Shkup, 25 nëntor 2012
Fjalimi i kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hasim Thaçi në manifestimin e shënimit të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, mbajtur në Shkup
I nderuari bashkëluftëtar i imi, dhe i shumë luftëtarëve të Kosovës, i nderuari lider i shqiptarëve në Maqedoni, Ali Ahmeti
I nderuari kryeministër i Shqipërisë, Sali Berisha
Të nderuar politikë,
Bartës të përgjegjësive institucionale në Kosovë, Maqedoni, në Shqipëri, në Mal të Zi, të shqiptarëve në Preshevë
Të nderuara familje të dëshmorëve
E nderuara familje Jashari
Më lejoni që në emrin tim personal, të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të gjithë popullit të Kosovës, t’iu përshëndes të gjithëve këtu që jeni mbledhur në këtë manifestim madhështor, me rastin e 100 vjetorit të Shqipërisë. Urime të gjithëve!
Sot, jemi tubuar këtu në Shkup, për të shënuar 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
Të nderuar të pranishëm
Ju që jeni në sallë dhe të gjithë shqiptarët që e përcjellin këtë manifestim
Më lejoni që në fillim të përkujtoj bashkëluftëtarët e mi, dhe komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Komandant Kumanovën, Naser Hanin dhe shumë e shumë bashkëluftëtarë që ranë në istikamet e luftës që ranë për lirinë e Kosovës dhe lirinë e shqiptarëve në Maqedoni.
Komandant Kumanova ishte shembulli më i mirë se si luftohet, si punohet dhe si bashkohen të gjithë shqiptarët për të luftuar në çdo cep të territorit ku ata jetojnë.
Po do tu mbetesha borxh sikur të mos i përshëndesja luftëtarët e orëve të para për lirinë e Kosovës, duke nisur nga bashkëluftuari im Ali Ahmeti, nga bashkëluftëtarët e mi këtu në Shkup, Kumanovë, Tetovë, Kërçovë, Ohër, Strugë, Dibër, dhe gjitha viset ku jetojnë shqiptarët.
Jemi sonte këtu në Shkup, në kryeqytetin e Vilajetit të Kosovës. Dhe secili prej neve sonte për një moment të gjithë pa dallim duhet të mendojmë, të kujtojmë, ku ishim para vetëm 13 vitesh si shqiptarë: Shqipëria në një tranzicion demokratik, Kosova e pushtuar nga çizmja serbe, shqiptarët në Maqedoni të diskriminuar rëndë, shqiptarët në Preshevë të diskriminuar edhe më rëndë, shqiptarët në Mal të Zi në përpjekje për t’i gëzuar të drejtat e tyre kombëtare.
Por ndodhi mrekullia. Mrekullia që lindi prej vullnetit të qytetarëve shqiptarë kudo që jetonin, ndodhi mrekullia, shpresa optimizmi dhe besimi ynë. Lindi Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe arriti që të largoj njëherë e përgjithmonë Serbinë nga Kosova, dhe sot Kosovën e kemi të pavarur dhe sovrane.
Mrekullia UÇK, është një mrekulli e vullnetit jo vetëm të qytetarëve të Kosovës, por ajo u fuqizua dhe shënojë fitore në mbështetje të plotë të gjithë shqiptarëve kudo që jetonin, në Maqedoni, në Preshevë, në Mal të Zi, nga shteti shqiptarë dhe gjithë diaspora shqiptare kudo që ishin, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Evropën Perëndimore.
UÇK-ja bashkoj shqiptarët për të çliruar Kosovën. Kur u bashkuan shqiptarët për herë të parë, ashtu siç dinë, në një vizion të qartë euroatlantik, atëherë u bashkuan edhe forcat perëndimore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, NATO, dhe arritëm që Kosovën ta bëjmë të lirë dhe të pavarur.
Me lirinë e Kosovës, Shqipëria frymoj edhe më lirshëm, Shqipëria u konsolidua dhe forcohej. Prandaj sot Shqipërinë e kemi në NATO. Urime i nderuari kryeministër.
Me lirinë e Kosovës, u krijuan rrethanat për formimin e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, për të luftuar për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.
Prandaj, përshëndes sonte gjithë veteranët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, gjithë familjet e dëshmorëve, gjithë invalidët, dhe respektin më të lartë për përpjekjen, luftën për liri, që sot e gëzojnë shqiptarët në Maqedoni.
Uroj dhe përgëzoj edhe lidershipin e shqiptarëve në Preshevë, për përpjekjet e tyre madhore për lirinë e tyre. E dimë se duhet bërë edhe më tepër, por e ardhmja i takon shqiptarëve.
Përgëzoj dhe uroj edhe shqiptarët në Mal të Zi, prandaj sot shqiptarët si asnjë komb në rajon, i kanë dy shtete, Shqipërinë dhe Kosovën.
Por, e ardhmja siguron dhe garanton se shqiptarët do të jetojnë vetëm në një hapësirë unike, në një hapësirë integruese, si një komb i vetëm.
Të nderuar të pranishëm
Bashkëkombës të mi
U jam shumë mirënjohës secilit prej juve dhe të gjithë shqiptarëve në Maqedoni.
Kontributi juaj ishte jetik për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Ju ndihmuat edhe duke marrë pjesë drejtpërdrejt në luftën e Kosovës, duke mbështetur luftëtarët e Kosovës, dhe duke strehuar qytetarët e Kosovës, dhatë shembullin më madhështor në solidaritetin tuaj, në momentet ekzistenciale për qytetarët e Kosovës.
Ju faleminderit dhe përulem me respektin më të lartë para jush dhe para familjeve tuaja.
I nderuari bashkëluftëtar i imi dhe lider i shqiptarëve në Maqedoni
I nderuari Ali Ahmeti
Sonte këtu jemi në Shkup, e ritheksoj, jemi në kryeqytetin e Vilajetit të Kosovës.
Të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë, sytë dhe shpirtin e kanë në Shkup.
Në Shkupin e intelektualit të shquar kryengritës, Pjetër Bogdani.
Në vendlindjen e humanistes dhe nobelistes Nënë Tereza.
Jemi në Shkupin e 30 mijë kryengritësve të Hasan Prishtinës, që përgatiti dhe ideoi pavarësinë e Shqipërisë, të cilën e shpalli diplomati, burrështetasi dhe kryeheroi i shqiptarëve, Ismail Qemali, më 28 nëntor 1912.
Për të ardhur deri tek një datë historike, kurorëzimi i Pavarësisë, shqiptarët kishin kaluar nëpër lëvizjen madhe që nga Lidhja e Prizrenit.
Katër vjet para shpalljes së Pavarësisë, elita kulturore shqiptare, në qytetin tjetër në jug të Shkupit, në Manastir përqafoi Alfabetin latin, duke i dhënë vulën civilizimit shqiptar.
Zonja dhe zotërinj,
Të gjitha kryengritjet ishin bërë për të ruajtur tërësinë territoriale të viseve shqiptare.
Por, Shqipëria në fillim të shekullit njëzet ishte pothuajse e vetmuar, e rrethuar me aspiratat pushtuese të shteteve fqinje.
Jashtë Shqipërisë mbetën më shumë se gjysma e trojeve shqiptare.
Jashtë Shqipërisë mbeti Kosova, mbetët ju, mbeti Kosova kampionia e kryengritjeve që krijuan kushtet dhe rrethanat e brendshme për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.
Por, unë i besoj së ardhmes, se ne si komb do të jetojmë në një hapësirë të përbashkët dhe integruese.
Për Kosovën e lirë, për pavarësinë e Shqipërisë, për të drejtat e plota të shqiptarëve të Maqedonisë, u luftua për më tepër se një shekull, në Strugë, Dibër , Kërçovë, Gostivar,Deçan, Zhur , Drenicë dhe anembanë trojeve të rrezikuara.
I nderuari kryetar Ahmeti
Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë 100 vjet përpara ishte ngjarja më e madhe e historisë së kombit shqiptarë në fillim të shekullit njëzet. Shqipëria kaloj nëpër luftëra ballkanike, botërore, nëpër sisteme të ndryshme politike, për të ardhur në 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë.
Gjatë këtij viti, ne kemi shënuar 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë të ngritjes së flamurit shqiptarë, në manifestime të ndryshme anekënd viseve shqiptare.
Kemi kremtuar tek Lidhja Shqiptare në Prizren, së bashku me kryeministrin Berisha dhe Ali Ahmetin, dhe të gjithë liderët politikë shqiptarë.
Kemi kremtuar edhe në Shqipëri, kemi kremtuar edhe dje në Mitrovicë. Prandaj, edhe sot këtu në Shkup, do të kujtojmë me respektin më të lartë jetën dhe veprën e Ismail Qemajlit, kujtojmë jetën dhe veprën e Hasan Prishtinës, kujtojmë jetën dhe veprën e gjithë atyre bashkëluftëtarëve që e dhanë jetën për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë, për lirinë që e gëzojmë ne sot.
I nderuari z. Ahmeti
Sonte, në emër të shtetit të Kosovës, në emër të qytetarëve të Kosovës, përcjell tek ju vullnetin e qytetarëve të Kosovës, që ju të jeni të sigurt, gjithë shqiptarët që jetojnë në Maqedoni dhe Preshevë, se shteti i Kosovës siguron dhe garanton se do të jetë gardiani i të drejtave tuaja.
Sepse ju e ndihmuat Kosovën shumë, na ndanë padrejtësisht. Ne sot po i përmirësojmë padrejtësitë që ndodhën ndaj nesh. Prandaj, unë ju ftoj të gjithëve për një optimizëm më të madh, për shpresë , për besim në të ardhmen.
Shqiptarët kurrë ndonjëherë në historinë e tyre nuk kanë qenë në pozicion më të mirë, më të fuqishëm, dhe do të jenë edhe më të fuqishëm, sepse kanë vendosmëri, kanë guxim, kanë vizion të qartë euroatlantik.
Sot shqiptarët janë faktorët përcaktues të paqes dhe stabilitetit në rajon.
Ky faktor përcaktues ngërthehet drejtpërdrejt në vlerat tona kombëtare dhe euroatlantike.
Më lejoni, që për këto të arritura të shqiptarëve, të falënderoj për mbështetje të fuqishme Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, NATO-n.
Ne duam të punojmë fuqishëm që të kemi fqinjësi të mirë me të gjithë. Prandaj, do të punojmë me këmbëngulësinë më të madhe që ta forcojmë dhe ta konsolidojmë edhe më tepër shtetin e Kosovës.
Sa më e fortë është shteti i Kosovës, aq më të fortë janë shqiptarët kudo në rajon.
Të nderuar shqiptarë
Në momentin kur e shpallja pavarësinë e Kosovës, unë në mendjen time,në shpirtin tim, në emocionet e mia, në ndërdijen time, kisha secilin prej jush. Kisha secilin bashkëluftëtar, secilën familje të dëshmorëve, invalid, veteranë, kisha në ndërdije të kaluarën tonë të lavdishme, por edhe të ardhmen, të ardhmen për fëmijët tanë.
Prandaj, e ardhmja është e jona.
Urime Shqipëri, urime shqiptarë!
Urime e gëzime e lavdi përjetë të gjithë atij kontributi për pavarësinë e Shqipërisë.
Sot ndihem më shumë se kurdoherë krenar që kudo që jetojnë shqiptarët, valon flamuri kuq e zi. Sot shqiptarët festojnë kuq e zi të lirë.
Urime dhe suksese!
