Prishtinë 21 korrik 2011
Në vazhdim po e japim të plotë fjalën e hapjes së kryeministrit Hashim Thaçi në këtë takim.
Të nderuar zëvendëskryeministra,
Të nderuar ministra,
Të nderuar pjesëmarrës,
Ju dëshiroj mirëseardhje në takimin e Shtatë të Këshillit Ministror për Integrim Evropian.
Më 12 tetor Komisioni Evropian do të publikon Raportin e Progresit për Kosovën për vitin 2011. Raporti do të identifikon sukseset dhe sfidat e institucioneve në përmbushjen e standardeve të Bashkimit Evropian. Deri më 12 tetor na ndajnë edhe më pak se tre (3) muaj, gjatë kësaj kohe institucionet e Republikës së Kosovës duhet të konsolidojnë çdo resurs të disponueshëm më qëllim të adresimit të gjitha sfidave të identifikuara në partneritet më Komisionin Evropian.
Dëshiroj të theksoj besimin e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe qytetareve të Kosovës në perspektivën Evropiane të vendit tonë dhe tërë rajonit. Qeveria e Kosovës është vetëdijshme se kjo perspektivë është imperativ për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të vendit dhe përmirësim të jetës të qytetarëve të Kosovës.
Qeveria e Kosovës është plotësisht e angazhuar në intensifikimin e dinamikës së procesit të integrimit dhe e gatshme të marr përsipër përgjegjësitë e saja për zbatimin e agjendës Evropiane.
Në këtë kontekst gjatë vitit 2011, përkundër zbrazëtirës institucionale të shkaktuar si pasojë e proceseve politike, të gjithë kemi qenë dëshmitarë të një pune të madhe drejt zbatimit të reformave Evropiane në fushat kyçe të qeverisjes.
Në fushën e liberalizimit të vizave, Qeveria në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin Evropian ka ndërmarr të gjitha hapat e nevojshëm me qëllim të përmbushjes së kritereve për marrjen e strategjisë për liberalizimin e vizave. Nën koordinimin e Ministrisë së Integrimit Evropian dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, korniza legjislative është kompletuar, politikat implementuese janë vendosur dhe janë ndarë 3.5 milion Euro për të përkrahur këtë proces. Së fundi jemi dëshmitarë të dinamizimit të procesit të ri-integrimit të personave të riatdhesuar edhe në nivelin lokal.
Në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin Evropian jemi duke punuar drejt fuqizimit të marrëdhënieve tregtare ndërmjet Kosovës dhe BE-së. Kemi pranuar sinjale të qarta që Masat Autonome Tregtare për Kosovën do të hyn në fuqi deri në fund të këtij viti. Në periudhën afat-gjate në bashkëpunim me Komisionin Evropian do të fokusojmë resurset tona të përbashkëta në finalizimin e marrëveshjes tregtare ndërmjet Kosovës dhe BE-së.
Progresi është shënuar edhe në finalizimin e Marrëveshjes Kornizë për pjesëmarrjen e Kosovës në Programet Komunitare. Qeveria shpreh konsiderata të larta për progresin që ka shënuar Komisioni Evropian në finalizimin e marrëveshjes kornizë. Njëkohësisht, ftoj të gjitha shtetet anëtare që të procedojnë tani mbi propozimin e Komisionit Evropian dhe ti japin dritë gjelbër qasjes së Kosovës në programet e komunitetit. Qasja e Kosovës në programet e komunitetit do të sjell qytetarët e Kosovës më afër projektit Evropian, do të mbështet arritjen e qëllimeve të përbashkëta Evropiane dhe krijimin e kontakteve të drejtpërdrejta të qytetarëve dhe institucioneve të Bashkimit Evropian dhe të Kosovës.
Zbatimi i agjendës Evropiane ka vazhduar gjatë këtij viti me anë të zbatimit të Planit të Veprimit për Partneritetin Evropian dhe zhvillimin e Dialogut të Procesit të Stabilizim Asociimit . Më 1 korrik është mbajtur takimi plenar i Dialogut të Stabilizim Asociimit më ç;rast është përmbyllur raundi i takimeve sektoriale të DPSA-së 2011.
Në fushën e bashkëpunimit rajonal dhe fqinjësisë së mirë, si një nga fushat kyçe në kuadër të procesit të integrimit Evropian, Qeveria vazhdon të besoj fuqishëm se dialogu i hapur dhe konstruktiv me Serbinë, duke u bazuar në themelet, vlerat dhe frymën e Bashkimit Evropian është rrugë e vetme drejt përmirësimit të jetës së qytetarëve të të dy shteteve fqinje.
Po ashtu, Kosova është në proces të finalizimit të 3 programeve të bashkëpunimit ndër-kufitar më Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë. Këto programe do të fokusohen në zbatimin e projekteve konkrete të cilat do të përmirësojnë jetën e qytetarëve në të dy anët e kufijve.
Të nderuar,
Kosova ka një destinacion dhe një destinacion të vetëm. Ai është Bashkimi Evropian. Perspektiva Evropiane e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian është konfirmuar në vazhdimësi në të gjitha nivelet.
Ne do të vazhdojmë zbatimin e agjendës Evropiane pa lëvizur asnjë milimetër mbrapa në reformimin dhe avancimin e shtetit të Kosovës me një qëllim të vetëm – arritjen e standardeve Evropiane në të gjitha fushat e qeverisjes dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve tonë.
Të nderuar,
Kosova i ka edhe afro tre (3) muaj për të vazhduar progresin në zbatimin e reformave të parapara me agjendën Evropiane.
Rëndësia e miratimit të legjislacionit kornizë është fondamentale, pasi që paraqet parakusht kyç për zhvillimin e reformave.
Në bashkëpunim më Komisionin Evropian kemi identifikuar një listë prej 21 projektligjeve që duhet miratuar deri në publikimin e Raportit të Progresit 2011. Deri më tani Qeveria ka miratuar dhe proceduar në Kuvend pjesën më të madhe të këtyre ligjeve ndërsa, shfrytëzoj rastin të ftoj të gjitha partitë politike që të tejkalojmë ndarjet dhe interesat partiake në fushën e integrimit Evropian dhe së bashku të angazhojmë të gjitha resurset tona me qëllim të miratimit të legjislacionit prioritar.
Puna e palodhshme e institucioneve tona është duke u përkrahur edhe nga ana e partnerëve tonë. Komisioni Evropian në kuadër të Instrumentit të Para Anëtarësimit për vitin 2012, do të mbështet procesin integrues të Kosovës më 70 milion Euro, ndërsa më 203 milion Euro për periudhën 2011 – 2013.
Të nderuar,
Pas çlirimit të Kosovës dhe shpalljes së pavarësisë para vetes kemi prioritetin e ardhshëm numër 1. Qytetarët e Kosovës janë përcaktuar unanimisht për anëtarësimin në Bashkimin Evropian – jo për shkak të vullnetit të Brukselit, Berlinit apo Londrës, por për shkak të vullnetit të Prishtinës, Pejës dhe Mitrovicës. Procesi i integrimit Evropian është dinamikë e brendshme e ndërtimit të vlerave dhe perspektives Evropiane në Kosovë. Është proces i cili nuk ka alternativë.
Ju faleminderit në vëmendje.
