Nën drejtimin e Kryeministrit Hashim Thaçi mbahet mbledhja e rregullt e Këshillit të Sigurisë të Kosovës


Image

Prishtinë, 26 gusht 2013

 
Këshilli i Sigurisë së Kosovës  mbajti mbledhjen e rregullt në të cilën shqyrtoi situatën e sigurisë në vend.
 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Kryesuesi i Këshillit të Sigurisë të Kosovës, Hashim Thaçi, vlerësoi se situata në vend është e qetë dhe stabile, por herë pas here e  karakterizuar me tensione politike, të nxitura nga individë dhe grupe ekstremiste, të cilat kanë për qëllim të ndikojnë  në mosnjohjen e realitetit të krijuar politik në Kosovë.
 
Këshilli i Sigurisë së Kosovës vlerëson inkurajues faktin që numri i këtyre veprimeve  të dhunshme dhe antikushtetuese ka shënuar rënie. Këto veprime kanë mbetur dhe vazhdojnë të mbeten veprime të izoluara dhe pa ndikim.
 
Këshilli i Sigurisë së Kosovës vlerësoi lartë veprimet e Policisë së Kosovës dhe institucioneve tjera relevante të sigurisë për punën e mirë dhe profesionale, që kanë bërë në luftimin dhe parandalimin e krimit të organizuar.
 
Në takimin e sotëm të Këshillit të Sigurisë së Kosovës u veçuan aktivitetet të cilat mbeten edhe më tej shqetësuese për qytetarët e Kosovës, si: kultivimi dhe kontrabandimi me substanca narkotike, posedimi ilegal i armëve tek qytetarët dhe rritja e numrit të vrasjeve, si dhe aksidentet në komunikacion që po rezultojnë me fatalitet.
 
Për eliminimin e të gjitha këto aktiviteteve joligjore Këshilli i Sigurisë së Kosovës kërkoi angazhim shtesë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe nga Policia e Kosovës, si dhe  bashkëpunim të ngushtë me institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare, si KFOR-in dhe EULEX-in në gjetjen e autorëve dhe sjelljen e tyre para drejtësisë.
 
Në këtë takim u diskutua edhe për procesin e bisedimeve ndërshtetërore Kosovë – Serbi, si dhe për rëndësinë e këtij procesi, që ka për qëllim  normalizimin e raporteve në mes dy shteteve.
 
Këshilli i Sigurisë së Kosovës po ashtu rekomandoi Qeverinë e Republikës së Kosovës që t’i trajtojë me prioritet të lartë të gjitha aktivitetet dhe obligimet që dalin nga procesi i negocimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
 
Këshilli vlerësoi përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme dhe kërkoi  nga të gjitha institucionet dhe subjektet politike, që do të përfshihen në procesin zgjedhor të kenë një angazhim sa më serioz dhe përmbajtësor.
 
Në këtë takim u diskutua po ashtu edhe për procesin e Rishikimit Strategjik të sektorit të sigurisë.

 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors