Kryeministri Thaçi: Të bëhet edhe më tepër që të dëshmohet puna e komunave, sepse procesi i dialogut për procesin e liberalizimit, varet nga kjo e arritur e komunave

Prishtinë, 27 qershor 2011

I nderuari kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, z.Bajrush Xhemajli,
I nderuar kryetar i z.Whitmore, kryetar i Kongresit i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës në Strasburg,
I nderuar kryetar i Rrjetit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Evropës Juglindore,
Të nderuar ministra, deputetë, kryetarë të komunave,
Të nderuar kryetarë të bashkive të Republikës së Shqipërisë,
Të nderuar përfaqësues të USAID-it, OSBE-së, UNDP-së, GIZ-it

Zonja dhe zotërinj,

Kam pranuar me kënaqësi ftesën e kryetarit Xhemajli që të jem pjesë e fillimit të kremtimit të dhjetëvjetorit të themelimit të Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe ju përgëzoj për aktivitetet që si komuna keni paraparë të organizoni gjatë kësaj jave, e emërtuar “Java e komunave”.

E theksoj me bindje të plotë që progresi i arritur në Kosovën e pavarur, është edhe progres i të arriturave të pushtetit lokal në Kosovë, e në këtë rast edhe i Asociacionit të Komunave të Kosovës, si organizim në nivel kombëtar të komunave të Republikës së Kosovës.

Prandaj, synimi ynë ka qenë mbështetja dhe promovimi i punës së pushtetit lokal dhe deri më tani këto synime janë në rrugë të mbarë për tu arritur.

Puna e nisur mirë, e udhëheqjeve komunale, të legjitimuara me votën e lirë të qytetarëve duhet vazhduar.

Kjo punë nënkupton ofrimin e shërbimeve të përditshme cilësore për qytetarët, krijimin e infrastrukturës për një jetë sa më të mirë e deri tek ngritja dhe forcimi i institucioneve komunale deri në atë nivel, që qytetarët tanë të ndihen njësoj me qytetarët e shteteve tjera evropiane.

Qeverisja lokale në vitet që vijnë do të reformohet krahas reformave dhe zhvillimeve ekonomike e politike që janë duke ndodhur në nivelin qendror.

Qeveria e Republikës së Kosovës e ka mbështetur dhe gjithmonë do ta mbështesë Asociacionin e Komunave të Kosovës, si zë unik i komunave të udhëhequr prej liderëve të partive të ndryshme dhe komuniteteve të ndryshme, por me një qëllim – shërbimin në emër të të gjithë qytetarëve.

Si rrjedhojë, AKK-ja ka qenë dhe do të jetë e involvuar në çdo grup punues qeveritar, në hartimin e legjislacionit që prek përgjegjësitë e autoriteteve lokale.

Gjithashtu, duke u bazuar në informatën nga Parlamenti i Republikës së Kosovës, duhet të theksoj që edhe legjislativi i vendit të përkrahë në mënyrë të jashtëzakonshme AKK-në.

Pra, Asociacioni i Komunave të Kosovës është i involvuar edhe në komisionet parlamentare, u ka dhënë një kontribut të veçantë me anë të rekomandimeve të veta, rekomandime këto që burojnë nga komunat e Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës e sheh AKK-në si partner serioz në zhvillimin edhe të mëtutjeshëm të demokracisë lokale në Kosovë, duke përfaqësuar në mënyrë të denjë interesat e autoriteteve lokale në vendin tonë.

I nderuar kryetar Xhemajli,
Të nderuar kryetarë të komunave,

Një nga prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, mbetet procesi integrues evropian.

Por, në kuadër të kësaj, hyn edhe prioriteti i theksuar, që mbetet kryeprioritet edhe për ne dhe ju, ai i riatdhesimit të qytetarëve.

Ju e keni këtë mandat me Kushtetutë, me ligj dhe legjitimitet të fituar qytetar.

Secili duhet ta kryejë punën e vet në përputhshmëri me përgjegjësitë në nivel qendror dhe lokal.

Ju falënderoj për punën, të cilën e keni bërë, por ju ftoj që të bëhet edhe më tepër, në mënyrë që, me rastin e vizitës së përfaqësuesve të Komisionit Evropian, të dëshmohet puna juaj, sepse kryekëput procesi i dialogut për procesin e liberalizimit, varet nga kjo e arritur e juaja.

Ju ftoj për një rritje të angazhimeve tuaja dhe ju ftoj të gjithëve që në këtë drejtim të punoni në interesit qytetar dhe interesin shtetëror, që të hapet kjo perspektivë sa më shpejt që është e mundur.

Unë mund t’ju siguroj dhe garantoj që do ta keni përkrahjen e plotë timen si kryeministër dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Të nderuar të pranishëm,

Më gëzon fakti që komunat e Kosovës kanë qenë prezentë në Kongresin e Pushtetit Lokal, ku AKK-ja është prezent në Kongresin e Pushtetit Lokal të Këshillit të Evropës në Strasburg, në Komitetin Evropian të Komunave dhe Regjioneve me seli në Bruksel, është anëtare e Rrjetit të Evropës Juglindore, si dhe shumë mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë, sepse vetëm në këtë mënyrë, Kosova dhe autoritetet lokale në Kosovë, përfitojnë nga shkëmbimi i përvojave të mira me vendet fqinje të Evropës dhe më gjerë.

Unë shpreh vendosmërinë time dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës që edhe në të ardhmen, Asociacioni i Komunave të Kosovës, si përfaqësues i autoriteteve lokale, do të ketë mbështetjen tonë në hapat e mëtutjeshëm të zhvillimit të saj dhe në përgjithësi të zhvillimit të demokracisë lokale.

I nderuar kryetar Xhemajli,

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës t’ju uroj dhjetëvjetorin e themelimit dhe t’ju uroj suksese në të ardhmen.

Ju faleminderit!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors