Fjala e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në paraqitjen e sontme publike, pas zhvillimeve të fundit në veriun e vendit
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të medieve,
Dua që t’ju drejtohem përsëri pas zhvillimeve të reja në veriun e Kosovës.
Siç edhe jeni në dijeni pas përfundimit me sukses të operacionit të njësive special të policisë së Republikës së Kosovës në veri të vendit, ato aktualisht janë tërhequr dhe policia e rregullt kufitare dhe doganierët e Republikës së Kosovës janë vendosur në pikën 1 dhe 31.
Aty ishin vendosur policia kufitare dhe doganierët e Republikës së Kosovës për të zbatuar në përpikëri vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për reciprocitet mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë.
Fatkeqësisht, në orët e pasdites, një grup i organizuar kriminal i udhëhequr nga liderët e strukturave paralele serbe dhe e motivuara nga autoritetet e Beogradit, kanë sulmuar fillimisht pikën 1, e më pas atë 31.
Këto veprime të dhunshme janë urdhëruar, koordinuar dhe udhëhequra nga strukturat me të larta politike të qeverisë së Serbisë. Djegia e pikës 1 është bërë prej njerëzve me maska por gjithçka është e qartë. Pas kësaj djegie qëndron Beogradi, politika e Beogradit.
Kjo është vërtetë për të ardhur keq, në këtë kohë të zhvillimeve bashkëkohore dhe integrimeve euro atlantike.
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës
Derisa në këto momente po ju drejtohem, Forcat e KFOR-it dhe Policia e Kosovës janë duke bërë përpjekje me gjitha forcat dhe potencialin që posedojnë, duke respektuar autoritetin kushtetues dhe ligjor të Kosovës dhe autoritetin nga mandati e KFOR-it për të mbajtur nën kontroll pikën 31 dhe për të rikthyer prezencën në pikën 1.
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Ju siguroj dhe garantoj se nuk do të këtë asnjë kompromis.
Reciprociteti mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë do të instalohet.
Aktualisht kemi vështirësi dhe ballafaqime në këto momente kur po ju drejtohem, por nuk do të tërhiqemi, nuk do të ketë kthim prapa në asnjë rrethanë dhe me asnjë çmim. Kjo është toka jonë, është vendi ynë, kjo është e drejta jonë kushtetuese dhe ligjore.
Para së gjithash, të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës të gjitha komuniteteve, Kosova është atdheu i të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Dua t’ju drejtohem, juve qytetarëve të dashur, dhe t’ju bëjë apel që ta ruani qetësinë dhe të kenë besim të plotë tek institucionet legjitime të Republikës së Kosovës dhe në KFOR-in i cili është në mbështetje e përpjekjeve të tona për ruajtjen e rendit, qetësisë dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.
Pra, keni besim të plotë te institucionet e shtetit të Kosovës dhe tek autoritetet e NATO-s. Kemi bashkëpunim të shkëlqyeshëm dhe nuk do të bëhet kompromis me njerëzit vandalë dhe të dhunshëm. Ne nuk jemi në aktivitet se kush do të bëjë më tepër vandalizëm. Aktiviteti ynë është për vlerat e rendit, qetësisë, paqes, stabilitetit, integrimit euro atlantik.
Në asnjë rrethanë nuk do të fitojë kriminaliteti dhe vandalizmi mbi vlerat tona evropiane.
Dua t’ju siguroj se nuk do të ketë kthim prapa dhe skenari i Serbisë për ndarjen e veriut të Kosovës nuk do të ndodhë kurrë dhe me asnjë rrethanë. Kurrë më të vendosur këto 12 vite të fundit nuk kemi qenë dhe gjithë bota ndërkombëtare është e mirëkuptueshme në qasjen tonë të vendosur.
Ruajtja e qetësisë, sigurisë dhe tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës është detyra jonë parësore, kushtetuese dhe ligjore.
Për këto parime nuk do të ketë në asnjë rrethanë dhe në asnjë çmim kompromis.
Është e qartë se turmat e dhunshme kriminale, të motivuara dhe financuara nga autoritetet e Beogradit po synojnë ta sfidojnë integritetin tonë.
Me veprimet e sotme edhe një herë, definitivisht është demaskuar publikisht politika e Beogradit ndaj Kosovës. Politika e antivlerave, politika e motivimit të dhunës, e motivimit të vandalizmit.
Por, ne si institucionet e shtetit të Kosovës dhe KFOR-i nuk do të sfidohemi.
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Ju ftoj që ta ruani qetësinë dhe të keni besim tek institucionet e shtetit të Kosovës. Ne do të shfrytëzojmë të gjithë kapacitetin tonë kushtetues dhe ligjor.
Prandaj, ata që duan incidente, në asnjë rrethanë mos i lejoni ta realizojnë një gjë të tillë. Ne do të fitojmë me qetësi dhe me të drejtën tonë kushtetuese ligjore dhe bashkëpunimin e ngushtë me KFOR-in.
E drejta është në anën tonë. Angazhimi ynë nuk është i drejtuar kundër askujt, është në interesin e të gjithëve, për rende, rregull, ligj, stabilitet, bashkëjetesë për Kosovën e re, demokratike dhe multietnike.
Ju garantojmë që do ta kthejmë rendin dhe ligjin.
Keni besim në ne.
Ruani qetësinë.
Ne në asnjë rrethanë nuk do të zmbrapsemi. Nuk do të kemi asnjë milimetër kthim prapa.
Për Kosovën do të këtë vetëm ecje përpara.
Nuk do të ketë rikthim të gjendjes së status–quos, madje as të gjendjes së para dy ditëve.
Ky është momenti i së vërtetës për Kosovën, momenti i ecjes përpara, momenti për vënien e ligjit dhe rregullit pas 12 vitesh, ky është momenti i unitetit politik dhe qytetar, kërkohet solidaritet dhe kërkohet besim tek institucionet e shtetit.
Vendimi për instalimin e rendit edhe në veri të vendit nuk është aksidental, është vendim i studiuar mirë, i menduar mirë, me plan dhe do të realizohet në përpikëri për të respektuar plotësisht vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, vendim ky i shtetit sovran për reciprocitet mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë.
Ne punojmë për hapjen e kufijve, për kufij evropian, por në asnjë rrethanë nuk do të tolerojmë cenim të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës.
E theksoj, kemi vështirësi aktualisht në këto momente kur po flasim edhe ballafaqime, por do të kemi sukses bashkërisht.
Prandaj, edhe një herë ruajeni qetësinë, keni besim tek institucionet e shtetit të Kosovës.
Ndihmesa më e madhe në këto momente që mund të bëhet vandalëve që janë duke sulmuar edhe Policinë e Kosovës, edhe KFOR-in është nëse ndodhë ndonjë incident ndëretnik.
Prandaj, ndihma më e madhe në këto momente për institucionet e shtetit të Kosovës është besimi juaj tek institucionet e shtetit të Kosovës dhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Kemi institucionet të zgjedhura dhe legjitime, që i kanë marrë vendime të rënda por të drejta e që do të realizohen në praktikë.
Ju faleminderit shumë për besimin tuaj!