Kryeministri Thaçi: Qeveria që drejtoj unë është plotësisht e përkushtuar që të funksionalizojë tërësisht strukturat institucionale për integrim në BE


Image


Image


Image

Prishtinë, 12 qershor 2009

Fjalimi hyrës i Kryeministrit z. Hashim Thaçi për takimin e 16-të të Mekanizmit Përcjellës të Stabilizim Asociimit

 

I nderuari z Piere Mirel;
I nderuar z Piter Feith;
Të nderuar përfaqësues të Komisionit Evropian;
Të nderuar përfaqësues të Përfaqësive Diplomatike;
Të nderuar Ministra;
Të nderuar kolegë të institucioneve të Republikës së Kosovës;

Zonja dhe Zotërinj,

Fillimisht ju dëshiroj mirëseardhje të gjithë të pranishmëve në këtë takim.
Kam nderin dhe kënaqësinë të hap takimin e rregullt të 16-të të Mekanizmit Përcjellës të Procesit të Stabilizim Asociimit.

Sot jemi takuar për të diskutuar arritjet në kuadër të procesit të integrimit Evropian dhe për t’i diskutuar dhe adresuar bashkërisht sfidat dhe vështirësitë që dalin nga ky proces.

Jemi dëshmitar që edhe në të kaluarën këto forume janë treguar produktive përderisa përvoja dhe ekspertiza e ofruar nga miqtë tanë nga Komisioni Evropian ka kontribuar që bashkërisht t’i tejkalojmë të gjitha sfidat dhe të hartojmë politika që rezultojnë në përmirësimin dhe forcimin e funksionimit të institucioneve dhe adoptimit të standardeve Evropiane me qëllim të përmirësimit të cilësisë së jetesës për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës është plotësisht e angazhuar në intensifikimin e dinamikës së procesit të integrimit dhe shtimi i dialogut politik dhe teknik me Komisionin Evropian kontribuon në mënyrë përmbajtjesore në këtë drejtim.

Së fundi kjo dinamikë është dëshmuar me intensifikimin e interakcionit në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian me qëllim të Studimit të Fizibilitetit për Kosovën.

Në këtë drejtim, Qeveria të cilën unë drejtoj ka treguar dhe do të tregoj përkushtim maksimal, duke  bashkëpunuar me kolegët e Komisionit Evropian dhe sigurimit të informacioneve rreth gjendjes reale të administratës sonë.

Ne besojmë  se raporti nga Studimi i Fizibilitetit do të jetë pozitiv dhe jemi të bindur se Kosova është e gatshme të hyj në negociata për të hyrë në lidhje kontraktuale me Komisionin Evropian.

Kosova është e gatshme ta bëj këtë hap shumë të rëndësishëm drejt rrugëtimit tonë për integrim në BE

Që nga takimi i fundit i MPSA-së i mbajtur në dhjetor të vitit të kaluar, Kosova ka kaluar nëpër një periudhë shumë të rëndësishme dhe intensive.

Njohja e Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran ka vazhduar në mënyre të kënaqshme duke arritur numrin prej 60 shteteve që kanë njohur Kosovën.

Shfrytëzoj këtë rast të shpreh falënderimin tim për të gjitha shtetet që kanë njohur shtetin më të ri të Evropës. Dëshiroj të shfrytëzoj rastin të ftoj edhe shtetet tjera e në veçanti shtetet anëtare të BE-së të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë ta bëjnë të njëjtën gjë dhe kështu ti ndihmojnë Kosovës, por mbi të gjitha t’i ndihmojnë Evropës dhe rajonit.

Tashmë është fakt i pranuar gjerësisht se pavarësia e Kosovës ka rezultuar me siguri dhe stabilitet në rajon, Evropë dhe më gjerë.

Rëndësi të veçantë në kontekstin e zhvillimeve të fundit zë vend anëtarësimi i Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore.

Jam shumë i lumtur që si Kryeministër i Republikës së Kosovës gjatë këtij muaji do të nënshkruaj anëtarësimin në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërorë në emër të shtetit të Kosovës.

Ky fakt dëshmon që Kosova është duke treguar progres në misionin për të pasur rritje dhe qëndrueshmëri ekonomike dhe që do të rezultojë në zvogëlimin e varfërisë dhe promovoj rritjen e punësimit për qytetarët tonë.

Kanë mbetur vetëm tre ditë deri tek përvjetori i parë i hyrjes në fuqi të Kushtetutës moderne dhe demokratike të Republikës së Kosovës e cila paraqet bazën ligjore për realitetin e ri në Kosovë, një realitet që respekton vullnetin e popullit të Kosovës, që siguron barazi për të gjithë qytetarët e Kosovës para ligjit dhe që garanton të drejtat afirmative për komunitetin pakicë në Kosovë.

Republika e Kosovës ka rritur rolin e saj në politikën e jashtme në pajtim me realitetin e ri. Ne kemi filluar themelimin dhe konsolidimin e misioneve diplomatike të Kosovës. Për momentin, 10 misione diplomatike në nivel të ambasadave janë funksionale në SHBA, në shtetet anëtare të BE-së, në vendet e rajonit, përderisa me 10 Shkurt 2009, Presidenti i Republikës së Kosovës ka dekretuar themelimin e Misionit Diplomatik në nivel ambasade në: Republikën e Sllovenisë, Republikën e Kroacisë, Mbretërinë e Holandës,  Mbretërinë e Suedisë, Republikën Çeke, Republikën e Hungarisë, Republikën e Bullgarisë dhe në Japoni.
 

Është prioritet i yni shtetëror hapja e misioneve diplomatike në këtë fazë dhe zhvillimin e kapaciteteve të tyre për të vepruar në mënyrë diplomatike bashkëkohore duke respektuar të drejtën dhe procedurat ndërkombëtare.
 

Përparime të theksuara janë arritur në fushat: sundimi i ligjit, kundër-korrupsioni dhe luftimi i krimit të organizuar, zgjerimi i dialogut dhe pajtimit mes komuniteteve.

Ne jemi duke punuar në mënyrë intensive në reformimin e administratës publike dhe kemi bërë përparime në miratimin e legjislacionit për shërbimin civil dhe administratën publike dhe se jemi në proces të rishikimit funksional institucional në të cilën Qeveria veç ka marr vendim për miratimin e rekomandimeve për tri (3) Ministri fillimisht dhe këto rekomandime së shpejti do të përkthehen në plane të veprimit për ri-organizim të Ministrive përkatëse.

Qeveria gjithashtu do të vazhdojë me konsolidimin e administratës publike për një qëndrueshmëri institucionale në pajtim me standardet Evropiane.

Sistemi gjyqësor është i një rëndësie të veçantë dhe ne jemi duke bërë përpjekje maksimale për reformimin e tij, posaçërisht me rregullimet e nevojshme legjislative, ku projekt-ligjet për gjykatën kushtetuese, këshillin gjyqësor dhe këshillin e prokurorisë janë në procesin e miratimit.

Ne kemi shfaqur përkushtimin tonë lidhur me të drejtat e njeriut dhe, në veçanti, për të avancuar pozitën e minoriteteve në Kosovë. Jemi duke punuar çdo ditë, dhe kështu do të punojmë edhe në të ardhmen për të avancuar pozitën e tyre në pajtim me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.

Përforcimi i mekanizmave institucional për të luftuar korrupsionin mbetet qëllim i yni. Në këtë kontekst, Strategjia Kundër-Korrupsion 2009-2013 është miratuar dhe do të përcillet me planin e veprimit që do të përfshihen planet sektoriale për ndalimin dhe luftimin e korrupsionit. Fakt inkurajues është edhe publikimi i fundit nga Transparency International e cila e ka radhitur Kosovën si vendin me shkallë më të ulët të korrupsionit në rajon.

Një Kosovë me ekonomi të qëndrueshme përfaqëson objektivat kryesore të Qeverisë sime, dhe në këtë drejtim do të vazhdojmë të punojmë për të përmirësuar performancën tonë makro-ekonomike dhe për të rritur implementimin e suksesshëm të buxhetit tonë, në të njëjtën kohë duke zbutur shkallën e lartë të papunësisë dhe bilancin negativ tregtar.

Synimi ynë është të bëjmë përpjekje më të mëdha për të krijuar një klimë më të favorshme për të mbështetur investitorët e mundshëm të jashtëm dhe nismat nga sektori ynë privat.

Më tutje ne do të bëjmë gjithë atë që mundemi për të siguruar furnizim të rrymës sipas rrethanave të tashme dhe për te përmirësuar infrastrukturën fizike si parakusht kryesor për zhvillim. Ne pajtohemi se reforma e vazhdueshme dhe investimet e konsiderueshme janë të nevojshme për ti mundësuar Kosovës përballimin afatgjatë të presioneve konkurruese dhe forcave të tregut në BE.

Më lejoni të riafirmoj pozitën e Qeverisë duke theksuar që ne jemi tërësisht të përkushtuar për procesin e Integrimeve Euro-Atlantike të Kosovës si qëllimi ynë kryesor strategjik, dhe jemi plotësisht të vetëdijshëm që procesi i integrimit në BE është proces shumë kompleks që kërkon angazhim maksimal nga të gjitha sferat dhe dimensionet e shoqërisë Kosovare.

Ne jemi të përkushtuar që të përqafojmë vlerat evropiane dhe të garantojmë paqen dhe sigurinë në rajon, si dhe të thellojmë bashkëpunimin me fqinjët rajonalë.

Aktualisht në kuadër të shumë aktiviteteve tjera, Qeveria e Republikës së Kosovës është në përfundim të rishikimit të Planit të Veprimit për Partneritet Evropian, dokument strategjik ky i cili bashkërendon politikat tona krahas përgjegjësive që dalin nga Partneriteti Evropian dhe Raporti i Progresit për Kosovën dhe së shpejti i njëjti dokument do të miratohet në një nga seancat e Qeverisë.

Në dokumentin e rishikuar janë respektuar të gjitha rekomandimet e Komisionit Evropian dhe janë identifikuar masat dhe veprimet konkrete dhe reale me një kornizë kohore optimale për zbatimin e tyre. Ne e kuptojmë që agjenda e BE-së është agjenda jonë kombëtare dhe ne jemi duke shqyrtuar mënyrat praktike për të integruar Planin Kosovar të Veprimit për Partneritet Evropian në Kornizën Afat-mesme të Shpenzimeve, Buxhetin e Konsoliduar të Kosovës,  dhe Planin e Qeverisë.

Qeveria që drejtoj unë është plotësisht e përkushtuar që të funksionalizojë tërësisht strukturat institucionale për integrim në BE. Në kuadër të Planit për Integrim Evropian 2008-2010 parashihen metodat për avancimin e strukturave të përfshira dhe intensifikimin e agjendës evropiane në nivel kombëtar.

Në këtë drejtim janë themeluar gjashtë grupet punuese dhe deri tani janë takuar 3 herë ku është diskutuar për sfidat dhe obligimet që dalin nga Plani i Veprimit për Partneritet Evropian. Agjenda Evropiane diskutohet rregullisht edhe në takimet javore të Sekretarëve Permanent, përderisa Këshilli Ministror është takuar 3 herë gjer tani dhe ka shërbyer si mekanizëm i rëndësishëm adresimin e çështjeve të rëndësisë së veçantë në kuadër të agjendës Evropiane.

Ne do të vazhdojmë me themelimin e të gjitha strukturave të tjera koordinuese në pajtim me planin e Agjencisë për Koordinimin e Zhvillimit dhe Integrim Evropian. Dëshiroj vetëm të nënvizoj se ne do të respektojmë dhe do të koordinojmë agjendën tonë për integrime evropiane nëpërmjet pjesëmarrjes në këto struktura.
 
 
Ne jemi të përkushtuar që të zhvillojmë dhe zbatojmë strategjitë zhvillimore për Kosovën dhe të sigurohemi që agjenda zhvillimore dhe agjenda evropiane te jenë të integruar në një proces. Në Mars të këtij viti kemi mbajtur takimin e parë të Forumit të Nivelit të Lartë me partnerët tanë nga komuniteti i donatorëve dhe siç jemi zotuar gjatë këtij takimi, së shpejti do të funksionalizohen grupet punuese sektoriale të cilat do të rrisin efektivitetin e koordinimit të politikave dhe programeve të komunitetit të donatorëve drejtuar Kosovës.

Qeveria ka ndërmarr një vlerësim dhe ka arritur të hartojë një udhërrëfyes për liberalizimin i vizave duke u bazuar në përvojat e shteteve anëtare të BE-së dhe vendeve të rajonit dhe së shpejti ky udhërrëfyes do të përkthehet në plan veprimi ku do të përfshihen të gjitha masat që duhet ndërmarr për plotësimin e kushteve të nevojshme dhe t’i lehtësoj qytetarëve tanë që të udhëtojnë pa kufizime në vendet e BE-së. Në këtë drejtim, dua të shfrytëzoj rastin që të ftoj Komisionin Evropian për të bërë vlerësimet e nevojshme për inicimin e këtij procesi.

Zonja dhe Zotërinj,

Në fund, dëshiroj të shfrytëzoj rastin që edhe një herë të falënderoj përfaqësuesit e Bashkimit Evropian për ofrimin e mbështetjes së vazhdueshme për institucionet e Kosovës për anëtarësim në familjen e madhe Evropiane. E përsëris që Kosova është e gatshme të intensifikoj bashkëpunimin tonë për të ballafaquar me sfidat që janë para nesh.

Ju ftojë të gjithëve që të kemi një diskutim të hapur dhe të dalim në fund të takimit, me përfundime/rekomandime që do të shërbejnë për ne për të adresuar më mirë sfidat me të cilat po ballafaqohemi.

Ju faleminderit.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors