Kryeministri Thaçi: Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të përmbush mandatin e vet ligjor dhe kushtetues

Prishtinë, 20 korrik 2011

Qeveria e Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e 24 të radhës,  në të cilën ka miratuar një varg vendimesh, planesh të veprimit dhe strategji sektoriale.

Me propozimin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për zbatimin e masave të reciprocitetit në shkëmbimin tregtar me Serbinë dhe Bosnjë dhe Hercegovinën. Duke u nisur nga fakti se kanë dështuar arritjet e marrëveshjeve për njohjen e vulave doganore të Kosovës dhe për këmbimin e lirë të mallrave, në procesin e dialogut me Serbinë, në Bruksel, Kosova nuk do të njohë vulat doganore të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, si dhe do të aplikojë masën e tarifës doganore prej dhjet për qind,  për mallrat nga këto vende. “Qeveria inkurajon dhe do të mbështes Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në zbatimin e  këtij vendimi”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka vendosur që të kërkojë mendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në lidhje me imunitetin e presidentit, kryeministrit, anëtarëve të kabinetit qeveritar, deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe për bartësit tjerë të institucioneve në Kosovë. Kjo çështje, e cila është bërë objekt i diskutimit në ditët e fundit, duhet të marr përgjigjen legale nga institucioni më i thirrur për zbatimin e kushtetutshmërisë në Kosovë, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.

Qeveria e Kosovës ka miratuar Planin e Veprimit për Strategjinë e Sigurisë së Republikës së Kosovës sipas të cilit do të përcaktohen akterët dhe veprimet në funksion të sigurisë së vendit dhe qytetarëve të Kosovës.

Është miratuar vendimi për emërimin e Komisionit për Menaxhimin e Fondit për Mbështetje të Mediave Minoritare, Multietnike dhe Grupeve Tjera të Veçanta, sipas përkufizimeve në Rregulloren për funksionimin e këtij fondi.

Në kuadër të ristrukturimit të “Hekurudhave të Kosovës”, kompani kjo që do të ndahet në dy kompani: në “TrainKos” dhe “InfraKos”, Qeveria ka emëruar anëtarët e përkohshëm të bordit të “TrainKos”-it ndërsa anëtarët e deritashëm të “Hekurudhave të Kosovës” do të jenë anëtarë të “InfraKos”. Emërimi i përkohshëm do të zgjas gjashtë muaj deri në regjistrimin e këtyre dy ndërmarrjeve të reja.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka propozuar dhe Qeveria e Kosovës ka aprovuar dy dokumente të rëndësishme për pastërtinë e ambientit në Kosovë. Është miratuar Udhëzimi Administrativ për Normat e Cilësisë së Ajrit dhe Strategjia dhe Plani i Veprimit  për Biodiversitetin.

Qeveria ka aprovuar ndryshimin e vendimit për listën e importit të barnave dhe produkteve medicinave, sipas të cilit Agjensioni për Produkte Medicinale të Kosovës ka afat që brenda 30 ditësh të përgatis listën detale të importit të barnave dhe produkteve medicinale që nuk janë objekt i marketingut.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors