Mbahet seanca solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës me rastin e 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së

Prishtinë, 5 mars 2026

Kuvendi i Republikës së Kosovës, në kuadër të programit të manifestimit shtetëror për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mbajti sot seancë solemne.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti në seancën solemne të Kuvendit për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës:

E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, znj.Vjosa Osmani Sadriu,
E nderuara Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, znj.Albulena Haxhiu,
I nderuari Baca Rifat Jashari,
E nderuara familje Jashari,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,
Të nderuar zëvendëskryeministra e ministra në Qeverinë e Kosovës,
Të nderuar ambasadorë, diplomatë e miq ndërkombëtarë,
Të nderuara familje të dëshmorëve, invalidë e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
I nderuari President Fatmir Sejdiu,
I nderuari Drejtor i AKI-së, Petrit Ajeti,
Të nderuar udhëheqës e përfaqësues të institucioneve shtetërore e vendore,
Të dashur qytetarë të Kosovës,
Zonja dhe zotërinj,

Si në çdo mars, jemi këtu, bashkë, për kujtimin e një prej akteve më të larta të historisë sonë kombëtare, Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në ato ditë të përballjes së vullnetit për liri me aparatin e shtypjes, në Prekaz, historia u shkrua me zjarr edhe me gjak. Atje, toka u bë altar i lirisë, e një familje u bë simbol kombëtar.

Figura e kryekomandantit legjendar Adem Jashari, e lidhur pazgjidhshmërisht me fatin e familjes dhe të bashkëluftëtarëve të tij, u bë personifikim i vendosmërisë për të mos e pranuar nënshtrimin. Kjo sakrificë u përjetësua në vetëdijen dhe kujtesën tonë kolektive si mësim i përhershëm, se liria paguhet shtrenjtë, se ajo është vlerë e panegociueshme dhe e drejtë e patjetërsueshme.

Në rrjedhën historike të përpjekjeve të gjata politike e shoqërore, për të drejta, barazi dhe dinjitet, kthesa në Prekaz artikuloi qartë aspiratën e popullit të Kosovës për çlirim nga Serbia pushtuese. Epopeja e UÇK-së u bë thirrje për mobilizim, për bashkim dhe për artikulim të qartë të synimit tonë për shtetësi dhe mëvetësi.

Qëndresa e familjes Jashari të Prekazit, dhe e të gjithë atyre që u rreshtuan krah tyre e pas tyre në udhën e çlirimit, përbëjnë një trashëgimi të thellë politike, kulturore e kombëtare, prej së cilës buron liria e Kosovës dhe mbi të cilën u ngrit Republika jonë.

Krismat e pushkëve në Prekaz u përhapën larg, deri te ndërgjegjja e diplomacisë ndërkombëtare.

Ato krisma zgjuan mbarë kombin dhe shumëfishuan radhët e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e shndërruar rezistencën në një lëvizje të pandalshme për liri.

Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,

Krahas së qeni një ditë nderimi, sot është edhe ditë reflektimi për rrugën që kemi bërë dhe për atë që na pret.

Sot, ne jemi shtet i një populli liridashës, që gjithmonë është rreshtuar në anën e drejtësisë. Jemi Republika e një shoqërie që e ndërton të ardhmen e saj mbi demokracinë dhe ligjin, mbi liritë njerëzore e qytetare, si dhe mbi vlerat civilizuese perëndimore.

Ne e nderojmë sakrificën e Jasharajve, teksa forcojmë Republikën çdo ditë, me punë të ndershme e me institucione stabile. Kjo është mënyra më e mirë për ta kthyer kujtesën në përgjegjësi dhe historinë në udhërrëfyes.

Të dashur qytetarë,

Përmes sakrificës së Prekazit janë tejkaluar kufijtë e një ngjarjeje të vetme historike të ndodhur në vendin tonë këtu e 28 vjet më parë. Ajo tashmë është besë e shpresë për popullin tonë, e pikë referimi për brezat e ardhshëm, si dhe çështje studimi e frymëzimi për studiuesit e akademikët mbarë botës.
Duke e përkujtuar Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ne riafirmojmë zotimin dhe besatimin tonë për një Kosovë të lirë, të drejtë dhe përparimtare, mbi historinë tonë të lavdishme, e drejt të ardhmes sonë të ndritshme.

Lavdi jetës dhe veprës heroike të kryekomandantit Adem Jashari!

Lavdi familjes Jashari, lavdi luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit!

Ju faleminderit.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors