Mbahet mbledhja e rregullt e Qeverisë së Republikës së Kosovës


Image


Prishtinë, 25 qershor 2013

Në vazhdim po e japim të plotë fjalën e kryeministrit Hashim Thaçi në hapjen e mbledhjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës

Të nderuar zëvendëskryeministra,
Të nderuar ministra, kabinet qeveritar,

I dëshiroj mirëseardhje dhe rikthim zëvendëskryeministrit Bujar Bukoshi në punën e kabinetit qeveritar të Republikës së Kosovës, duke e falënderuar dhe respektuar angazhimin e tij dhe parimet e tij për respektimin e plotë të drejtësisë, duke bashkëpunuar me sistemin e drejtësisë dhe natyrisht duke respektuar edhe vendimet e drejtësisë për hedhjen poshtë të të gjitha paragjykimeve, që kanë qenë të adresuara ndaj tij.

Qeveria e Kosovës do të vazhdojë t’i jap mbështetje të plotë drejtësisë dhe të bashkëpunojë ngushtë me te në të gjitha aspektet, në mënyrë që sa i përket rendit dhe ligjit, Kosova të jetë shembull i mirë, shembull i reformave demokratike në të gjitha sferat.

Dëshiroj t’ju informoj për takimin e fundit në Bruksel të udhëhequr nga baronesha Ashton, si dy delegacione të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Jemi dakorduar në tri çështje. Natyrisht, se tani si shteti Kosovës, ne marrim obligimin që të implementojmë edhe pjesën teknike të Marrëveshjes politike të 19 prillit mes Kosovës dhe Serbisë. Sot veç është emëruar komandanti i policisë për pjesën e regjionit të veriun, që është z.Djuriq, i cili ka qenë më herët pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Ndërsa, çështje tjetër që kemi diskutuar të udhëhequr nga baronesha Ashton, ka qenë edhe çështja e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Kosovë. Të gjitha këto në suaza të kornizës së Marrëveshjes së 19 prillit.

Është arritur progres i madh dhe tani gjërat janë të orientuara në drejtim të duhur, janë në korniza çfarë janë menduar dhe planifikuar, në korniza politike dhe legale, por fillimisht, dëshiroj të shpreh një respekt  për partitë opozitare që kanë mbështetur këtë proces edhe në këto momente për Kosovën, në procesin e konsolidimit dhe forcimit të shtetit të Kosovës.

Në anën tjetër, siç i është bërë e njohur opinionit publik, edhe sa i përket pjesëmarrjes në zgjedhje, por edhe datës së zgjedhjeve, data 3 nëntor për organizimin e zgjedhjeve lokale në Kosovë, dëshiroj të theksoj fuqishëm se është rezultat i kompromisit të takimit të Brukselit të udhëhequr nga baronesha Ashton.

Pra, data 3 nëntor, që është theksuar të jetë datë orientuese, është rezultat i kompromisit të takimit të Brukselit.

Kjo datë është edhe rezultat i realitetit politik dhe qytetar në Republikën e Kosovës. Është brenda afatit të rregullt kushtetues dhe ligjor të Kosovës, që tejkalon disponimet e adresave të caktuara politike, por që është në interesin e shtetit dhe gjithë qytetarëve të vendit.

Si kryeministër i vendit, konsideroj sukses të jashtëzakonshëm mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të para lokale në të njëjtën ditë.

Kjo po ndodh për herë të parë në Kosovës dhe mendoj se pikërisht mbajtja e zgjedhjeve lokale në të njëjtën ditë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, shënon edhe suksesin më të madh në procesin e normalizimit dhe integrimit në veri, në kuptimin edhe territorial edhe atë shoqëror.

Këto zgjedhje për herë të parë, pra zgjedhjet më 3 nëntor, mbahen pas 15 vitesh në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, pas 15 vitesh sigurohet pjesëmarrja e të gjitha komuniteteve në zgjedhje lokale, zgjedhje këto sipas legjislacionit kosovar dhe standardeve ndërkombëtare.

Për herë të parë kemi përfshirjen territoriale dhe gjithëetnike dhe unë si kryeministër i vendit, në takimin e Brukselit, të udhëhequr nga baronesha Ashton, kam pasur parasysh interesa e shtetit dhe qytetarëve mbi çdo interes ët ndonjë adrese të caktuar politike në Kosovë.

