Mesazhi i kryeministrit Isa Mustafa në 14 vjetorin e sulmeve terroriste në SHBA


Image

Prishtinë, 11 shtator 2015

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, përmes një mesazhi ka përkujtuar 14 vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në mesazhin e kryeministrit Isa Mustafa thuhet:

Para 14 vjetësh, më 11 shtator 2001, kombi amerikan ishte cak i sulmeve më të tmerrshme terroriste që bota demokratike kishte përjetuar ndonjëherë.

Mijëra njerëz të pafajshëm u vranë, objekte të rëndësishme u shkatërruan dhe bota demokratike u vu para sprovës së madhe të terrorizmit global.

Sulmet e 11 shtatorit 2001 na tmerruan të gjithëve, por nuk arritën për asnjë moment të thyejnë shpirtin e paepur të kombit amerikan, i cili u ringrit edhe më i fuqishëm dhe më i vendosur kundër të keqes, duke dëshmuar fuqinë, vizionin dhe unitetin global në mbrojtje të vlerave të shenjta të lirisë dhe të civilizimit perëndimor.

14 vjet pas këtyre akteve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbarë bota demokratike, vazhdojnë të jenë të bashkuara në luftën kundër të keqes, duke garantuar triumfin e vlerave të demokracisë përballë kërcënimit permanent terrorist.

Në këtë ditë përkujtimi dhe krenarie, qytetarët e Kosovës qëndrojnë bashkë dhe solidarizohen me familjet e viktimave dhe mbarë popullin amerikan. 

Kosova dhe populli i saj janë përjetësisht mirënjohës për kontributin e pazëvendësueshëm që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë për çlirimin e Kosovës dhe për zhvillimin e gjithëmbarshëm të vendit tonë.

Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës!
Zoti e bekoftë kombin amerikan!

Isa Mustafa,
Kryeministër i Republikës së Kosovës

 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors