Kryeministri Thaçi: Me asnjë çmim, me asnjë kusht ne nuk do të negociojmë të drejtën tonë për të ekzistuar si shtet


Image

Prishtinë, 16 nëntor 2012

Në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Rregulloren për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive, si dhe në përputhje me Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i është drejtuar sot deputetëve para Kuvendit të Republikës së Kosovës lidhur me takimin e dytë të zhvilluar në Bruksel me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, të ndërmjetësuar nga Përfaqësuesja për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, baronesha Catherine Ashton.

Në vazhdim gjeni të plotë fjalën e kryeministrit Thaçi në Kuvendin e Kosovës

Të nderuar Deputet,

Të nderuar qytetar të Kosovës,

Zonja e zotërinj,

Ashtu siç jeni në dijeni, javën e kaluar  7 nëntor në Bruksel u mbajt takimi i dytë i radhës në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.

Ky dialog është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe Rezolutën e miratuar në Kuvend për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve tona.

Me lejoni të theksoj se ky proces është tepër i rëndësishëm dhe është mundësia dhe rruga e vetme që mundëson normalizim të marrëdhënieve ndër-shtetërore dhe rrjedhimisht edhe njohjen e Kosovës nga Serbia në një fazë të më vonshme.

Në takimin e dytë, kemi shënuar progres konkret sidomos në çështjen e zbatimit në praktikë të marrëveshjes teknike për Menaxhimin e Integruar të Kufirit.

Tani më lejoni që në detaje të ju informoj për të gjitha çështjet që janë diskutuar në takimin e dytë.

Si pikë të parë, përsëri dhe si çdoherë kam ngritur çështjen e personave të zhdukur që vazhdon të mbetet një problem shumë i dhimbshëm jo vetëm për familjarët e personave të zhdukur, mirëpo edhe për tërë shoqërinë tonë.

Kjo çështje është diskutuar edhe në dy takimet e para, është ngritur nga ana ime, dhe do të vazhdoj të ngris këtë çështje derisa të përmbyllet ky proces, gjithmonë me mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me një presion që mund t’i bëhet autoriteteve të Beogradit që kjo çështje të zgjidhjet njëherë e përgjithmonë.

Jemi pajtuar që kjo është një çështje humane dhe shumë e dhimbshme e cila duhet të zgjidhet patjetër dhe sa më shpejt.

Për këtë qëllim, ne jemi pajtuar që të intensifikohen takimet e grupeve punuese të ndërsjella për gjetjen dhe zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

Unë më këtë rast, kam kërkuar nga Komisioni Qeveritar i Republikës së Kosovës që të jetë në krye të detyrave dhe obligimeve dhe të bëjnë gjithë çfarë është e mundur që të jenë më efikas në punën e tyre.

Unë jam i përkushtuar që të mos kursej asgjë nga potenciali ynë, qoftë njerëzor apo financiar që fati i personave të zhdukur të zbardhet njëherë e përgjithmonë.

Kam kërkuar dhe udhëzuar të gjitha agjencitë shtetërore të Republikës së Kosovës, që të bëjnë të pamundurën që të arrijnë rezultate në këtë mision njerëzor dhe shtetëror.

Çështja e dytë e diskutuar ndërlidhet me zbatimin në praktikë të marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit.

Lidhur më këtë çështje, ne jemi pajtuar që zbatimi në praktikë i IBM të filloj në muajin dhjetor, dhe atë në katër vendkalime kufitare: Bërnjak, Jarinjë, Merdarë dhe tek pika kufitare Dheu i Bardhë.

Ndërsa, sa i përket dy pikave kufitare tjera, asaj të Mutivodës dhe të Muçibabës, zbatimi i IBM do të filloj në periudhë të më vonshme për shkak se në këto vendkalime kufitare aktualisht nuk ka qarkullim të mallrave, por vetëm të udhëtarëve dhe gjësendeve personale që ata i bartin me vete.

Natyrisht, zbatimi i IBM në këtë fazë do të bëhet në pikat ekzistuese kufitare sipas marrëveshjes së arritur ndërmjet grupeve të ekspertëve.

Në fazën e më vonshme, Bashkimi Evropian është zotuar se do të financoj ndërtimin e vendkalimeve kufitare të përbashkëta për zbatimin sa më efikas të IBM.

Vendkalimet e përhershme të financuara nga BE-ja pritet të ndërtohen në Zonë Neutrale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Lidhur më këtë çështje, më lejoni të sqaroj edhe një element që ndërlidhet drejtpërdrejt me rolin e EULEX-it në këto pika kufitare.

Unë me përgjegjësi të plotë e theksoj dhe e bëj të qartë për ju dhe për opinionin publik,  se EULEX-i do të ushtroj funksionet e tij në përputhje me Mandatin e dhënë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në mënyrë të njëjtë në të gjitha pikat kufitare.

Pra e theksoj, roli i EULEX-it në pikat kufitare në Veri të vendit, do të jetë krejtësisht i njëjtë me rolin e EULEX-it në pikat tjera kufitare, qofshin ato në jug, perëndim apo lindje.

Pra, EULEX ka një mandat të vetëm dhe atë mandat do ta zbatoj njësoj në gjithë Kosovën ashtu siç jemi pajtuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Çështja e tretë e rëndësishme që është adresuar në takimin e dytë ndërlidhet me nevojën e hapjes së Zyrave Ndërlidhëse ndërmjet dy shteteve.

Duhet ta pranojmë faktin se Serbia ende nuk e njohur shtetin e Kosovës ,mirëpo ne jemi të bindur se procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore shpie drejt këtij përfundimi logjik- pra të njohjes së Kosovës, njohjes reciproke që do të mund të ndodhë.

Pavarësisht këtij fakti, për shkak të nevojave të shumta që kanë qytetarët e Kosovës dhe qytetarët e Serbisë, dhe më qëllim të krijimit të kanaleve zyrtare të komunikimit ndër-shtetëror për të adresuar problemet e ndryshme, është shumë logjike dhe praktike që Republika e Kosovës të hap Zyrën Ndërlidhëse në Beograd dhe të njëjtën gjë ta bëj edhe Serbia në Prishtinë.

Unë mendoj se hapja e Zyrave Ndërlidhëse të cilat do të ofronin edhe shërbime për pajisje të qytetareve me dokumente udhëtime, dokumente të gjëndrës civile, pastaj promovim të investimeve dhe bashkëpunimit ekonomik, do të ishte shumë e rëndësishme.

Sa i përket kësaj çështje, Serbia ende ka rezervat e saj sepse e kupton qartë se një hap i tillë, është edhe një hap më shumë drejt njohjes së Kosovës.

Unë shpresoj se progres konkret lidhur më këtë çështje do të bëhet në takimin e radhës sepse edhe kjo çështje radhitet në kushtet e vëna Serbisë nga BE-ja dhe shtetet anëtare të saj.

Çështja e katërt që është diskutuar në takimin e dytë, ndërlidhet me domosdoshmërinë e transparencës së Serbisë për financimin e sektorëve të ndryshëm në Kosovë, e në theks të veçantë, financimin e strukturave paralele të sigurisë në veri të vendit.

Ju e dini se ndalimi i financimit dhe zhbërja e strukturave ilegale të sigurisë  të Serbisë që funksionojnë ende në veri të vendit, është çështja kryesore dhe më e rëndësishme që ndërlidhet me këtë proces.

Për më tepër, ky është kushti kyç që duhet të përmbush Serbia në raport me Bashkimin Evropian për të bërë progres drejt anëtarësimit në Bashkim Evropian.

Ndërsa, tashmë është e qartë se Serbia nuk do të mund bëj progres drejt anëtarësimit në Bashkim Evropian pa i plotësuar të gjitha kushtet e vëna në raport me Kosovën.

Pra, pa u sill në mënyrë evropiane edhe me Republikën e Kosovës.

Për më tepër, Serbia nuk do të mund të bëhet anëtarë i BE-së pa e njohur Republikën e Kosovës.

Ne nuk e mohojmë të drejtën legjitime të Serbisë për t’u interesuar për komunitetin serb që jeton në Kosovë.

Poashtu, ne nuk e mohojmë të drejtën e Serbisë për ta ndihmuar në forma të ndryshme, qoftë edhe përmes ndihmave financiare komunitetin serb që jeton në Kosovë.

Për këtë qëllim, kjo gjë është adresuar shumë qartë edhe me dokumentin e Ahtisarit dhe janë përcaktuar dhe format se si mund të behët një gjë e tillë. Kjo do të respektohet në plotëni.

Pra, ne mendojmë se Serbia mund të vazhdoj financimin e saj për komunitetin serb që jeton në Kosovë, por këtë duhet ta bëj në mënyrë transparente dhe ndihma financiare duhet të kaloj përmes Buxhetit të Kosovës e nga aty të shpërndahet tek komunat me shumicë serbe, siç e parasheh dokumenti Ahtissari.

Çështja e pestë që është diskutuar në këtë takim ndërlidhet me masat për ruajtjen e trashëgimisë religjioze dhe kulturore serbe në Kosovë.

Në këtë aspekt, ne jemi të vetëdijshëm për suksesin e konsideruar që kemi arritur bashkërisht dhe gjendja është përmirësuar shumë.

Mirëpo komuniteti serb ende ka shqetësimet e veta e që kryesisht ndërlidhen me mbrojtën fizike të kishave, manastireve dhe objekteve tjera të rëndësishme.

Për të ofruar siguri shtesë, unë kam propozuar krijimin e një njësie të veçantë në kuadër të Policisë së Kosovës e cila do të merret me ruajtjen e këtyre objekteve të trashëgimisë fetare dhe kulturore.

Policia e Kosovës, si polici më profesionale në rajon dhe multikulturore, tashmë ka marr në mbrojtje nga KFOR-ri disa nga këto objekte dhe do të ishte shumë pozitive që ta bëj një gjë të tillë edhe me objektet që ende sigurohen nga KFOR-i.

Policia e Kosovës është multietnike dhe shumë profesionale në përmbushjen e mandatit të saj të përcaktuar me ligj.

Prandaj nuk kam dyshim në gatishmërinë dhe profesionalizimin e policisë së Kosovës për t’i ruajtur këto objekte që fundja janë pjesë edhe e trashëgimisë së përgjithshme të Kosovës.

Çështja e gjashtë e diskutuar ka të bëjë me ndërtimin e një projekti të përbashkët infrastrukturor i cili do të financohej nga Bashkimi Evropian.

Fjala është për idenë tonë, për ndërtimin e autostradës Prishtinë- Merdare- Nish apo Prishtinë-Mutivodë-Leskovc.

Komisioni Evropian mund të konfirmoj se tashmë ka pranuar që të financojë studimin e fizibilitetit për ndërtimin e kësaj autostrade.

Ndërtimi i kësaj autostrade do t’i hapte edhe një portë Kosovës për tu lidhur me korridorin evropian.

Të nderuar deputet, të nderuar të pranishëm,

Takimi i radhës pritet të ndodhë në muajin e ardhshëm.

Dua ta përsëris edhe një herë.

Me asnjë çmim, me asnjë kusht ne nuk do të negociojmë të drejtën tonë për të ekzistuar si shtet.

Të drejtën tonë për të ekzistuar si anëtarë i familjes evropiane.

Pavarësia e Kosovës është vetëm vullneti ynë, nuk është vetëm realitet juridik në Kosovë.

Pavarësia e Kosovës është fakt ndërkombëtar. Poashtu dua t’iu siguroj që tërësia territoriale e Kosovës është e pacenueshme dhe e njohur ndërkombëtarisht. Nuk është, nuk ka qenë dhe nuk do të jetë në tryezë për diskutime.

Të gjithë janë të vetëdijshëm që ndryshimi i kufijve do të hapte kutinë e Pandorës dhe do të prodhonte sërish konflikte dhe luftëra në Ballkan.

Tashmë, edhe Bashkimi Evropian çdo ditë e më shumë është duke u artikuluar qartë për këtë çështje, duke ia bërë me dije Serbisë që ëndrrat e sajë për ndarje do të mbesin ëndrra të parealizueshme.

Unë e di shumë mirë që Serbia nuk është një fqinjë i rëndomtë i Kosovës.

Kemi pas vetes shekuj luftërash dhe konfliktesh.  Mijëra të vrarë… Mijëra të zhdukur.. .Miliona plagë.

Po ne e kemi për obligim që fëmijëve tanë t’u lëmë trashëgimi jo vetëm një Kosovë të pavarur dhe sovrane, por edhe një Kosovë në paqe me fqinjët e saj, të integruar në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Ne e kemi për detyrë që të punojmë që e kaluara të mos përsëritet kurrë, të punojmë shumë për të ardhmen.

Faleminderit për vëmendjen tuaj!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors