Prishtinë, 14 nëntor 2012
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, u takua sot me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian, kryesuar nga përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar.
Kryeministri Thaçi me këtë rast njoftoi ambasadorët për takimin e dytë me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, që u mbajt në Bruksel kohë më parë me ndërmjetësimin e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Baroneshën Catherine Ashton.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është thellësisht e përkushtuar për implementimin e të gjitha kritereve dhe standardeve evropiane të integrimit. Një nga parakushtet për integrim, ka potencuar kryeministri Thaçi, është edhe forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe fqinjësia e mirë, dhe në këtë kuadër procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë është i një rëndësie të veçantë dhe është në të mirën e të dyja shteteve dhe rajonit në tërësi” ka theksuar kryeministri Thaçi.
Kreu i Zyrës së BE-së dhe PSBE, Samuel Zhbogar, tha:
“Pas çdo takimi të ri, gjërat po konkretizohen gjithnjë e më shumë dhe kjo është një gjë shumë e mirë jo vetëm për procesin politik afatgjatë të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, mirëpo edhe për zgjidhjen e problemeve teknike të përditshme të të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa marrë parasysh se ku jetojnë ata, në jug apo në veri”.
Kryeministri Thaçi siguroi ambasadorët se gjatë gjithë procesit për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë do të sigurojë transparencë maksimale, dhe se platforma kryesore e këtij procesi mbetet Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
Ambasadorët e vendeve të BE-së shprehën mbështetjen e plotë për kryeministrin Thaçi dhe për Qeverinë e Republikës së Kosovës në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
