Mbetjet mortore të identifikuara do të riatdhesohen më 12 shtator 2014


Image

Prishtinë, 4 shtator  2014

Komisioni Qeveritar i Republikës së Kosovës, në takimin konsultativ të mbajtur sot, më 4 shtator 2014, ka diskutuar rreth datës së mundshme për riatdhesimin e mbetjeve mortore, të personave të identifikuar, nga mbetjet mortore të zhvarrosura në Rudnicë, të Rashkës (Serbi).

Riatdhesimi i mbetjeve mortore të identifikuara deri më tani, përmes analizës së ADN-së, i planifikuar për fundin e kësaj jave, do të shtyhet për datën 12 shtator 2014, gjithnjë duke pasur parasysh identifikimet e reja, përkatësisht raportet e identifikimit përmes analizës së ADN-së, të lëshuara nga Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, të cilat zyrtarisht i janë dorëzuar Komisionit Qeveritar të Republikës së Kosovës, gjatë kësaj jave nga Komisioni Qeveritar i Serbisë për Persona të Zhdukur. Riatdhesimi i mbetjeve mortore, të identifikuara, sipas praktikave do të bëhet përmes EULEX-it.

Së bashku me identifikimet e reja, të prezantuara gjatë kësaj jave, deri më tani, nga mbetjet mortore të zhvarrosura në Rudnicë, të Rashkës, janë identifikuar 39 persona, viktima të luftës në Kosovë. Gjatë javëve në vijim priten edhe identifikime të reja, duke u bazuar në numrin e mostrave të dërguara për analizë të ADN-së.

Përfaqësuesit e Delegacionit të Kosovës në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur , së bashku me ekspertët mjekoligjor të Departamentit të Mjekësisë Ligjore, në ditët në vijim do të angazhohen në procedimin e mëtutjeshëm të identifikimit dhe përgatitjes së rasteve të identifikuara për riatdhesim me datën 12 shtator 2014, dhe konform procedurave ligjore familjet dhe familjarët e personave të zhdukur do të informohen me kohë, gjithnjë në respektim të të drejtave të familjarëve për të ditur për fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre, të zhdukur gjatë luftës.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, gjegjësisht Qeveria e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Shoqatat Familjare të Personave të Zhdukur, institucionet komunale dhe partnerët tjerë vendor dhe ndërkombëtar do të angazhohen në organizimin e ceremonisë së riatdhesimit, me 12 shtator 2014, në Pikë Kalimin Kufitar në Merdare,  në nderim të viktimave të identifikuara dhe në respektim të familjeve dhe familjarëve të personave të zhdukur.  

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors