Pak minuta pasi Grupi Ndërkombëtar Drejtues i dha fund mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga përfaqësuesi civil në Kosovë, Pieter Feith, mbajtën konferencë për media.
Më poshtë, po ju sjellim të plotë deklaratën e kryeministrit Thaçi.
Dëshiroj që në emrin tim personal, të Qeverisë së Kosovës dhe të institucioneve të Kosovës, t’iu falënderoj për punën që e kemi bërë bashkërisht. Tani erdhi momenti që ta deklarojmë përmbylljen e pavarësisë edhe publikisht. Pak minuta më parë, Grupi Drejtues Ndërkombëtar i dha mbështetje të plotë vendosmërisë së institucioneve të Kosovës në bashkëpunim me ICO-në për përmbylljen me sukses të mbikëqyrjes së pavarësisë.
Ky është një moment i rëndësishëm, i suksesit dhe i kthesës historike për shtetin e Kosovës, i cili po konsolidohet dhe forcohet gjithnjë e më tepër.
Tani kemi fituar mbi 90 njohje, jemi pjesë e Bankës Botërore dhe Fondit Ndërkombëtar, kemi agjendë të qartë evropiane.
Pra sot, po e përmbyllim një kapitull, kapitullin e mbikëqyrjes së pavarësisë.
Ky është një besim ndërkombëtar për shtetin e Kosovës, është vlerësim i gjithë botës demokratike, është dëshmi se shteti i Kosovës po respektohet nga bota demokratike.
Kosova, nga ana tjetër ka implementuar në tërësi dokumentin e presidentit Ahtisaari, në bashkëpunim të ngushtë me ICO-në, për çfarë e falënderoj sërish zotin Pieter Feith për bashkëpunimin e treguar në këtë drejtim.
Natyrisht se mbesin sfida të reja, që Kosova do të përballet, sfida e integrimit të serbëve në veri, vazhdimi i qeverisjes së mirë, i sundimit të ligjit, e agjendës konkrete evropiane për Studimin e Fizbilitetit dhe Marrëveshjen për Stabilizim-Asocim, për liberalizimin e vizave.
Edhe njëherë, ju falënderoj edhe juve gazetarëve që këto katër vite e gjysmë kemi qenë së bashku, në ngjarje të rëndësishme, në momente të rëndësishme, në momentet e nxjerrjes së vendimeve jo edhe të lehta.
Ne po ndërtojmë Kosovën demokratike, Kosovën shumetnike, Kosovën si atdhe i të gjithë qytetarëve të saj, prandaj gjithë miqtë që e kanë mbështetur lirinë, jam i bindur se do të ndihen krenar me ndërtimin e shtetit të Kosovës një shtet funksional dhe evropian.
Si evropianët më të rinj, vizionin e kemi të qartë, anëtarësimin në NATO dhe Bashkim Evropian.
Dhe natyrisht relacione të përjetshme dhe speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe në fqinjësi të mirë me të gjithë fqinjët. Do të punojmë edhe për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, si parakusht i domosdoshëm për paqen, stabilitetin, dhe perspektivën evropiane të gjithë rajonit.
Tani na mbetet për të punuar më tepër, për zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të reja të punës, rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve dhe thellimin e reformave demokratike perëndimore të domosdoshme për suksesin tonë.
Sot jemi me më tepër shpresë, optimizëm dhe besim për të ardhmen.
Ju faleminderit dhe ju përgëzoj edhe njëherë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, dhe falënderoj gjithë miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë.
***
Nga ana e tij, përfaqësuesi civil ndërkombëtar Pieter Feith, deklaroi se Grupi Drejtues Ndërkombëtar ka vënë re me kënaqësi të madhe se Qeveria ka kaluar nëpërmjet Kuvendit ndryshimet kushtetuese të nevojshme për zbatimin e Pakos së Ahtisaarit.
Poashtu, z.Faith theksoi se GND-ja ka vënë re se Qeveria gjatë muajve të kaluar ka ndërmarrë një numër vendimesh të rëndësishme, përfshirë këtu emërimin e komisionarit për gjuhë, dhe drejtorit për kanalin në gjuhën serbe të Radio Televizionit të Kosovës.
Këto hapa janë të rëndësishëm drejt rrugëtimit evropian të Kosovës, theksoi ai, duke shtuar se Kosova do të përfitoj gjithmonë nga miqësia e Bashkimit Evropian dhe nga Shtetet e Bashkuara të Kosovës.