Prishtinë, 15 gusht 2025
Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur sot mbledhje elektronike, në të cilën ka:
- Miratuar kërkesën e Komunës së Mitrovicës së veriut për ndarje të mjeteve financiare në shumë prej 24,236.29 euro dhe shtim të dhjetë (10) pozitave të reja në Komunën e Mitrovicës së veriut;
- Miratuar kërkesën e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për transfer të mjeteve buxhetore në shumë prej 2,300,000 euro, deri nën 25% të ndarjes së ndikuar negativisht në total të kategorisë së shpenzimeve “Investime Kapitale”, për përkrahjen financiare të Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme për blerjen e makinerive të avancuara prodhuese dhe përpunuese;
- Miratuar kërkesën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit për kthimin e fondeve në shumë prej 489,932.72 euro të transferuara në Buxhetin e Republikës së Kosovës, për Ndërmarrjen Shoqërore PRN046 “FAN Zahir Pajaziti”;
- Miratuar në parim kërkesën për huamarrje deri në 2,540,000 euro të Radio Televizionit të Kosovës për qëllime të likuiditetit të transmetuesit publik.