Kryeministri Thaçi: Shteti i Kosovës po konsolidohet dhe po forcohet, si një shtet i respektuar prej botës demokratike

Prishtinë, 10 shtator 2012

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi priti sot në takim Zëvendës-Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, Philip Reeker. Menjëherë pas përfundimit të takimit, z. Thaçi dhe z. Reeker kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media.

Në vazhdim po japim fjalën e kryeministrit Thaçi në këtë konferencë shtypi

Fillimisht më lejoni që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës në këtë prononcim të parë sot publik t’i uroj të gjithë qytetarët e Kosovës për këtë ditë të rëndësishme dhe historike të përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë.

Jo rastësisht ky prononcim publik sot për opinionin publik kosovar ndodh me ambasadorin Reeker, përfaqësuesin e SHBA-së sot në takimin e Grupit Drejtues Ndërkombëtar.

Duke e falënderuar edhe njëherë, në emër të Qeverisë së Kosovës, në emrin tim personal dhe në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, zotin Reeker,  duke e falënderuar Ambasadën Amerikane për mbështetje, sekretaren Clinton, presidentin Obama, Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe gjithë popullin amerikan për mbështetjen e plotë që i kanë dhënë Kosovës në procesin e lirisë, ndërtimin e demokracisë dhe për të ardhmen, gjithashtu për t’u integruar në NATO dhe Bashkim Evropian, gjithmonë në raporte të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ne diskutuam me ambasadorin Reeker për progresin e arritur në Kosovë,  për vlerësimin ndërkombëtar për suksesin në Kosovë, për këtë ditë, këtë ngjarje madhore për qytetarët e vendit, për këtë rrugëtim të përbashkët për implementimin e plotë të dokumentit të presidentit Ahtisaari, për involvimin dhe integrimin e të gjitha komuniteteve në institucionet e Kosovës, duke e shtruar autoritetin në gjithë territorin e vendit tonë,  për përkushtimin tonë për fqinjësinë e mirë me të gjithë, në fqinjësi të mirë edhe me Serbinë, në angazhimet tona për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore.

Gjithashtu, e njoftova ambasadorin edhe për zotimin tonë, synimin tonë, vizionin e politikës kosovare për t’u integruar në NATO dhe Bashkim Evropian. Ndërsa diskutuam edhe për sfidat që do t’i ketë Kosova në të ardhmen, disa të cilat nuk do të jenë edhe të lehta, por ajo që është më e rëndësishme, shteti i Kosovës po konsolidohet dhe po forcohet, si një shtet i respektuar prej botës demokratike, në marrëdhënie të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Prandaj, më lejoni që edhe njëherë në emrin tim t’iu falënderoj zotin Reeker, të falënderoj gjithë komunitetit gjithë ndërkombëtar për mbështetje dhe sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

***

Nga ana e tij, Zëvendës-Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Philip Reeker edhe njëherë theksoi se SHBA-të mbështesin sovranitetin pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës. Ndër të tjera, ai tha se  Fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë mund të shënoj fundin e autoritetit ekzekutiv që ishin të rezervuara për komunitetin ndërkombëtar sipas Planit të Ahtisaarit, por ky nuk është fundi i angazhimit të fuqishëm të komunitetit ndërkombëtar për Kosovën dhe ndihmës për Kosovën, përfshirë këtu edhe ndihmën e SHBA-së.

Zëvendës-Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, tha se fokusi ndërkombëtar për Kosovën vetëm do të rritet pas ditës së sotme, në kohën kur Kosova do të punoj në periudhën e pas përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë, në arritjen e shumë reformave të vështira por të domosdoshme.

Duke e quajtur partner krenar të Kosovës SHBA-në, z.Reeker siguroi se SHBA-ja do të mbështes Kosovën në hapat e parë si shtet plotësisht i pavarur, drejt rrugës evropiane dhe euro-atlantike.

 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors