Prishtinë, 4 Shkurt 2015
Ministrja për Dialogun, Edita Tahiri, ka pritur sot në takim Heidemaria Gürer, udhëheqëse e Departamentit për Ballkanin Perëndimor dhe Lindje, në ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Austrisë e cila ishte e shoqëruar edhe nga Ambasadori i Austrisë në Kosovës, Johann Brieger.
Ministrja Tahiri vlerësoi lart marrëdhëniet mes dy vendeve duke çmuar përkrahjen e vazhdueshme të Austrisë për Kosovën.
Në këtë takim u konfirmua gatishmëria për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve si dhe gatishmëria e Austrisë që të ndihmoj Kosovën në rrugën e integrimeve euro-atlantike. Po ashtu, u bisedua për rëndësinë e vazhdimit të
Dialogut të Brukselit, duke qenë konstatim i përbashkët se ky proces po ndihmon paqen, fqinjësinë e mirë dhe stabilitetin në rajon. Në këtë kontekst, ministrja Tahiri falënderoi Austrinë për gatishmërinë që ka treguar për të aplikuar për kodin telefonik për Kosovën pranë Organizatës Ndërkombëtare të Telekomunikacionit (ITU).
Nga ana e saj znj. Gürer theksoi se shteti austriak do të vazhdojë të përkrah integrimin e plotë të Kosovës në institucione ndërkombëtare, dhe forcimin e shtetit të Kosovës përmes reformave të gjithanshme.
Në fund dy bashkëbisedueset shprehën gatishmërinë që marrëdhëniet në mes të dyja vendeve të fuqizohen edhe më shumë në të ardhmen.
