Kryeministri Thaçi priti ambasadorin e përkohshëm të Francës në Kosovë, Xavier Deniau dhe ambasadorin e ri të Mbretërisë së Belgjikës, Alain Van Gucht


Image


Image

Prishtinë,  13 tetor 2009
 
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot në një takim  z. Xavier Deniau, i cili do të shërbej si ambasador i përkohshëm i Francës në Kosovë.

Fillimisht, kryeministri Thaçi i ka dëshiruar mirëseardhje në Kosovë ambasadorit Deniau, duke i premtuar bashkëpunimin e plotë dhe të pa rezervë të Qeverisë së Republikës së Kosovës.  Z. Thaçi ka falënderuar qeverinë dhe popullin e Francës për përkrahjen dhe mbështetjen për Kosovën.
 
Ambasadori Xavier Deniau gjatë takimit u shpreh i impresionuar nga zhvillimet pozitive dhe progresi i shënuar në Kosovë, që nga hera e fundit që ishte këtu.
Z.Deniau posaçërisht u interesuar për procesin e decentralizimit për të cilin tha se vendi i tij, Franca por edhe BE-ja presin një përfundim të suksesshëm dhe zbatimin e plotë të procesit sipas Planit Ahtisaari. 

Ambasadori Xavier Deniau deklaroi se Franca është duke punuar shumë me miqtë e saj  në drejtim të sigurimit të njohjeve të reja për Kosovën.

Kryeministri Thaçi dhe ambasadori Deniau janë pajtuar për thellimin e bashkëpunimit të ngushtë dhe marrëdhënieve të mira midis Kosovës dhe Francës.

Po sot, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur në takim njohës, ambasadorin e ri të Mbretërisë se Belgjikës në Republikën e Kosovës, Alain Van Gucht.

Kryeministri Hashim Thaçi ka shprehur mirëseardhjen për ambasadorin e ri të Mbretërisë së Belgjikës, z. Alain Van Gucht, dhe ka premtuar se do të vazhdojë bashkëpunimin dhe thellimin e marrëdhënieve miqësore bilaterale në mes të Mbretërisë së Belgjikës dhe Republikës së Kosovës.

Në takim, kryeministri Thaçi ka shprehur falënderimin për mbështetjen e vazhdueshme Belgjikës për Kosovën dhe për njohjen e pavarësisë  sa saj. Z.Thaçi ka njoftuar ambasadorin belg me arritjet në konsolidimin e institucioneve të shtetit të ri të Kosovës dhe për konsolidimin e demokracisë në Kosovë. Në këtë kontekst, kryeministri Thaçi ka theksuar përgatitjet që janë duke u bërë për zhvillimin me sukses të zgjedhjeve të para te lira dhe demokratike ne Kosovën e pavarur.

Ambasadori i Mbretërisë së Belgjikës, Alain Van Gucht është shprehur se ndihet shume i mirëpritur në Kosovë.

Belgjika do të vazhdoje të mbështesë Kosovën në asistencë bilaterale dhe me pjesëmarrjen substanciale në misionin e Bashkimit Evropian, EULEX, si dhe me kontingjentin ushtarak në kuadër të KFOR-it.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors