Kryeministri Thaçi: Shqiptarët jetojnë në shumë shtete, por jemi një komb


Image


Image


Image


Image

Prishtinë, 6 tetor 2009

Pas ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjeve ndërshtetërore mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i është përgjigjur interesimit të medias lidhur me zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe rajon. Në vazhdim po i japim të plota përgjigjet e kryeministrit Hashim Thaçi

Pyetjes lidhur me rrugën e integrimit drejt Bashkimit Evropian mes Kosovës dhe Shqipërisë, si një shtet apo dy shtete, kryeministri Thaçi i është përgjigjur:

Ne po sanojmë dhe po punojmë për tejkalimin e padrejtësive që kanë ndodhur . Por tani po jetojmë një realitet dhe po punojmë në një projekt të vlerave euroatlantike. Shqiptarët jetojnë në shumë shtete, por ne jemi një komb. Kemi përqafuar dhe po punojmë fuqishëm për ngadhënjimin e demokracive në ato vende dhe për respektimin e të gjitha standardeve më të larta euroatlantike.

E theksoi edhe kryeministri Berisha, vendet e rajonit Kosovën dhe Shqipërinë i kanë dy vende mike, dy vende të partneritetit, të bashkëpunimit, të paqes, të stabilitetit, të angazhimeve integruese rajonale dhe euroatlantike .

Sot Shqipëria është në NATO, shumë shpejt do të jetë në BE. Duhet të rikthehemi pak në histori. Ku ishte Shqipëria para pak vitesh. Ishte në një diktaturë të tmerrshme komuniste. Tani Shqipëria është e lirë nga diktatura, pjesë e NATO-s dhe shpejt në BE.

Ku ishte Kosova, ishte duke bërë përpjekje për rrëzimin e komunizmit jugosllav dhe kundër pushtimit. Sot Kosova është e lirë, është e pavarur, tash po zhvillon demokracinë dhe po punon me hapa të sigurt për integrim në BE dhe në NATO. Unë e shoh të ardhmen e dy vendeve tona si të ardhme të vlerave evropiane, integruese dhe natyrisht të standardeve të BE-së, rajon pa kufi. 

Në pyetjen lidhur me profilin ideologjik të partive politike, kryeministri Hashim Thaçi është përgjigjur:

Fillimisht dëshiroj të theksoj se ky është një takim i nivelit më të lartë shtetërorë. Është një vizitë institucionale shtetërore e kryeministrit Berisha. Që të dy jemi këtu si kryeministra të vendeve, të Shqipërisë edhe të Kosovës. Kjo vizitë dhe këto takime janë mbi çdo lloj ideologjie dhe çdo partie. Janë përpjekjet tona shtetërore për implementimin e vullnetit të njerëzve edhe në Shqipëri edhe në Kosovë.

Por, duhet të flas shumë hapur: edhe mua edhe zotin Berisha na ka bashkuar ideja edhe pa u njohur fizikisht. Kryeministri Berisha në vitet e nëntëdhjeta ishte udhëheqës i lëvizjes kundër diktaturës në Shqipëri. Edhe unë si student kam udhëhequr Lëvizjen Studentore kundër komunizmit dhe pushtimit serb në Kosovë.

Dhe, ndihem tepër mirë që edhe atje ka rënë diktatura në atë kohë, por edhe këtu në Kosovë filloi dhe u godit shumë rëndë komunizmi dhe pushtimi serb, duke iu dhënë goditja më e rëndë. Pastaj, që të dy jemi liderë të partive politike demokratike, dhe është mirë që jemi kryetarë të partive demokratike.

Partia Demokratike e Kosovës është themeluar prej një transformimi të lëvizjes çlirimtare dhe grumbullimit të intelektualëve të çmueshëm të Kosovës, të vullnetit të qytetarëve të Kosovës, të njerëzve akademikë të shoqërisë civile të shumë e shumë njerëzve të vullnetit të mirë.

E gjithë jeta ime politike është një përpjekje për liri, për rend demokratik, për demokraci dhe për integrime në NATO dhe Bashkimin Evropian. E gjithë përpjekja ime në fillim ka qenë lufta për liri, e tani është integrimi dhe krijimi i rendit demokratik.

Ju e dini se në një formë apo në një formë tjetër atdheu është një koncept i djathtë, ndërsa proletarëve nuk u dihet fort atdheu. Këtu keni shembullin edhe të De Gollit, Tuxhmanit edhe Sharonit.

Në pyetjen se si t’i presë komuniteti ndërkombëtar marrëveshjet që u nënshkruan sot, kryeministri Thaçi u përgjigj:

Gjithë bota demokratike, bota e lirë kërkon bashkëpunim integrim respektim të vlerave bashkëpunuese, prandaj ne bëmë atë që duhej ta bënim. Ajo që ka munguar midis Tiranës dhe Prishtinës. Bashkëpunimi është një nga vlerat më të larta edhe i komunitetit ndërkombëtarë.

Gjithë bashkësia ndërkombëtare e përkrah bashkëpunimin e Kosovës me të gjitha vendet e rajonit, me Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë dhe kemi vullnetin e mirë për bashkëpunim ndërshtetëror në të ardhmen edhe me  Serbinë.

Nga bashkëpunimi askush nuk duhet të frikohet, përkundrazi kemi inkurajim dhe mbështetje të fuqishme në këtë drejtim. E gjithë bota demokratike i beson përkushtimit tonë euroatlantik.

Kryeministri Thaçi është përgjigjur edhe në pyetjen lidhur me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën.

Ne si Kosovë nuk duam që ta politizojmë këtë proces. Nuk duam që t’i japim ngjyrime pretendimeve ndikuese apo paragjykuese ndaj ndonjë shteti të caktuar. Ne i besojmë këtij procesi. Jemi të përgatitur dhe do të kemi opinionin e drejt, një opinion që do të përputhet realisht me vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe vendimet e marra nga institucionet legjitime.   

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors