Kryeministri Thaçi: Thellimi i partneritetit mes Qeverisë së Kosovës dhe biznesit do të ketë sukses për fuqizimin e zhvillimit ekonomik të Kosovës


Image


Image


Image


Image


Image

Prishtinë, 2 maj 2014
 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në kuadër të vizitave që po iu bën bizneseve anë e kënd Kosovës, sot ka vizituar disa biznese në Shtime dhe në Ferizaj. Në fillim të vizitës së tij, kryeministri Thaçi është ndalur në Fabrikën e prodhimit të strukturave të çelikut “Exim Metal” në Shtime, ndërsa në vazhdim ka vizituar edhe Fabrikën e prodhimit të mbathjeve “Geris” në Ferizaj, si dhe Kompaninë e ndërtimit “Eskavatori” në Gërlicë të Ferizajt.
 
Gjatë vizitave që iu ka bërë kompanive në komunën e Shtimes dhe të Ferizajt, Kryeministri Thaçi është njohur për së afërmi me punën dhe projektet e realizuara nga këto kompani, si dhe ka prezantuar para drejtuesve të tyre projektin e Fondit të Punësimit dhe Zhvillimit, një fond prej 1.5 miliard eurosh, një mundësi e favorshme për zgjerimin e mëtejmë të bizneseve kosovare dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
 
Pas vizitës që i ka bërë Fabrikës së prodhimit të strukturave të çelikut “Exim Metal” ka vlerësuar lartë suksesin e familjes Hysenaj, pronarëve të kompanisë, në kuadër të këtij biznesi, i cili në fillim kishte vetëm 5 të punësuar, ndërsa aktualisht ka mbi 40 të punësuar.
 
Kryeministri Thaçi ka çmuar edhe përkushtimin e drejtuesve të kompanisë “Geris” për suksesin e treguar, ndërsa pasi ka vizituar kompaninë “Eskavatori”, Kryeministri ka përgëzuar pronarët e kësaj kompanie, që numëron mbi 200 punëtorë, për rezultatet e tyre në punë.
 
Më tej, Kryeministri Thaçi ka theksuar se bazuar në punën dhe përkushtimin e këtyre bizneseve, është rritur prodhimi, është rritur edhe numri i punëtorëve, dhe janë fuqizuar këto biznese. “Këto biznese janë shembulli më i mirë i mundshëm se si fillohet një biznes të zhvillohet, të forcohet dhe të zgjerohet” tha z.Thaçi.
 
“Në kuadër të vizitës time në këto lokalitete, diskutuam edhe për mundësitë që do të krijojmë nga Fondi i Punësimit, një fond prej 1.5 miliard eurosh, një fond që do të dedikohet drejtëpërdrejtë për zgjerimin dhe fuqizimin e ndërmarrjeve të vogla, të mesme dhe të mëdha, si dhe për krijimin e vendeve të reja të punës” – ka potencuar z.Thaçi dhe ka ftuar edhe të gjithë njerëzit që kanë ide dhe kreativitet që të hapin biznese të reja, që edhe ata të aplikojnë dhe të jenë të përfitues nga ky fond për hapjen e vendeve të reja të punës.
 
“Unë kam besim të plotë se thellimi i partneritetit mes Qeverisë së Kosovës dhe biznesit do të ketë sukses për fuqizimin e zhvillimit ekonomik, për krijimin e vendeve të reja të punës, për rritjen e mirëqenies sociale dhe të qytetarëve, për ndërtimin e Kosovës së re, evropiane, moderne dhe zhvillimore” – u shpreh kryeministri Thaçi.
 
“Ne kemi rritur pagat për gjithë punëtorët, tani kemi tejkaluar nivelin e vendeve të rajonit sa i përket pagesave për punëtorë. Por, përkundër uljes së numrit të papunëve nga 45 në 30 për qind, duhet të fokusohemi në krijimin e vendeve të reja të punës, në mënyrë që të ecim gradualisht përpara si shtet  i konsoliduar, i fuqishëm dhe i zhvilluar” – tha kryeministri Thaçi, pas vizitave që i ka bërë sot kompanive në Shtime dhe në Ferizaj.     

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors