Ministrja Edita Tahiri mori pjesë në ceremoninë e fillimit të trajnimeve për ish-pjesëtarët e “Mbrojtjes civile”, të integruar në institucionet e Republikës së Kosovës


Image

Prishtinë, 8 shkurt 2016
 
Ministrja për dialog, Edita Tahiri sot mori pjesë në ceremoninë e fillimit të trajnimeve për ish-pjesëtarë të së ashtuquajturës “Mbrojtja Civile”të cilët tashmë janë integruar në institucionet qendrore të Republikës së Kosovës. Në këtë ceremoni morën pjesë dhe mbajtën fjalë rasti edhe udhëheqësi i OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean Claude Schlumberger, Eva Gutjahr nga EULEX, Besnik Osmani, Sekretar i Përgjithshëm në MAPL dhe koordinator për integrim, si dhe Dren Zeka, këshilltar kryesor dhe koordinator për shuarjen e ish-mbrojtjes civile.

Në fjalën e saj Ministrja Edita Tahiri, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, iu dëshiroj mirëseardhje në këtë trajnim të organizuar nga Qeveria e Kosovës dhe OSBE-ja. Ajo ndër tjera u tha të pranishmëve se “integrimi juaj në shërbimin civil të Republikës së Kosovës është shumë domethënës dhe ne vlerësojmë angazhimin tuaj për të ndërtuar së bashku një të ardhme demokratike dhe prosperuese të shtetit tonë dhe qytetarët e saj”. Ajo po ashtu tha se rezultatet e dialogut janë të dukshme dhe se edhe kjo ngjarje shënon një nga rezultatet e pritshme që ka për synim shpërbërjen e strukturave paralele dhe integrimin e ish-pjesëtarëve në institucionet e Republikës së Kosovës. Më pas ajo i porositi personat e integruar që tu përkushtohen detyrave të punës ngase puna në institucione është detyrë e rëndësishme dhe me përgjegjësi të lartë për të qenë në shërbim të qytetarëve. “Si shërbyes civilë që do të jeni duhet të punoni mbi parimet dhe në bazë të Ligjit për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës dhe ta trajtoni çdo palë në mënyrë të barabartë, t’i shërbeni qytetarëve në mënyrë profesionale. Nuk duhet të harrojmë se në bazë të mbështetjes dhe mbikëqyrjes së qytetarëve ne vijmë në institucione për të punuar dhe shërbyer atyre,  andaj japim llogari atyre duke përmbushur obligimet me përgjegjësi”, theksoi ajo.

Duke folur për trajnimin, Ministrja Edita Tahiri e falënderoi OSBE-në dhe Ambasadorin Schlumberger për organizimin dhe mbështetjen e këtij trajnimi që fokusohet në rritjen e njohurive për qeverisjen demokratike dhe shërbimin civil si dhe falënderoi EULEX-in dhe z. Gutjar për angazhimin dhe ndihmën gjatë rekrutimit, dhe po ashtu Akademinë e Kosovës për Siguri Publike dhe drejtorin e saj Smakiqi për ofrimin e hapësirave. Në mënyrë të veçantë, Ministrja Tahiri falënderoi Sekretarin e Përgjithshëm të MAPL-së, Besnik Osmani, që ishte në krye të procesit të rekrutimit dhe integrimit dhe z. Dren Zeka nga kabineti i saj për angazhimin e tij për zbatimin e marrëveshjes për shuarjen e ish -Mbrojtjes Civile.  Ministrja Tahiri  po ashtu falënderoi të gjithë ministritë dhe agjencitë të cilat kanë bërë integrimin/punësimin e këtyre personave, duke theksuar se ky proces po mundëson  shtrirjen e sovranitetit shtetëror në veri të vendit tonë.

Trajnimi i organizuar nga Qeveria e Kosovës dhe me mbështetje të OSBE-së do të zgjasë gjashtë javë dhe do të trajtohen temat si parimet kryesore të demokracisë, Kuvendi i Republikës së Kosovës, sistemi politik, partiak dhe zgjedhor, institucionet e pavarura dhe agjencitë. Ndërsa pas këtyre trajnimeve të përgjithshme do të organizohet ato specifike nga institucionet që kanë integruar personel dhe Instituti i Kosovës për Administratë Publike.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors