Prishtinë, 9 korrik 2009
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, përgëzon kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, me rastin e fitores në zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Në telegramin e urimit thuhet:
I nderuari kryeministër Berisha,
Kurorëzimi me sukses i Zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 ishte fitore e demokracisë shqiptare dhe tregues i kulturës së lartë institucionale që po dëshmon shoqëria shqiptare përgjithësisht.
Qytetarët e Kosovës dhe institucionet e saj, me vëmendje kanë ndjekë të gjitha fazat e fushatës elektorale dhe janë entuziazmuar për nivelin e organizimit, debatin dhe përformancën e shpalosur nga të gjitha subjektet garuese.
Fushata transparente ka bërë që këto zgjedhje të dëshmojnë se Shqipëria ka hyrë në një stad të lartë të demokracisë, gjë që u tregua me dominimin e frymës paqësore, qetësisë dhe respektimit të njëri –tjetrit.
Në zgjedhjet e 28 qershorit doli fitues “Koalicioni për ndryshim”, duke ju dhënë Ju, i nderuar kryeministër, edhe një mandat për ta drejtuar shtetin shqiptar.
Kemi besim të plotë që Ju do të drejtoni një qeveri të koalicionit në të mirë të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë, duke ruajtur unitetin kombëtar dhe stabilitetin e përgjithshëm drejt sukseseve dhe perspektivës euroatlantike të Shqipërisë.
Pas anëtarësimit në NATO, Shqipërinë e pret rruga drejt integrimit në BE, dhe kemi bindjen e plotë, që qeveria shqiptare do t’i përmbush të gjitha kriteret për t’u bërë sa më parë pjesë e Bashkimit Evropian.
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, kam nderin dhe kënaqësinë që t’Ju uroj fitoren, duke ju garantuar bashkëpunim të përhershëm me Qeverinë e Kosovës dhe institucionet e saj në të mirë të të dy vendeve, rajonit dhe më gjerë.
Urime!
Hashim Thaçi,
Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës