Kryeministri Thaçi shprehet i bindur se zgjedhjet e para në Kosovën e pavarur do të jenë shembull i pjekurisë së gjithë spektrit politik


Image


Image


Image


Image

Prishtinë, 23 tetor 2009

Drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi sot është mbajtur mbledhja e 89-të e Qeverisës së Republikës së Kosovës. Në hapje kryeministri Thaçi ka vlerësuar shumë pozitivisht procesin e përgatitjeve për zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, duke e cilësuar po ashtu të qetë dhe pa probleme fillimin e fushatës elektorale për zgjedhjet e para të lira në Kosovën e pavarur.

“Dëshiroj të theksoj se zgjedhjet e para të lira në Kosovën e pavarur, dhe i gjithë procesi zgjedhor është duke vazhduar i qetë, demokratik, si një proces i  konkurrencës së vlerave, të një konkurrence dinjitoze të programeve e koncepteve”, ka thënë kryeministri Thaçi, dhe ka shtuar se përgatitjet teknike janë duke shkuar shumë mirë. Qeveria është e përkushtuar që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe komisionet tjera përkatëse të kenë të gjitha kushtet, duke përfshirë edhe mbështetjen adekuate financiare, mbështetjen teknike, dhe çfarëdo mbështetje që i nevojitet.

Kryeministri Hashim Thaçi ka njoftuar kabinetin për vizitën që dje së bashku me presidentin Sejdiu dhe ambasadorin amerikan, Dell, i ka bërë KQZ-së.
“Jemi të bindur se këto zgjedhje të para në Kosovën e pavarur do të jenë shembull i pjekurisë politike i gjithë spektrit politik kosovar, dhe i një pjesëmarrjeje  të madhe në zgjedhje. Gjithashtu do të dëshiroja t’i falënderoja të gjitha partitë për fushatën e tyre korrekte, të qetë demokratike” ka pohuar z. Thaçi.

Po ashtu kryeministri Thaçi ka njoftuar për vizitën Policisë së Kosovës dhe mbështetjen për punën e suksesshme në luftimin e të gjitha dukurive negative, ndaj të gjithë atyre që e shkelin ligjin.

Kryeministri Thaçi në mbledhjen e sotme, ka pohuar se Qeveria e Republikës së Kosovës ka nënshkruar marrëveshjen për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, marrëveshje të cilën e ka ratifikuar Kuvendi i Kosovës.
“Kjo marrëveshje është nënshkruar duke pasur parasysh gatishmërinë dhe përkushtimin reciprok për të kontribuar në zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, perspektivën euroatlantike të të dy vendeve, dhe në këtë mënyrë  kemi hapur një periudhë të re ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë” është shprehur z.Thaçi.

Më tutje kryeministri Thaçi ka sqaruar se Qeveria e Republikës së Kosovës është e njoftuar për shqetësimet e një pjesë e banorëve të fshatit kufitar Debëllde. “Shqetësimet e tyre janë të evidentuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Dhe për këtë çështje dua t’i siguroj se askush prej tyre nuk e ka humbur pronën e vet, sepse prona e tyre është aty ku ka qenë, dhe pronësia nuk ka ndryshuar, prona është e tyre, e paprekshme, legjitime dhe do të respektohet. Qasja në këto prona do të lehtësohet dhe rregullohet edhe më lehtë, në bazë të standardeve ndërkombëtare dhe përvojave edhe të vendeve tjera, edhe të BE-së”, ka thënë z.Thaçi  Kështu që fshatarët e Debëlldesë do të mund t’i punojnë pronat e tyre pa asnjë problem, pa frikë dhe pa asnjë pengesë.

Kryeministri Thaçi ka njoftuar kabinetin qeveritar për takimin që ka pasur me përfaqësuesit e fshatit  Debëllde, ku ata është ngritur edhe çështja e dëmeve që iu janë shkaktuar atyre nga pamundësia e qasjes në prona deri më tani.

Në këtë kuadër, me propozimin e kryeministrit Thaçi, qeveria ka marrë vendim për formimin e Komisionit për vlerësimin e dëmeve të krijuara në pronat e pronarëve në fshatin Debëllde, Komuna e Vitisë, gjatë viteve 2001 – 2009. Në këtë komision janë përfshirë Ministria e Bujqësisë, MEF, MD, MPL, dhe përfaqësues nga komuna e Vitisë.

Ministri i Shëndetësisë ka prezantuar një informatë lidhur me dyshimet e helmimit të një numri të nxënësve nga Fushë Kosova. “Ekzaminimet nuk kanë konfirmuar helmimin dhe nxënësit nuk do të kenë pasoja nga ajo gjendje. Ekzaminimet janë krye në dy faza, në dy qendra të ndryshme në nivelin më të lartë të ekspertizës që ekziston sot”, ka pohuar ministri i Shëndetësisë.

Qeveria në mbledhjen e sotme ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Forcës së Sigurisë që në bazë të Ligjit për Buxhetin e vitit 2009, për ngritjen e paradhënies nga 15 në 20 për qind për nevoja të kësaj ministrie.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors