Kryeministri Thaçi: Standardet për mbrojtjen e mjedisit, do të jenë udhërrëfyes i ndërtimit dhe madhësisë së kapaciteteve të bazuara në linjit


Image


Image

Prishtinë, 05 tetor 2009

E nderuara ministre Pula,
I nderuar ministër Yagilar,
Të nderuar të pranishëm,
Investitorë dhe të ftuar tjerë,
Zonja dhe zotërinj,

Fillimisht, më lejoni t’ju uroj mirëseardhje më të ngrohtë në shtetin më të ri, në Republikën e Kosovës.

Është kënaqësi për mua  t’ju përshëndes, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emër të qytetarëve të saj për praninë tuaj këtu dhe për kontributin tuaj gjatë këtij forumi ndërkombëtar shumë të rëndësishëm për Kosovën, por edhe për rajonin.

Kosova është shtet i ri dhe shumë gjëra ende janë në proces të zhvillimit, por në rrugë të mbarë. Mirëpo, Kosova ka një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim të shpejt.

Për këtë qëllim, Qeveria e Republikës së Kosovës tashmë ka krijuar një mjedis shumë të sigurt dhe të favorshëm për investime në sektorë të ndryshëm.

Legjislacioni dhe ligjet që zbatohen në Republikën e Kosovës janë tërësisht në përputhje me standardet evropiane dhe favorizojnë investimet private. Prandaj, Kosova me të drejt pret që investitorët e huaj të investojnë kapitalin e tyre në Kosovë, sepse suksesi është i garantuar.

Zonja dhe zotërinj,

Ne tashmë jemi në prag të fillimit të investimeve të mëdha në sektorin e energjetikës. Në këtë aspekt, dua të theksoj se ne jemi të gatshëm të vëmë në funksion shfrytëzimin e rezervave të thëngjillit, për ngritjen e kapaciteteve të reja energjetike, por kjo do të bëhet vetëm duke respektuar normat më të larta të ruajtjes së ambientit dhe po ashtu ndërtimin e kapaciteteve të reja të energjisë alternative.

Sa i përket sektorit energjetik, ne tashmë kemi një strategji të qartë energjetike për periudhën 2009-2018. ne synojmë t’i mobilizojmë investimet e rëndësishme private për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese; termocentrale dhe hidrocentrale; rehabilitimin e kapaciteteve gjeneruese në termocentralin Kosova B; zgjerimin dhe përforcimin e kapaciteteve të transmisionit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike, si dhe shfrytëzimin e burimeve të ripërtërishme të energjisë, duke pasur në kujdes të veçantë edhe rritjen e efiçiencës në përdorimin e energjisë.

Të gjitha investimet e pritshme, janë përfshirë në programin për zbatimin e strategjisë sonë të energjisë për periudhën 2009 – 2018.

Zonja dhe zotërinj,

Me këtë rast, dëshiroj t’ju siguroj të gjithë juve investitorë privatë, se Qeveria e Republikës së Kosovës është e vendosur të ndërtojë kapacitetet e nevojshme gjeneruese të energjisë elektrike nga linjiti, të cilat na nevojiten për t’i zëvendësuar kapacitetet e vjetra më pak efiçiente dhe me efekte të larta ndotëse, si dhe për të mbuluar kërkesën vendore gjithnjë në rritje për energji elektrike.

Standardet për mbrojtjen e mjedisit, do të jenë udhërrëfyes i ndërtimit dhe madhësisë së kapaciteteve të bazuara në linjit.

Qeveria e Republikës së Kosovës do të përshtatë kërkesat e saj për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese me kushtet e tregut financiar, ndërkombëtar, për t’i ndërtuar sa më fort kapacitetet e domosdoshme.

Tani i kemi në dispozicion të gjitha studimet e nevojshme dhe kështu në bashkëpunim me Bankën Botërore, do të zgjedhim rrugën dhe opsionin më të mirë dhe më realist për ndërtimin e burimeve të reja gjeneruese.

Zonja dhe zotërinj,

Së fundmi, ju ftoj të konsideroni investimet tuaja në Kosovë, sepse kjo do të sjellë patjetër përfitimet që ju i parashikoni.

Ne do t’ju mirëpresim, përkrahim dhe do të zbatojmë proceduar e hapura e transparente konkurruese.

Qëllimi ynë është që të tërheqim sa më shumë investime private dhe për këtë jemi të gatshëm të paguajmë si ekonomi e Kosovës koston objektive të pranueshme për këto investime.

Ju uroj suksese!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors