Kryeministri Thaçi takon në Bruksel zëvendëspresidenten e BE-së, Baroneshën Ashton, rikonfirmohet perspektiva evropiane e Kosovës: Rezultatet e fundit janë me të vërtetë të inkurajuese

Prishtinë, 4 korrik 2011

Fjala e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në konferencën e përbashkët për media me Zëvendëspresidenten e Bashkimit Evropian, Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Baroneshën Catherine Ashton, mbajtur sot në Bruksel

Edhe për mua ishte kënaqësi e veçantë të takoja baroneshën Ashton. Falënderoj për mbështetjen e vazhdueshme në gjithë këtë proces që po kalon Kosova dhe rajoni.

Tani, Kosova po kalon në një fazë të thellë të reformave demokratike me perspektivë evropiane, reforma këto gjithëpërfshirëse edhe në legjislacion, ekonomi, por edhe në politikë dhe krijimin e një realiteti demokratik dhe multietnik.

Dialogu është themeli mbi të cilin është ndërtuar edhe Bashkimi Evropian. Mbi këtë parim do t’a evropianizojmë edhe ne Ballkanin dhe në këtë drejtim ne jemi duke punuar me të gjithë që të kemi një bashkëpunim fqinjësor shumë të mirë me të gjithë fqinjët, me Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi, por edhe me Serbinë.

Mesazhet janë shumë të qarta, edhe të konkludimi për marrëveshje të përbashkët mes Kosovës dhe Serbisë për tri çështjet, si, njohja e diplomave, regjistrit civilë dhe lëvizjes së lirë, të cilat çështje do të lehtësojnë jetën njerëzve për një jetë më të mirë dhe do të vazhdohet me agjendën tjetër, si vulat e doganave, telekomunikacion, energji.

Këto janë çështje teknike për një jetë më të mirë të të gjithë qytetarëve pa dallime etnike, çështje që i kemi diskutuar edhe me vendet tjera të rajonit dhe janë zgjidhur sipas parimeve dhe standardeve evropiane.

Kosova si vend me perspektivë evropiane do të vazhdojë me qeverisjen e mirë, të sundimit të ligjit, të luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar, si dhe do të vazhdojë me përpjekjet maksimale që sa më shpejt të jemi edhe pjesë e EBRD-së dhe, do të vazhdojmë me implementimin e kritereve të domosdoshme që Kosova të fitojë sa më shpejt të drejtën në procesin e dialogut të liberalizimit të vizave, marrëdhënieve kontraktuale dhe marrëdhënieve tregtare me Bashkimin Evropian.

Falënderoj baroneshën Ashton për mbështetjen që i ka dhënë këtij procesi.

Pas konferencës për media, kryeministri Thaçi është përgjigjur edhe në pyetjen e medieve:

Meqë Serbia po shpreson që pas ekstradimit të Mlladiqit të fitojë statusin e shtetit kandidat, mirëpo a është kjo dikund ndonjë pengesë për çështjen e Kosovës për ta fituar këtë status, apo ndoshta BE-ja e kushtëzon Serbinë t’a njohë pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që të ecë tutje në këtë proces?

Kryeministri Thaçi:

Edhe Kosova edhe Serbia kanë perspektivë evropiane. Ne gradualisht kemi filluar të ndërtojmë marrëdhënie më normale fqinjësore dhe besoj në një fqinjësi të mirë. Kosova po ndërton me të gjitha vendet e rajonit raporte shumë të mira dhe natyrisht kapitulli i zgjidhjes së konflikteve do të përmbyllet me evropianizimin e gjithë rajonit. Perspektiva evropiane e Kosovës është e sigurt.

Fjala e Zëvendëspresidentes së Bashkimit Evropian, Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Baroneshën Catherine Ashton, në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, mbajtur sot në Bruksel

Para dy ditësh janë zhvilluar takime mes Prishtinës dhe Beogradit në të cilin kanë dalë me marrëveshjet konkrete.

Ndërkohë që këto zgjedhje të të arriturave gjatë ditës së shtunë, janë të arritura të Evropës, të disa palëve.

 

Dua të përgëzoj z. Thaçi  dhe zonjën Tahiri për konstruktivitetin e treguar nga ana e tyre, por edhe palës serbe dhe lidershipin e tyre për guximin dhe punën e deritashme.

Më duhet të them se të gjitha këto marrëveshje lidhur me lirinë e lëvizjes, janë të dobishëm për të gjitha palët dhe nuk ka nevojë që të heqin dorë nga asgjë, përkundrazi, janë të dyja palët që kanë përfituar shumë.

Qëllimi i këtij dialogu është që të dyja palët të jenë më afër BE-së, që të përmirësojnë koordinimin dhe çka është më e rëndësishmja, që të përmirësojnë jetën e njerëzve. Kjo është ajo çfarë ne synojmë.

Prandaj, pres implementimin e shpejtë të këtyre marrëveshjeve dhe gjithashtu dialogu do të rezultojë më tutje, siç është çështja e telekomit , kadastrit dhe energjisë.

Përveç dialogut, unë gjithashtu kam diskutuar edhe për perspektivën evropiane për Kosovën dhe inkurajoj edhe një herë kryeministrin Thaçin që të shpenzojë edhe me më shumë energji në drejtim të BE-së për qytetarët e Kosovës, që Kosovën ta sjell më afër Bashkimit Evropian.

Jam shumë e kënaqur  ta shoh se kjo pako e mirë e legjislacionit është e miratuar, dhe është e proceduar  dhe pret miratimin e  Parlamentit. Këto synojnë përmirësimin e sundimit të ligjit.

Inkurajoj kryeministrin Thaçi që të shfrytëzojë kontributin e misionit për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX-in, në komponentë të drejtësisë, policisë, gjyqësisë, luftën kundër korrupsionit dhe të krimit të organizuar.

Dhe, porosia ime sot është që, edhe një herë të ritheksoj përkushtimin e Evropës për perspektivën evropiane të Kosovës, sepse ne duam që Kosovën ta shohim sa ma afër Evropës dhe rezultatet e fundit janë me të vërtetë të inkurajuese.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors