Ministrja Tahiri e takoi sot Drejtorin e EUROSTAT-it, Pieter Everaers


Image


Image

Prishtinë, 12 nëntor 2015
 
Ministrja për Dialogu në Qeverinë e Republikës së Kosovës Edita Tahiri ka pritur sot në takim delegacionin e EUROSTAT-it që po qëndron në Kosovë të kryesuar nga z. Pieter Everaers, drejtor.
 
Ministrja Tahiri e falënderoi z. Everaers për përkrahjen e vazhdueshme të EUROSTAT-it për zhvillimin dhe konsolidimin e fushës së statistikave shtetërore të Kosovës dhe në veçanti të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK). Ajo në veçanti vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë për realizimin me sukses të Regjistrimit të parë të popullsisë në Kosovës në vitin 2011, pas 30 viteve të vakumit në këtë fushë. Po ashtu znj. Tahiri përmendi përkrahjen e dhënë edhe në procesin e regjistrimit të bujqësisë pasi që konfirmimi i këtyre statistikave nga ana e EUROSTAT-it natyrisht që ndikon shumë në besueshmërinë e statistikave të zyrtare të shtetit të ri të Kosovës.
 
Në ketë takim u bisedua për përgatitjet që janë duke u bërë për regjistrimit e popullsisë dhe të ekonomive familjare edhe në katër komunat e pjesës veriore të vendit të cilat kishin refuzuar të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë të vitit 2011.  Ajo theksoi se në saje të rezultateve të dialogut të Brukselit tashmë është krijuar klima politike për të organizuar regjistrimin e popullsisë si dhe të bujqësisë në këto katër komuna. Në takim, u theksua rëndësia e miratimit të ligjit për këtë çështje si dhe vazhdimi me përgatitjet teknike. U vlerësua, po ashtu roli i BE-së dhe EUROSTAT-it për të çuar përpara këtë proces të rëndësishëm.
 
Ndërsa, z. Everaers, drejtor i EUROSTAT-it vlerësoi edhe njëherë kontributin e ministres Tahiri për realizimin e regjistrimit të popullsisë në Kosovë në vitin 2011 kur ajo ishte ministre e Administratës Publike. Ai përgëzoi Qeverinë e Kosovës dhe Agjencinë e Statistikave për suksesin në organizimin e regjistrimit të bujqësisë, duke thënë se nga këto dy procese Kosova ka prodhuar statistika të larta e të besueshme, e që janë konstatuara si statistika me standarde evropiane. Në ketë drejtim, pa dyshim që edhe roli i EUROSTAT-it ka qenë vendimtar për të konfirmuar një gjë të tillë.
 
Në fund të këtij takimi, të dy bashkëbiseduesit u pajtuan që ky bashkëpunim i shkëlqyer do të vazhdoj edhe në të ardhmen, e sidomos edhe në organizimin e regjistrimit të popullsisë në pjesën në komunat veriore që është në interesin të gjithëve të kenë në dispozicion statistika të sakta me qëllim avancimin e planeve dhe programeve zhvillimore në nivel lokal.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors