Kryeministri Thaçi ka pritur sot zëvendëskryeministrin, njëherësh edhe ministër i Punëve të Jashtme të Çekisë, Karel Shvarcenberg

Prishtinë, 24 qershor 2011

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot zëvendëskryeministrin, njëherësh edhe ministër i Punëve të Jashtme të Çekisë, Karel Shvarcenberg. Në takim është biseduar për zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon, për perspektivën evropiane të Kosovës dhe për mbështetjen e vazhdueshme që Republika e Çekisë i ka dhënë dhe po i jep shtetit të Kosovës.

Kryeministri Thaçi pasi e ka falënderuar për gjithë angazhimin për avancimin e proceseve integruese të Kosovës, ka kërkuar nga zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Çekisë, Karel Shvarcengerg që Qeveria çeke të ushtrojë ndikimin e vet të rëndësishëm te shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë këtë në një periudhë sa më të afërt.

Në takim është diskutuar edhe për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. Në këtë drejtim, kryeministri Thaçi ka kërkuar mbështetjen e Çekisë që edhe ky proces të përshpejtohet, duke potencuar poashtu përmbushjen e vazhdueshme të obligimeve që kanë institucionet e Kosovës në kuadër të këtij procesi.

Nga ana e tij, zëvendëskryeministri, njëherësh edhe ministër i Punëve të Jashtme të Çekisë, Karel Shvarcenberg falënderoi kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi për pritjen e përzemërt dhe theksoi se Qeveria e Republikës së Çekisë do të vazhdojë të jetë edhe më aktive në funksion të mbështetjes së procesit të integrimit evropian të Kosovës dhe të procesit të njohjeve të reja për Kosovën.

Në këtë kuadër, z. Shvarcenberg njoftoi kryeministrin Thaçi se së shpejti Republika e Çekisë do të marrë kryesimin e Forumit të Vishegradit dhe edhe përmes këtij mekanizmi Çekia do të ushtrojë ndikimin e vet që shtetet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë këtë sa më shpejtë.

Po ashtu, zëvendëskryeministri i Çekisë, z. Shvarcenberg është shprehur me tone shumë optimiste lidhur me  përmbushjen e kritereve nga ana e institucioneve kosovare në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave. Në këtë funksion, z. Shvarcenberg siguroi kryeministrin Thaçi se Qeveria çeke do të afirmojë këto të arritura dhe do të jetë mbështetëse e vazhdueshme e përshpejtimit të procesit të integrimit evropian të Republikës së Kosovës.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors