shpronësimin e pronave për interes publik, Nr. 04/130; Nr. 07/16 dhe Nr.10/47, të cilat gjenden në zonën kadastrale të Hajvalisë.
Duke marrë parasysh gjithë procesin e shpronësimit të këtyre pronave të paluajtshme dhe duke u nisur nga fakti që nuk janë zotuar mjetet që duhet paguar për këtë shpronësim, dhe nuk janë parashikuar në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve dhe duke u bazuar në faktin që këto prona nuk janë regjistruar në Drejtorinë për Pronë, Gjeodezi dhe Kadastër të Komunës së Prishtinës në emër të Republikës së Kosovës, Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, si sponsoruese e vendimeve, heq dorë nga shpronësimet dhe propozon vendimin për shfuqizimin dhe anulimin e vendimeve të lartcekura.