Interesi, qëllimi dhe vizioni im ka qenë respektimi i afatit kushtetues dhe ligjor, mbi çdo disponim të ndonjë grupimi të caktuar politik.

Por, ndihem mirë që si ambient qeveritar kemi arritur të mos lejojmë mbajtjen e zgjedhjeve lokale në dy data, një në veri dhe një në jug, siç kishte propozime nga të tjerët.

Insistimi dhe vendosmëria, por edhe vendimi ynë, ka qenë që zgjedhjet të mbahen siç parasheh ligji për zgjedhjet në një ditë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe për të gjitha etnitë.

Ne nuk kemi guxuar të lejojmë që zgjedhjet të mbahen në dy data, dhe në baza të ndara territorialisht, një ditë në jug dhe një ditë në veri.

Ka pasur propozime të tilla të cilat janë hedhur poshtë. Por duke respektua edhe opinionin e disa kolegëve opozitarë sa i përket tre nëntorit, unë ju them, tash edhe si lider i partisë më të madhe në vend, edhe si kryeministër i vendit, edhe si udhëheqës i mazhorancës që udhëheq Kosovën, ne do të jemi të gatshëm që ta pranojmë çdo datë për zgjedhjet lokale që e propozon opozita, por që e merr përgjegjësinë për organizimin e zgjedhjeve në gjithë territorin e vendit në të njëjtën ditë.

Prandaj i ftoj të gjithë që mbi çdo interes partiak të shikojmë interesin e integrimit të vendit dhe përfshirjen në proces elektoral të të gjitha bashkësive etnike që jetojnë në Kosovë. Kjo është e siguruar, por nëse ka paragjykime sa i përket tre nëntorit, e them publikisht para jush, sikur unë te vendosja, unë do të vendosja për fillimin e tetorit, mesin e tetorit, dhe jo këtë datë.

Kjo datë është e kompromisit të takimit të Brukselit të udhëhequr nga baronesha Ashton. Por interesi ka qenë më i madh se sa si do të jetë moti atë ditë, interesi ka qenë më i madh që zgjedhjet po mbahen në të njëjtën ditë në gjithë territorin e Kosovës, me pjesëmarrjen e të gjitha etnive.

Kjo nënkupton normalizimin dhe integrimin e plotë të territorit të Kosovës,  dhe normalizimin e raporteve ndëretnike dhe përfshirjen e tyre në institucionet e Kosovës.

Ndërsa sa i përket propozimeve tjera për zgjedhjet lokale që dalin aty këtu, ato janë serioze. Zgjedhjet duhet të mbahen në afatin e rregullt kushtetues dhe ligjor, dhe ne nuk mund të punojmë sipas disponimeve a të mbahen në Bozhiq apo në Shën Gjergj, vetëm në afatin e rregullt kushtetues dhe ligjor.

E ritheksoj edhe njëherë, ne do ta respektojmë çdo vendim dhe propozim të opozitës për datën e zgjedhjeve, vetëm le ta marrin përgjegjësinë që ato zgjedhje të mbahen në gjithë territorin e vendit, dhe do të mbahen në të njëjtën ditë.

Kjo përgjegjësi është e siguruar dhe e garantuar tani. Është kontestuese data, por le të vendos opozita. Ne të gjithë si mazhorancë do ta votojmë dhe do ta mirëpresim.

Por, i ftojmë të gjithë që mos t’i shikojmë proceset me paragjykim. Jam i sigurt se sikur të mbaheshin zgjedhjet në dy data, sulmet do të ishin edhe më të ashpra. Jam i sigurt se sikur të mbaheshin zgjedhjet në dy pjesë të territorit të Kosovës, njëra një datë tjetër, dhe tjetra në datë tjetër, përsëri shumë të pakënaqur do të kishte. Dhe një të tillë nuk do ta lejoja që të ndodh. Kështu që, është çështje krejt minore kjo, se çfarë date do të jetë. Le të urdhëron, le ta jep propozimin opozita, dhe ta siguron dhe garanton se zgjedhjet do të mbahen në të gjithë territorin dhe në të njëjtën ditë, ne do t’i duartrokasim aftësisë , guximin, largpamësisë dhe vizionit të këtyre adresave politike.  

Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar dhe ka miratuar Projektligjin për Amnistinë.

Në vazhdim, po e japim të plotë prezantimin e këtij projektligji nga Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi: 

Më lejoni që sot përpara jush të prezantoj projektligjin për amnistinë. Që në fillim, më lejoni që të kërkoj ndjesë dhe mirëkuptimin tuaj, pasi do të jem më i gjatë se zakonisht në prezantimin e këtij projektligji që është me rëndësi edhe për ju, anëtarë të Qeverisë , por besoj edhe për oponinin publik.

Natyrisht që sqarimet do të përcillen edhe në opinionin publik, edhe në Kuvendin e Kosovës, dhe duhet të them që sot se jam i gatshëm që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të marrë pjesë në sqarime publike edhe me grupet parlamentare të partive politike në Kuvendin e Kosovës veç e veç.

Projektligji për amnistinë, të gjithë ne në Qeveri e dimë se ka filluar në vitin 2011 kur patëm marrë vendim që të amandamentohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës, por kjo procedurë nuk ka mundur të kryhet deri në përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës dhe amandamentimin e Kushtetutës që është bërë këtë vit.

Hartimi i këtij projektligji ka filluar në vitin 2011 kur patëm marrë vendim që të amandamentohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës, por kjo procedurë nuk ka mundur të kryhet deri në përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës dhe amandamentimin e Kushtetutës që është bërë këtë vit.

Nuk është menduar në atë kohë që do të ketë amnisti vetëm për shqiptarët, sikur që sot nuk do të mendohet që nuk do të ketë amnisti vetëm për serbët.

Ligji për Amnisti në kuadër të kompetencave kushtetuese të nenit 65 pika 1 dhe 15, në kuadër të koordinimit të plotë të këtij Projektligji me BE-në, që tani mund të them se kemi një harmoni të plotë edhe me BE-në por edhe me shtetet tjera ndërkombëtare.

E di që pritjet mund të jenë më të mëdha nga njerëzit që janë në dënim apo persona që mund të jenë në ndjekje penale, por po ashtu e di që ky Ligj për Amnisti garanton respektimin e plotë të barazisë para ligjit të të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pa marrë parasysh etnicitetin e tyre apo territorit ku ata jetojnë dhe banojnë qoftë tash apo më herët.

Ky Ligj nuk amniston dhe nuk do të amnistojë asnjëherë vrasje të personave zyrtarë, në cilëndo fazë që ka ndodhë apo edhe të qytetarëve të tjerë, natyrisht këtu e kam fjalën në veçanti kur mendohet për vrasjet me karakter qoftë etnik, personave zyrtar politik apo të çështjeve të tjera.

Ky ligj lejon kushtet dhe proceduarat në të cilat jepet amnistia për personat që janë të dënuar për nj vepër penale, personat që janë në ndjekje të një vepre penale apo personat që janë objekt i ndjekjes penale për veprat penale të kryera para datës 20 qershor 2013.

Nuk ka afat të fillimit, pra nuk e justifikon asnjë kohë tjetër duke përcaktuar kohë të veçantë.

Natyrisht, se të gjithë kryesit e veprave penale të listuar në këtë ligj që kanë kryer vepër para  20 qershorit 2013, lirimi i plotë apo i pjesshëm nga ekzekutimi i dënimit do të jetë në përputhje me kushtet e parapara me këtë ligj. Ky ligj do të miratohet me 2/3 në Kuvendin e Kosovës.

Këtu janë përfshirë edhe personat kundër të cilëve akoma nuk është ngritur ndonjë aktakuzë apo kundër të cilëve ende nuk ka filluar ndjekja penale, të cilët deri në ditën e hyrjes në fuqi të këtij projektligji, gjenden në mbajtje të dënimit në Republikën e Kosovës apo jashtë saj.

Ato që kanë të bëjnë me Republikën e Kosovës do të shqyrtohen nga gjykatat vendore, ndërsa ato jashtë vendit, do të ekzekutohen përmes vendimit të ministrisë së Drejtësisë.

