Prishtinë, 10 gusht 2009
Kryeministri Hashim Thaçi në hapjen e mbledhjes së 77-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ka përgëzuar kabinetin qeveritar për punën e suksesshme dhe të përgjegjshme e cila është pasqyruar edhe nga Auditori Gjeneral, të cilit kryeministri i ka premtuar mbështetjen e plotë dhe bashkëpunimin e ngushtë. Në të njëjtën kohë z. Thaçi ka kërkuar nga ministrat që të respektohen të gjitha rekomandimet e natyrës administrativo teknike të Auditorit dhe ka kërkuar transparencë dhe llogari për çdo cent të shpenzuar të buxhetit të konsoliduar të Kosovës.
“Rezultat i kësaj punë të mirë janë edhe vlerësimet më të larta nga institucionet ndërkombëtare dhe opinionet e qytetarëve për rritjen e besimit tek Qeveria e Republikës së Kosovës”, ka thënë z. Thaçi.
Në vazhdim Qeveria ka miratuar Raportin gjashtëmujor të Buxhetit për vitin 2009. Sipas zëvendësministrit të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, Bedri Hamza për këtë periudhë ka rritje të të hyrave në raport me vitin paraprak. Të hyrat gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2009 janë 420 milion euro dhe paraqesin 44 për qind të të hyrave të gjithëmbarshme të planifikuara. Sipas strukturës të hyrat nga doganat janë 271 milion, nga Administrata Tatimore e Kosovës 97 milionë, të hyrat vetanake të komunave janë 20 milionë euro.
Qeveria me qëllim të rritjes së transparencës për qasje në dokumente zyrtare ka vendosur të rifreskojë Komisionin ndërinstitucional për vlerësimin e praktikave administrative në fushën e dokumenteve zyrtare. Ky komision do të rrisë mundësinë e qytetarëve dhe medieve për qasje në dokumente zyrtare.
Po sot është miratuar Plani i Veprimit për Reformën e Administratës Publike dhe vendimi për themelimin e Njësisë për Planifikim Strategjik.
Në mbledhjen e sotme, qeveria ka miratuar Projektligjin për Turizmin dhe Shërbimet turistike.
Qeveria në mbledhjen e sotme është informuar nga ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj lidhur me shpalljen e ofertës së shprehjes së interesit për Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.
Sipas z. Limaj kohëzgjatja e kontratës është për 20 vjet. Investimet janë 85 milionë euro. Në bazë të projektit do të ndërtohet terminal i ri 25 mijë metra katror, kulla e re e kontrollit dhe ambientit përcjellës.
ANP planifikohet të ndërtohet me kapacitet prej 2.5 milionë pasagjerë në vit. Benefitet e Kosovës për këto 20 vite do të jenë 400.3 milionë euro.
Oferta është publikuar në mediet lokale dhe ndërkombëtare relevante. “Planifikojmë që në dhjetor të jemi të gatshëm për të nënshkruar koncesionin e parë”, theksoi ministri Fatmir Limaj.
Kryeministri Thaçi ka përshëndetur koncesionimin e ANP-së dhe ka siguruar të gjithë ofertuesit se i gjithë procesi do të jetë plotësisht transparent. “Do të kemi një proces i cili do të rezultojë me një aeroport shumë modern dhe shumë profitabil. ANP do të jetë model për rajonin tonë”, është shprehur z. Thaçi.
Qeveria sot ka marr vendim për blerjen e objekteve për katër ambasadat e Republikës së Kosovës në Uashington, Londër, Bruksel dhe Paris.
Qeveria ka ndarë 120 mijë euro për kompensimin e dëmeve që janë bërë në bujqësi në Komunën e Therandës. Ndërsa 20 mijë euro janë ndarë për meremetimin e shtëpive të familjeve Ahmeti dhe Aliu nga Suhodolli i Mitrovicës.
