2 korrik 2013
Fjala e Kryeministrit Thaçi në takimin e Këshillit Kombëtar për Zhvillimin Ekonomik
Faleminderit e nderuara zëvendës-kryeministre dhe ministre,zonja Kusari-Lila
Të nderuar Zëvendës-kryeministra,
Të nderuar Ministra,
Të nderuar përfaqësues të Komunitetit të Biznesit,
Të nderuar pjesëmarrës,
Sot kam kënaqësinë e veçantë që t’ju rikujtoj lajmet jashtëzakonisht të mira mbi sukseset që Qeveria e Republikës së Kosovës ka arritur gjatë kësaj periudhe në rrafshin ekonomik.
Republika e Kosovës tani është edhe më afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Javën që lamë pas, Qeveria e Republikës së Kosovës, u informua nga Bashkimi Evropian për vendimin e tyre për hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stablilizim Asociimit mes Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës.
Kjo marrëveshje është themeli mbi të cilin do të ndërtohet e ardhmja evropiane e Republikës së Kosovës.
Si Kryeministër i vendit, dua të shpreh mirënjohjen time të lartë për të gjithë ata që kontribuuan dhe që do të kontribuojnë në përmbylljen me sukses të kësaj marrëveshjeje në një afat rekord.
Marrëveshja si e tillë, përveç çështjeve politike, përfshin edhe ato ekonomike, pra çështjet rreth zhvillimit ekonomik dhe tregtisë.
Prandaj, suksesi në implementimin e kësaj marrëveshjeje do të reflektohet në ngritjen e cilësisë dhe sigurisë së mjedisit afarist për të gjithë investitorët, qofshin vendorë, qofshin të huaj.
Po ashtu, ky sukses do të reflektohet në rritjen dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm.
Dhe, siç e dimë të gjithë, këto dy të fundit do të kenë ndikim pozitiv në mirëqenien sociale dhe materiale të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Që nga takimi ynë i fundit, progres tjetër që Qeveria e Republikës së Kosovës ka realizuar në rrafshin ekonomik është edhe anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Bankën Evropiane për Investime.
Duke pas parasysh prioritetet e kësaj banke, e cila është më e madhja për nga vëllimi kreditor multilateral, Republika e Kosovës do të përfitojë,ndër të tjera, në këto fusha:
– Zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme,
– përmirësimin dhe kompletimin e infrastrukturës së transportit,
– përmirësimin dhe kompletimin e infrastrukturës së energjisë,
– promovimin e inovacioneve përmes investimeve në teknologjinë e informacionit dhe të komunikimit, si dhe
– mbrojtjen e ambientit.
Bazuar në efektet zinxhirore në fushën e ekonomisë, të gjitha këto projekte do të ndihmojnë në krijimin e mundësive të reja për investime, rritjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, krijimin e vendeve të reja të punës dhe me këtë në ngritjen e standardit jetësor të qytetarëve.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka qenë jashtëzakonisht e suksesshme edhe në aspektin makroekonomik, përfshirë këtu stabilitetin dhe qëndrueshmërinë makrofiskale.
Ne kemi marrë vlerësim pozitiv nga Fondi Monetar Ndërkombëtar gjatë rishikimit të rregullt të zbatimit të Marrëveshjes Stand-By. Në kuadër të kësaj është përgatitur edhe Rregulla Fiskale e cila së shpejti pritet të hyjë në fuqi.
Gjatë vitit 2012, ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje prej rreth 3.9% që është shumë më e lartë sesa ajo e vendeve të rajonit.
Po ashtu, sipas raportit të fundit të Bankës Botërore, Republika e Kosovës pritet që prapë të shënojë rritjen ekonomike më të lartën në rajon.
Të nderuar të pranishëm
Ne do të vazhdojmë me punën në përmirësimin e mjedisit afarist duke ulur jo vetëm koston financiare të të bërit biznes, por edhe kostot jo-financiare.
Përmes reformës fiskale, e cila është në implementim e sipër ne parashohim të zvogëlojmë ngarkesëntatimore e me këtë uljen direkte të kostos së të bërit biznes.
Do të vazhdojmë me projekte kapitale të reja për të kompletuar infrastrukturën e transportit. Për këtë do të bashkëpunojmë ngushtë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim si dhe me Bankën Evropiane për Investime.
Ne kemi rritur intensitetin e punës në sektorin e energjisë me qëllim të sigurimit të furnizimit të rregullt me energji si dhe modernizimit dhe zgjerimit të sistemit të ngrohjes.
Do të vazhdojmë me lehtësimin e procedurave që ndërlidhen me të bërit biznes. Fushë kjo ku kemi shënuar progres sipas raportit të Bankës Botërore.
Sot, të nderuar të pranishëm, ju do të diskutoni mbi projektligjin për inspektimet, rregullimin e punëtorëve të huaj në tregun e punës, si dhe mbi Fondacionin Evropian për Trajnime.
Të gjitha këto çështje ndërlidhen direkt me përforcimin e ekonomisë së lirë të tregut, përmirësimin e konkurrencës në treg, rregullimin e tregut të punës si dhe përkrahje përmes përgatitjes më të mirë të fuqisë punëtore krahas nevojave të tregut.
Progresi i shënuar në këto fusha tregon se politikat ekonomike të Qeverisë së Republikës së Kosovës janë treguar të efektshme dhe suksesshme në krijimin e kushteve për rritjen dhe zhvillimin ekonomik, për krijimin e vendeve të reja të punës, dhe për ngritjen e mirëqenies materiale dhe shoqërore të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Të nderuar të pranishëm
E nderuara zëvendëskryeministre
Po e përmbyll duke ju falënderuar për bashkëpunimin intensiv të deritashëm dhe si gjithmonë duke ju inkurajuar për bashkëpunim edhe më të ngushtë publiko-privat në rrugën drejt përmirësimit të mjedisit afarist.