Më lejoni të them se me 20 për qind nga ekzekutimi i dënimit, do të lirohen 45 vepra, të cilat janë të listuara dhe besoj do të jenë shuam shpejt për opinionin publik.

Çështja tjetër është për personat që janë dënuar për herë të parë me 3 muaj. Ne kemi menduar që ata persona të lirohen në tërësi nga ekzekutimi i dënimit me burg.

Po ashtu, për personat që janë të dënuar për herë të parë prej 3-6 muaj, kemi menduar që t’u falet dënimi për 50 për qind.

Ndërsa, për personat e moshës mbi 65 vjeçare, duhet të lirohen nga ekzekutimi me 25 për qind të dënimit të shqiptuar me burgim.

Natyrisht, për të gjithë këta është fjala kur e kanë dënimin e formës së prerë dhe dënimi është unik.

Kushtet e amnistisë janë edhe nga ndjekja penale dhe nga vuajtja e plotë e dënimit, pra i përfshinë dy faza, edhe ata të cilët janë në vuajtje dhe ata të cilët mund të jenë vetëm nga ndjekja penale.

Këtu janë paraparë vepra në veçanti me ato që mund t’i themi ne, pjesëmarrje në grupime të ndryshme, turma, vepra huliganizmi, por për të gjitha rastet, protestat, demonstratat, kur kryesi i veprës penale nuk ka rezultuar me lëndim të rëndë trupor apo vdekje.

Cilido person që ka marrë pjesë në huliganizëm, vepra penale apo çështje të tjera dhe ka rezultuar me lëndim trupor të ndonjë individi apo me vdekje, nuk do të amnistohet.

Ne kemi qenë të kujdesshëm që amnistia të përfshijë gjithë periudhën, edhe kur ka qenë më herët Kodi Penal në RS të Jugosllavisë edhe ligjit të UNMIK-ut, por edhe ato që kanë të bëjnë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Ne kemi përjashtuar po ashtu pjesëmarrjen në grupe që kanë kryer vepra penale që ka rezultuar me lëndim të rëndë trupor apo me vdekje dhe ky përjashtim besoj i garanton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që nuk do të mund të fillohet një amnisti e tillë.

Nga amnistia po ashtu personat deri në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, është lëshuar urdhri i lëshimit të flet arrestit dhe nuk i janë paraqitur gjykatës, do të përjashtohen. Pra, nuk do të fitojë amnisti asnjë persona i cili nuk i është paraqitur gjykatës për kryerjen e dënimit.

Edhe personat që janë dënuar me burgim pa kusht më tepër se dy herë dhe nuk është bërë shtyrja e dënimit të tyre, nuk do të përfshihen në amnisti.

Amnistia nuk do të aplikohet në veçanti edhe ndaj veprave kundër akterëve ndërkombëtarë të forcave ndërkombëtare të sigurisë apo edhe të forcave vendore të sigurisë, kur ato kanë rezultuar me lëndim trupor apo me vrasje.

Posa të hyjë në fuqi ky ligj, brenda 72 orësh do të njoftojë organin kompetent, respektivisht gjykatën e shkallës së parë, për personat që gjenden në mbajtjen e dënimit përfshihen ën Ligjin për Amnisti.

Po ashtu do të jepen informata të plota për fillimin e ekzekutimit dhe skadimin e dënimit gjykata kompetente. Po ashtu brenda 3 ditësh do ta shqyrtojë çështjen dhe do ta dërgojë në gjykatën kompetente për zbatimin e amnistisë. Në rastin konkret, gjykata do ta merr vendimin brenda 7 ditësh dhe kur kemi të bëjmë me shtetasin tonë që gjendet në shtetin tjetër, njoftimin do ta bëjë ministria e Drejtësisë.

Vendosja për zbatimin e amnistisë nga ndjekja penale do të përdoret dhe do të kryhet brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, kur prokuroi kompetent do të marrë për vendim sipas detyrës zyrtarë në përputhje me Kodin e Procedurës Penale për të hedhur poshtë kallëzimet penale, që janë paraparë me këtë Ligj për Amnisti.

Brenda 60 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij projektligji, dënimet e plotfuqishme që bien në fushëveprimin e këtij ligji fshihen nga evidenca penale.

Duhet ta theksojmë një fakt, që gjithmonë kur kemi të bëjmë me rastin e konfiskimit, që ka qenë në përputhje me Ligjin për Procedurën Penale, që është bazuar pjesërisht në atë që personi ka kryer vepër penale, nga amnistia nuk përfiton që të kthehet ai send. Pra, sendet e konfiskuara nuk përfshihen si pjesë e amnistisë.

Dhe, krejt në fund, më lejoni që të theksoj se edhe kundër këtij vendimi, ka të drejtë që të bëhet në Gjykatën e Apelit gjithmonë ankesë.

Unë jam i bindur se përmes këtij procesi do të ndihmohet një zbatim i plotë i ligjit në Kosovë, një barazim para ligjit, por poashtu jam i bindur se do të ndihmohet edhe integrimi i qytetarëve në sistemin tonë, juridik, politik, ekonomik e kështu me radhë, por edhe është hera e parë që Kosova po e ka mundësinë, po e tregon vullnetin politik, me siguri vullnet kanë mundur të kenë edhe tjerët më herët, që të krijojë amnisti.

Natyrisht që nuk do të përfshij apo nuk do t’i realizoj pritjet e të gjithë atyre që mendojnë se do të përfitojnë nga amnistia, por po them se është hera e parë që po bëhet amnisti.
Dhe, poashtu dua të theksoj se përmes kësaj amnistie do të preket ajo mundësia që risocializimi i personave të ndodh, dhe në momente të caktuara për vepra të theksuara, edhe mund t’i kthehen shoqërisë si qytetar të barabartë, apo do të reduktohet dënimi i tyre në përqindjen që e thash.
  
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, Ministrja e integrimeve evropiane, Vlora Çitaku ka njoftuar kabinetin qeveritar për përgatitjet e bëra për nisjen e negociatave për marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Në vazhdim, po e japim të plotë fjalën e ministres Çitaku:

Kosova me kohë ka bërë përmbushjen e të gjitha kritereve afatshkurtra që janë paraprirë, pas publikimit të Studimit të fizibilitetit në tetor të vitit të kaluar.

Kanë qenë një varg kriteresh në katër fusha, në fushën e reformës së administratës publike, në fushën e tregtisë, në fushën e mbrojtjes së komuniteteve dhe në fushën e rendit dhe ligjit. Kriteret të cilat janë përshkruar në Studimin e Fizibilitetit janë përmbushur falë një përkushtimi të madh të të gjitha institucioneve dhe akterëve politik, dhe ne qysh në mars të këtij viti i kemi dërguar letrën komisionarit Fule, me tabelën e përmbushjes së detyrimeve.

Përmbushja e kritereve afatshkurta është konfirmuar nga ana e Komisionit Evropian në muajin prill, dhe ne tani me të drejtë presim që Komisioni Evropian dhe Këshilli i Ministrave të vendosë për hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Kosova është një rast specifik edhe për vetë Bashkimin Evropian. Për herë të parë Komisioni Evropian hap negociata për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, me një shtet të cilin nuk e kanë njohur të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian, mirëpo është për t’u përshëndetur kreativiteti i Komisionit Evropian, kjo edhe falë faktit që Kosova është procesi i vetëm dhe i fundit i Stabilizim-Asociimit pas Traktatit të Lisbonës, dhe ky traktat ka fuqizuar mekanizmat e Bashkimit Evropian, dhe u ka mundësuar atyre që të hyjnë në marrëdhënie kontraktuale me Kosovë, pa pasur nevojë të kemi njohje nga të gjitha vendet anëtare të BE-së.

Marrëveshja e Stabilizim –Asociimit, përkatësisht direktivat negociuese, ato që ne i kemi parë jo zyrtarisht, pasi që zyrtarisht priten që të miratohen në ditët në vijim, flasin për një MSA substanciale për Kosovën. Ka pasur frikë që pikërisht për shkak të kompleksitetit politik, MSA-ja për Kosovën nuk do të ketë përmbajtjen e MSA-ve që kanë pasur vendet e tjera të rajonit, mirëpo nga ajo që ne kemi parë dhe na është thënë edhe nga Komisioni Evropian, por edhe nga vendet partnere të Kosovës në BE, Marrëveshja e Stabilizim Asocimit  do të ketë të gjitha komponentet që ka një MSA, jo vetëm pjesën tregtare, siç ka pasur frikë, por edhe komponentet politike, edhe atë të drejtësisë, e kështu me radhë.

Besoj që është një lajm i mirë. Tani kemi një test tjetër të vetë Bashkimit Evropian. Nuk do të ishte mirë që për shkak të mungesës së rezultateve nga ana e Serbisë në përmbushjen e rezultateve dhe detyrimeve karshi marrëveshjes së 19 prillit të ketë vonesa edhe për Kosovën. Kosova ka demonstruar seriozitet qoftë në përmbushjen e kritereve teknike, qoftë në dialogun e ndërmjetësuar nga baronesha Ashton, dhe hapja e negociatave për MSA-në nuk është një dhuratë, por është një proces i merituar.

Ta qartësojmë po ashtu,  nuk bëhet fjalë për nënshkrimin e MSA-së, bëhet fjalë për hapjen e negociatave për nënshkrimin për MSA-në. Negocimi do të merr kohë. Vendet e kanë negociuar MSA-në, disa për 6 muaj , disa për një vit. E mira është që Kosova hyn në këtë proces shumë më e përgatitur se sa vendet e  rajonit. Ne tashmë kemi formuar strukturën negociuese, kemi kryenegociatorin, kemi trupa të cilat do të jenë të përfshira në këtë proces, dhe besojmë që do të mund ta përmbyllim marrëveshjen në një kohë shumë të shpejtë, në mënyrë që ta nënshkruajmë, e më pas t’i hapet dera Kosovës për të aplikuar për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian.

Kjo do të jetë një rrugë e gjatë, mirëpo me negocimin e MSA-në, Kosova hyn në një rrugë të pa kthim drejt integrimit në Bashkimin Evropian, dhe me hapjen e këtij kapitulli, shpejtësia dhe dinamika në masë të madhe do të varet nga përmbushja e reformave këtu në vend.
*****************
Në mbledhjen e qeverisë, është miratuar projektligji për ratifikimin eMarrëveshjes Kornizë ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime, që rregullon aktivitetet e Bankës Evropiane për Investime në Republikën e Kosovës, sipas marrëveshjes së nënshkruar më 7 qershor 2013 në Prishtinë. Me këtë marrëveshje, do të përfitoj sidomos sektori privat duke përfituar kredi me inetersa të ulëta.

Po ashtu, kabineti ka miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare “Istisna’a” dhe Marrëveshja për Agjencinë “Istisna’a” për Financimin e Vazhdimit të Ndërtimit të Rrugës Milloshevë – Mitrovicë, Rruga m2, në vlerë prej 15.4 milionë euro e lidhur ndërmjet Qeverisës së Republikës së Kosovës dhe Bankës Islamike për Zhvillim.

Me propozimin e Ministrisë së Financave, është miratuar edhe Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare, e nënshkruar në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me Financimin e Dytë Shtesë për Projektin e Pastrimit të Sektorit të Energjisë dhe të Bonifikimit të Tokave.
 
Vlera e kësaj marrëveshje është 3.2 milionë euro, dhe do të realizohet nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Korporata Energjetike e Kosovës. Kjo marrëveshje synon të adresojë dhe  sanojë problemet e trashëguara mjedisore nga hedhja e hapur e hirit në tokë nga termocentrali Kosova A.

“Përmes kësaj marrëveshjeje do të mundësohet që KEK-u të liroj tokën për qëllime të zhvillimit të komunitetit aktualisht të zënë nga material i stërngarkuar dhe do t’i mundësoj rregullimin e deponisë së hirit në Kosova A. Projekti do të mundësoj që KEK-u dhe Ministria e Ambienti të zbatojnë operacione të vazhdueshme të pastrimit  dhe praktikat e mira mjedisore në sektorin e mjedisit dhe energjetikës. Duhet theksuar se kushtet e kredisë janë tejet te volitshme dhe nuk paraqesin ndonjë problem për buxhetin e Republikës së Kosovës” ka thënë ministri i Financave, Besim Beqaj.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors