Kryeministri Thaçi: Ndërtimi i burgut të sigurisë së lartë paraqet projektin kapital të radhës dhe i kontribuon drejtpërdrejt sundimit të ligjit në Kosovë

Prishtinë, 20 korrik 2011

Kryeministri i  Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka marrë pjesë sot në ceremoninë e vënies së gurthemelit për ndërtimin e burgut të sigurisë së lartë në Gerdofc të Komunës së Podujevës. 

Ky projekt do të realizohet i bashkëfinancuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Komisioni Evropian, kurse 19 hektar tokë janë ndarë nga Komuna e Podujevës. 

Në vazhdim po e japim fjalën e kryeministrit Hashim Thaçi:

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian,
Të nderuar mysafirë dhe pjesëmarrës,

Më lejoni që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës t’ju përshëndes dhe t’ju uroj mirëseardhje në këtë ngjarje të veçantë dhe të rëndësishme për zhvillimin dhe avancimin e sistemit të drejtësisë dhe sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës mbi vete ka pasur dhe ka barrën e reformimit dhe kompletimit të të gjitha segmenteve të nevojshme të funksionimit të shtetit. Prandaj, jam plotësisht i vetëdijshëm për nevojën e një transformimi  të vazhdueshëm dhe të mirëfilltë  të sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Vënia gurë-themelit për fillimin e ndërtimit të burgut të sigurisë së lartë paraqet projektin kapital të radhës, i cili ka rëndësi të veçantë dhe i shërben një transformimi të tillë.

Ky projekt, i cili radhitet fill pas projektit të filluar muajin e kaluar për ndërtimin e Pallatit të Drejtësisë, paraqet vazhdimin e përkushtimit tonë në fuqizimin të sundimit të ligjit, shtetit të së drejtës, institucioneve demokratike dhe hap në rrugën e pandalshme drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Bashkëfinancimi i këtij projekti nga Qeveria e Kosovës dhe Komisionit Evropian paraqet formën më të mire të harmonizimit të prioriteteve të Qeverisë me kërkesat e integrimit evropian dhe koordinimit me Instrumentin e Para-anëtarësimit për Republikën e Kosovës.

Ndërtimi i këtij objekti i kontribuon drejtpërdrejt fuqizimit të kapaciteteve dhe infrastrukturës të sundimit të ligjit në Kosovë.

Ky projekt ju mundëson të burgosurve të shfrytëzojnë masat e nevojshme për përmirësimin e tyre dhe ri-integrimin në jetën ekonomiko-shoqërore.

Ky investim do të ndikoj në shkarkimin e institucioneve tjera korrektuese në Kosovë gjë që ndikon në ngritjen e efikasitetit dhe në përmbushjen e detyrave të tyre.

Me këto investime krijojmë kushte të përshtatshme për të gjithë personelin e shërbimit korrektues  të cilët i shërbejnë vendit të tyre gjatë ushtrimit të këtij profesioni të veçantë. 

Zonja dhe zotërinj

Vazhdimi i dhënies së ndihmës nga ana e Komisionit Evropian në shumë projekte, paraqet treguesin më të mirë të marrëdhënieve tona të shkëlqyeshme me BE-në.

Gjithashtu, kjo paraqet seriozitetin e të dyja palëve në avancimin e proceseve integruese, zhvillimin ekonomik të vendit dhe ngritjes së cilësisë së jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Ky është një angazhim në listën e gjatë të angazhimeve që Qeveria planifikon të realizoj ndërsa përkushtimi ynë në arritjen e objektivave tona është dhe do të jetë i vazhdueshëm.

Ju faleminderit. 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors