Mesazhi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për Vitin e Ri 2012


Image

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Zonja dhe zotërinj

Kosova po përmbyll me sukses edhe një vit të rëndësishëm të konsolidimit dhe forcimit të shtetësisë, një vit të zhvillimit dhe përparimit ekonomik, vit të  afirmimit ndërkombëtar dhe diplomatik.

Viti 2011, që po lëmë pas,  ishte  viti i hapave të parë konkretë të Kosovës në agjenden evropiane.

Viti i ri,  2012,  do të jetë vit i Kosovës evropiane dhe i përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur.

Kosova po hyn në vitin e katërt të pavarësisë, duke forcuar rendin kushtetues, institucionet dhe lidershipin legjitim, tërësinë territoriale, sundimin e ligjit, lirinë e lëvizjes dhe fqinjësinë e mirë.

Duke u udhëhequr nga filozofia politike e qeverisjes së mirë,  Kosova po forcon  funksionimin e demokracisë, kohezionin e brendshëm, kultivimin e tolerancës ndëretnike, duke u bërë tregim i suksesshëm në rajon dhe më gjerë.

Brenda këtij viti Kosova realizoi një pjesë të madhe të projekteve infrastrukturore, shënoi rritje të prodhimit, ngritje të pagave për të gjitha kategoritë sociale dhe rritje të buxhetit, që garanton hapje të perspektivës së zhvillimit për vitin 2012.

Këtë vit, pas më shumë se një dekade, Kosova  me vendosmëri dhe vizion bashkëkohor, duke bashkëpunuar me institucionet ndërkombëtare ICO, KFOR dhe EULEX,  vuri rend dhe kontroll institucional edhe në pjesën veriore të saj, në pikat kufitare dhe doganore.

Puna e mirë e Qeverisë qendrore, koordinimi me autoritetet lokale, bënë që këtë vit për herë të parë në historinë e Kosovës të kemi ofertën konkrete nga Brukseli për liberalizimin e vizave, marrëdhënieve kontraktuale dhe tregtare me Bashkimin Evropian si dhe anëtarësimin e shpejtë të Kosovës në Bankëm Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
 
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës
 
Të gjitha këto të arritura nuk mund të imagjinohen pa përkrahjen tuaj të sinqertë,  pa dallim etnie, bindjeje politike, kulturore dhe sociale.
Të gjitha këto të arritura nuk mund të realizohen pa përkushtimin tonë të përbashkët për shtetin e lirë, demokratik, të pavarur, sovran, në të cilin do të jetësojmë ëndrrat tona për jetë më të mirë, për ne dhe për brezat që do të vijnë.

Duke drejtuar urimet më të mira tek ju, tek familjet tuaja në Kosovë dhe diasporë, uroj që viti 2012 të jetë vit i sukseseve, lumturisë dhe realizimit të ëndrrave tuaja.

Të gjithë pjesëtarëve të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë, ju shpreh urimet më të mira për vitin e ri 2012.

Gëzuar!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors