Kryeministrit Kurti mori pjesë në hapjen e ekspozitës “Paraja rrëfen: 100 vjet jetë dhe ngjarje, Banka e Shqipërisë”

Prishtinë, 16 shkurt 2026

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e ekspozitës “Paraja rrëfen: 100 vjet jetë dhe ngjarje, Banka e Shqipërisë”, e cila u mbajt në hollin e Bankës Qendrore të Kosovës.

Para të pranishmëve ai tha se ekspozita që na ka mbledhur sot flet me gjuhën e historisë, por mesazhin e ka aktual dhe për të ardhmen. Ajo na kujton se paraja është simbol i besimit, i rendit institucional dhe i vetë shtetit, përveçse mjet shkëmbimi.

Më tej kryeministri shtoi se si institucionet janë forcuar përmes sfidave dhe përpjekjeve, dhe se si shteti është strukturë ligjore, por njëkohësisht edhe marrëdhënie zotimi mes qytetarëve dhe institucioneve të tyre.

“Kjo histori e besimit na lidh drejtpërdrejt edhe me raportin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. Bashkëpunimi ynë nuk është as i rastësishëm e as i përkohshëm. Ai pikënisjen e ka te historia jonë dhe vazhdimin e gjen te institucionet e dy republikave tona.”, tha kryeministri Kurti.

Duke përmendur bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, cili në qendër i ka nevojat dhe kërkesat e qytetarëve, kryeministri tha se 58 marrëveshje të reja në vetëm katër vite, të arritura përmes mbledhjeve të përbashkëta qeveritare, përbëjnë nivelin më të lartë të bashkërendimit institucional të cilin e kanë njohur ndonjëherë dy shtetet tona.

“E teksa bëhemi gati për shënimin dhe festimin e 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, kjo ngjarje sot na vjen edhe si rikujtim e përgjegjësi. Rikujtim i përpjekjeve ndër breza, sakrificave të mëdha, dhimbjeve të thella për liri, pavarësi dhe shtet, por edhe përgjegjësi për zhvillim dhe përparim të Republikës sonë, për bashkëpunim dhe partneritet me Republikën e Shqipërisë, për qytetarët dhe për kombin mbarë.”, tha kryeministri, duke i uruar për ekspozitën në Prishtinë dhe Tiranë.

Pas vizitës së ekspozitës, kryeministri Kurti, i shoqëruar nga ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, zhvilloi një takim të përbashkët me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismailin dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Së pari më lejoni t’ju kërkoj falje për vonesën, por ishim në Kuvend të Republikës ku edhe në këto çaste po debatohet për Projektligjin për Buxhetin 2026 dhe unë besoj që kam mirëkuptimin e guvernatorit Ismaili se ky vet ka qenë Drejtor i Thesarit dhe e di se nëpër çfarë momentesh po kalojmë ne, së dyti më lejoni t’ju përgëzoj për këtë titull, “Paraja rrëfen” dhe t’ju them që po më pëlqen më shumë se sa versioni në anglisht “Money talks”. Së treti unë jam për herë të parë këtu. Në këtë ndërtesë nuk kam qenë asnjëherë më herët, ndonëse jam për herë të tretë kryeministër. Dhe merreni këtë si një dëshmi të sforcuar që Qeveria e Republikës nuk i ndërhyn Bankës Qendrore si institucioni pavarur i shtetit.

I nderuar z. Ahmet Ismaili, Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës,
I nderuar z. Gent Sejko, Guvernator i Bankës së Shqipërisë,
E nderuar znj. Saranda Bogujevci, ministre e Kulturës dhe Turizmit,
E nderuara znj. Justina Pula, Kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës,
Të nderuar anëtarë të Bordit dhe zëvendësguvernatorë të Bankës Qendrore të Kosovës,
Të nderuar profesorë e artistë,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj.

Ekspozita që na ka mbledhur sot flet me gjuhën e historisë, por mesazhin e ka aktual dhe për të ardhmen. Ajo na kujton se paraja është simbol i besimit, i rendit institucional dhe i vetë shtetit, përveçse mjet shkëmbimi.

Kjo paraqitje muzeale, është një rrëfim për mënyrën se si shoqëritë tona e kanë ndërtuar besueshmërinë me kalimin e kohës: se si institucionet janë forcuar përmes sfidave dhe përpjekjeve, dhe se si shteti është strukturë ligjore, por njëkohësisht edhe marrëdhënie zotimi mes qytetarëve dhe institucioneve të tyre.

Kjo histori e besimit na lidh drejtpërdrejt edhe me raportin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. Bashkëpunimi ynë nuk është as i rastësishëm e as i përkohshëm. Ai pikënisjen e ka te historia jonë dhe vazhdimin e gjen te institucionet e dy republikave tona.

Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë, kanë ndërtuar një model bashkëpunimi i cili në qendër i ka nevojat dhe kërkesat e qytetarëve. 58 marrëveshje të reja në vetëm katër vite, të arritura përmes mbledhjeve të përbashkëta qeveritare, përbëjnë nivelin më të lartë të bashkërendimit institucional të cilin e kanë njohur ndonjëherë dy shtetet tona.

Nga njësimi i teksteve shkollore dhe projektet kulturore mbarëkombëtare, te lehtësimi i lëvizjeve në zonat kufitare, njohja e diplomave, bashkëpunimi në energji, siguri, sport, transport, turizëm dhe zhvillim ekonomik, padyshim që marrëdhëniet tona po thellohen e po zgjerohen.

Bankat qendrore kanë një rol të veçantë si institucione shtetndërtuese.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës dhe Banka e Shqipërisë garantojnë stabilitet dhe ruajnë besimin financiar. Të dyja, ndër vite, kanë pasur një bashkëveprim shembullor dhe të ngushtë, për çka edhe i përgëzoj e i falënderoj. Me shkas të tyre, për rastin e 100-vjetorit të Bankës së Shqipërisë dhe të parasë shqiptare edhe jemi mbledhur sot këtu bashkë.

E teksa bëhemi gati për shënimin dhe festimin e 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, kjo ngjarje sot na vjen edhe si rikujtim e përgjegjësi. Rikujtim i përpjekjeve ndër breza, sakrificave të mëdha, dhimbjeve të thella për pavarësi, liri dhe shtet, por edhe përgjegjësi për zhvillim dhe përparim të Republikës sonë, për bashkëpunim dhe partneritet me Republikën e Shqipërisë, për qytetarët dhe për kombin mbarë.

Për fund, krahas falënderimit për ftesën, dua t’ju uroj suksese për ekspozitën edhe në Prishtinë, edhe në Tiranë. Jam i bindur se ajo do të zgjojë sa interes e reflektim, po ashtu edhe krenari.

Ju faleminderit!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors