Prishtinë, 8 dhjetor 2015
Ministrja për Dialog e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, priti sot në takim ambasadorin jo rezident në Republikën e Kosovës, Mats Staffansson, me të cilin ka biseduar për marrëdhëniet ndërshtetërore në mes të Kosovës dhe Suedisë, forcimin e këtyre marrëdhënieve si dhe për perspektiven euroatlantike të Kosovës. Ambasadori Staffansson shoqërohej nga Henrik Nillson, ministër këshilltar dhe Azadeh Alian, sekretare e dytë në Ambasadën e Suedisë në Shkup.
Ministrja Tahiri e njoftoi ambasadorin Staffansson me zhvillimet e përgjithshme politike në vend me theks të veçantë u ndal tek nënshkrimi i MSA-së dhe ratifikimi i saj nga ana e Kuvendit të Kosovës si dhe për pritjet e Kosovës që edhe liberalizimi i vizave të ndodh sa më shpejt pasi që qytetarët e Kosovës tashmë janë të vetmit në Ballkanin Perëndimor që kanë pengesa sa i përket lëvizjes së lirë drejt zonës Schengen. Znj. Tahiri foli po ashtu, edhe për perspektiven e zhvillimit ekonomik, nevojën për sundimin e rendit dhe ligjit, luftën kundër krimit dhe korrupsionit si dhe për dialogun e Brukselit që ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Ambasadori Staffansson e falënderoi ministren Tahiri për takimin dhe tha se Suedia vazhdon të mbetet e përkushtuar për të ndihmuar në integrimin e Kosovës në BE dhe në mekanizma tjerë. Ambasadori Staffansson tha se Republika e Kosovës është duke ecur shumë mirë në proceset e reformave evropiane dhe se për këtë qëllim shprehu gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në të gjitha fushat që janë të interesit të përbashkët. Z. Staffansson e përgëzojë Qeverinë e Kosovës për nënshkrimin e MSA-së si dhe për arritjet e bëra në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së.
Në fund të këtij takimi të dy bashkëbiseduesit u pajtuan për vazhdimin e bashkëpunimit dhe u tha se rruga e integrimit të Kosovës në familjen euroatlantike është rrugë me shumë sfida dhe se vetëm me një përkushtim të të gjithë faktorëve në vend mund të arrihet plotësimi i standardeve të kërkuara nga institucionet përkatëse.