Prishtinë, 25 nëntor 2009
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot në një takim zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.
Në vazhdim po i japim të plota prononcimet e kryeministrit Hashim Thaçi dhe zëvendëskryeministrit të Shqipërisë, Ilir Meta, në konferencën e mbajtur për shtyp në Qeverinë e Kosovës
Deklarata e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi
Kisha kënaqësinë të prisja në takim zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Qeverisë së Shqipërisë, z.Ilir Meta, me të cilin biseduam për zhvillimet në Kosovë, Shqipëri dhe rajon.
Është mjaft inkurajues kjo perspektivë e dy vendeve tona, perspektiva euroatlantike, për Kosovën si pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian në të ardhmen e afërt dhe perspektiva e integrimit në Bashkimin Evropian të Shqipërisë.
Reformat do të vazhdojnë në të dy vendet, reforma demokratike edhe në legjislacion, edhe në politikë dhe ekonomi.
Kontributi është për paqe, stabilitet, bashkëpunim rajonal dhe perspektivë evropiane e dy vendeve dhe dy qeverive tona.
E informova z.Meta edhe për zhvillimet në Kosovë, për të gjitha proceset, edhe të njohjeve, si dhe proceseve tjera.
Mendoj se të gjitha këto angazhime, janë jashtëzakonisht të rëndësishme për shtetin e Kosovës, që shteti i Kosovës po konsolidohet.
Kemi ndërtuar raporte të shkëlqyeshme me të gjitha vendet e rajonit. Kemi vullnet të mirë që të ndërtojmë raporte të mira ndërshtetërore edhe me Serbinë.
Ndërsa, do të vazhdojmë me gjithë përgjegjësinë shtetërore që bashkëpunimi mes dy qeverive tona të thellohet edhe më tepër dhe marrëveshjet të cilat i kemi nënshkruar së bashku me kryeministrin Berisha, të vazhdojnë të implementohen në të gjithë sektorët.
Gjithashtu falënderoj z.Meta për angazhimet e tij në të gjitha takimet ndërkombëtare për çështjen e Kosovës, në veçanti të njohjeve të reja që kanë ardhur dhe që do të vijnë në të ardhmen.
Deklarata e zëvendëskryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta
Është kënaqësi e veçantë të jem para jush me kryeministrin Thaçi dhe të shpreh konsideratat më të larta për sukseset e jashtëzakonshme që shteti i ri dhe i pavarur i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga z.Thaçi ka arritur në një kohë kaq të shkurtër.
Një shumicë e padiskutueshme e vendeve të NATO-s dhe Bashkimit Evropian e kanë njohur Kosovën.
Gjatë kësaj periudhe të fundit anëtarësimi i Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore, është një ngjarje tepër premtuese, në mënyrë që Kosova shumë shpejt të arrijë edhe progresin e dëshiruar ekonomik dhe social dhe njëkohësisht edhe zhvillimet e tjera.
Do të vlerësoja në mënyrë të veçantë kurajën dhe vizionin e Qeverisë së Kosovës për të zgjidhur çështjen e kufirit me Maqedoninë, e cila solli edhe njohjen diplomatike. Kjo tregon se Kosova ka idenë e qartë për fqinjësi të mirë, që në themelet e veta ka integrimin evropian edhe të Kosovës dhe gjithë rajonit tonë.
Dua të shpreh vlerësimin më të mirë për standardet e zgjedhjeve të fundit në Kosovë, që ishin të parat pas formimit të shtetit të ri të Kosovës. Këto zgjedhje ishin një test i shkëlqyer i formimit të institucioneve në Kosovë dhe në mënyrë të veçantë vlerësoj rritjen e dukshme dhe premtuese të pjesëmarrjes së komunitetit serb në këto zgjedhje.
Shpreh përkrahjen e plotë për Qeverinë e Kosovës, për përpjekjet e saj për ta integruar sa më mirë minoritetin serb dhe të gjitha grupet e tjera në vend.
Njëkohësisht shpreh edhe angazhimet e Qeverisë shqiptare për të ndihmuar edhe ne nga ana jonë për të kontribuuar në plotësimin e disa shërbimeve të komunitetit serb me iniciativa konkrete.
Kosova e pavarur dhe Kosova evropiane, janë interes jo vetëm të qytetarëve të Kosovës pa asnjë dallim etnik, por janë në interes edhe të të gjithë fqinjëve të Kosovës.
Ky realitet është mirë të njihet nga të gjithë, sepse çdo qëndrim tjetër nuk i shërben atij momenti të ri përshpejtues të integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
