Stockholm 1 tetor 2012 – Kryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi u prit sot nga ministri i Jashtëm të Suedisë, Carl Bildt.
Kryeministri Thaçi gjatë takimit me ministrin e Jashtëm Bildt falënderoi atë për mbështetjen personale për procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, dhe gjithashtu edhe për përmbylljen e procesit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë.
“Pas përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare, Kosova është edhe më shumë e përkushtuar në zbatimin e të gjitha reformave të nevojshme për anëtarësim në BE. Jemi duke pritur rekomandim pozitiv të Raportit të fizibilitetit nga Komisioni Evropian për fillimin e negociatave për Marrëveshjen për Asociim dhe Stabilizim, si dhe vlerësim pozitiv për përmbushje të kritereve që dalin nga udhëzuesi për liberalizim të vizave”- theksoi kryeministri Thaçi në takim.
“Bashkimi Evropian duhet t’i përmbushë premtimet ndaj Kosovës, përfshirë këtu hapjen e negociatave për Marrëveshjen për Asociim dhe Stabilizim. Integrimi i balancuar i rajonit në BE, bazuar në merita, progresit në reforma dhe ndërtimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore është kyç për të ardhmen e rajonit” – shtoi kryeministri Hashim Thaçi.
Ndërsa ministri i Jashtëm Carl Bildt, theksoi se Suedia qëndron e përkushtuar në përkrahjen e rrugës së integrimit evropian të Kosovës dhe fqinjësisë së mirë. Për më tepër , ministri Bildt theksoi se Kosova është shtet i pavarur, sovran, dhe ndarja nuk është opsion.
******
Kryeministri Thaçi dhe ministri Bildt pas takimit u deklaruan për media.
Në vazhdim po e japim të plotë deklaratën e kryeministrit Thaçi:
Mirëdita zonja dhe zotërinj,
Ishte kënaqësi për mua që sot takova ministrin e Punëve të Jashtme të Suedisë, z. Carl Bildt, një mik i vjetër i Kosovës dhe i rajonit të Ballkanit.
z. Bildt , sot unë u ndjeva si në shtëpinë time, ngase Suedia ishte shtëpi për mijëra kosovarë gjatë luftës së tmerrshme në vitet 1998-99.
Suedia ishte dhe vazhdon të jetë kampion i lirisë, i të drejtave të njeriut dhe demokracisë.
Suedia ka ndihmuar Kosovën në rrugën e saj drejt pavarësisë dhe Suedia po e ndihmon sot Kosovën në rrugën drejt integrimit.
z. Bildt, më lejoni t’iu falënderoj publikisht për rolin dhe kontributin tuaj personal.
Sot Kosova është e pavarur dhe ka vetëm një vizion dhe një qëllim- të jetë anëtare e familjes euro-atlantike, sepse ndajmë të njëjtat vlera.
Ne do t’i kryejmë të gjitha detyrat tona të shtëpisë. Do të vazhdojmë ta luftojmë korrupsionin, të bëjmë reformat dhe do të përfshihemi në një dialog konstruktiv me Serbinë.
Dialogu është mënyra e vetme drejt normalizimit të raporteve dhe lëvizjes përpara drejt anëtarësimit në BE dhe në NATO.
Ne jemi të përkushtuar dhe në të njëjtën kohë mirënjohës për mbështetjen e Suedisë në këtë proces.
Ju faleminderit!
