Prishtinë 24 janar 2011
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi takoi sot ish-ministrin britanik për Evropë, Denis MacShane, i cili po qëndron për një vizitë në Kosovë, me të cilin ka biseduar për zhvillimet aktuale në Kosovë.
Në vazhdim po japim deklarimin e kryeministrit Hashim Thaçi, pas takimit me ish-ministrin britanik për Evropë, Denis MacShane
Fillimisht, dua të falënderoj z.MacShane për kontributin e jashtëzakonshëm për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e demokracisë edhe në Kosovës dhe gjithë rajonin.
I jam shumë mirënjohës z.Denis MacShane, qeverisë britanike, për mbështetjen e plotë që i kanë dhënë procesit të lirisë së Kosovës, demokratizimit të saj, bërjes së Kosovës shtet i pavarur, sovran dhe gjithashtu edhe në procesin e sotëm të njohjeve.
Fokusi i institucioneve të Kosovës është ndërtimi i një Kosove demokratike, vend të sundimit të ligjit, të një shoqërie shumetnike.
Kosova si vend i pavarur sot prodhon më shumë paqe, stabilitet, bashkëpunim rajonal dhe frymë euroatlantike dhe në të ardhmen do të jemi pjesë e NATO-s, e Bashkimit Evropian, si një vend i një perspektive të sigurt, demokratike, zhvillimore, mirëqenies sociale, pra, një vend i një modeli perëndimor
Ndërsa, në interesimin e medias lidhur me raportin e Dick Martyt, kryeministri Thaçi rikujtoi se:
I kam dërguar letër Këshillit të Evropës, me një mbështetje të plotë që gjërat të shpifura të prezantuara në raportin e Dick Martyt, të investigohen deri në fund.
I kemi dhënë mbështetje të plotë autoriteteve të EULEX-it. Kosova është shtet ligjor. Ne nuk kemi asgjë për të fshehur, prandaj i besojmë drejtësisë
Në vazhdim po e japim të plotë deklarimin e ish-ministrit britanik për Evropë, Denis MacShane, pas takimit me kryeministrin Thaçi:
Ju faleminderit Kryeministër Thaçi. Është kënaqësi të kthehem në Kosovë. Miqtë e Kosovës në Britani dëshirojnë që shteti të përparon. Zgjedhjet e djeshme shkuan mirë dhe shpresojmë se më në fund pas 11 vjetësh tashmë mund ta lëmë prapa një Kosovë që kishte një pikëpyetje mbi vete. Kosova me synim që të bëhet një vend normal evropian.
Janë tri gjëra që duhet të bëhen:
– Politikanët britanikë, qeveria e re dhe qeveria e kaluar dëshirojnë të shohin se të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian e njohin shtetin e Kosovës dhe dëshirojnë të inkurajojnë investimet normale afariste këtu, një udhëtim normal të turistëve.
– Çështja e dytë është për të gjetur një zgjidhje për mosmarrëveshjet e vazhdueshme me Serbinë për shkak se edhe për Serbinë, rruga për në Bruksel kalon nëpër Prishtinë. Përderisa të ketë një marrëveshje dhe një pranim nga Serbia se Kosova duhet të jetë Kosovë edhe e ardhmja evropiane e Serbisë përmban një pikëpyetje.
– Dhe çështja e tretë është se të gjithë e dëshirojnë një Kosovë të pastër, një Kosovë të ndershme, një ku akuzohet e kaluara e ku nuk akuzohet e ardhmja. Këtë javë do të ketë ca debate në Këshillin e Evropës, por më vjen mirë të shoh, se ndonëse raporti kontrovers është duke tërhequr disa nga akuzat e tij dhe secili mund të kërkojë gjerë e gjatë në histori dhe të gjejë gjëra të cilat nuk i dëshirojnë në një periudhë të një konflikti të madh. Por sot, Kosova ekziston, Kosova ka një qeveri të zgjedhur, Kosova ka njerëz të shkolluar dhe duhet patjetër të ketë një të ardhme të ndritur. Kosova ka shumë më tepër miq se që mund të marrë dikush me mend dhe më vjen shumë mirë që ndodhem sot këtu dhe e di se flas në emër të shumicës së politikanëve në Britani, laburistëve, konservativëve ose liberalëve të cilët ia dëshirojnë të mirën Kosovës!
Ish-ministri britanik për Evropë, Denis MacShane, në konferencën për shtyp në Qeverinë e Kosovës, është shprehur edhe më në detaje për raportin e Dick Martyt:
Kam qenë delegat i Mbretërisë së Bashkuar në Këshillin e Evropës gjatë pesë vjetëve të fundit. Këshilli i Evropës përbëhet nga 450 individë. Secili prej tyre mund të bëjë raportin e vet. Z. Marty nuk e përfaqëson Zvicrën, ai nuk e përfaqëson as Këshillin e Evropës. Ai përfaqëson z. Dick Marty. E kam lexuar raportin me kujdes me një lupë zmadhuese dhe aty nuk kishte asnjë dëshmitar, asnjë pjesë të dëshmisë. Z. Marty është jurist me profesion dhe në atë raport ai vepron 100% si politikan me një ngarkesë të madhe të armiqësisë ndaj Kosovës dhe nëse ju e lexoni raportin ai në të vërtetë argumenton se në vitin 1999 Millosheviqi do të duhej të vazhdonte të dërgonte togjet e tij vrastare për të masakruar myslimanët, qoftë në Kosovë, ose siç u tha më herët, në Srebrenicë. Ai është mendim i z. Marty, ai ka të drejtën ta thotë mendimin e tij. Edhe Rusia mendon ashtu.
Shumë njerëz në Beograd mendojnë në të njëjtën mënyrë, por jo, zoti Kryeministër, asnjë shtet. Raportet e hartuara në Këshill të Evropës munden tërë kohën që ta kundërshtojnë Britaninë, Francën, Rusinë, Gjermaninë, Hungarinë. Dhe ndonëse ai është një organizatë e rëndësishme, nuk ka më shumë autoritet se një gazetë, dhe unë i respektoj gazetat. Andaj, z. Cameroon nuk shkon në Këshill të Evropës, Sarkozi nuk shkon në Këshill të Evropës, Kryeministri Putin nuk shkon në Këshill të Evropës. Shpresoj se njerëzit do ta kuptojnë se kjo nuk duhet të nxirret jashtë kontekstit.
Z. Marty është një vetë-publicist i shkëlqyer dhe natyra sensacionale e akuzave të tij nënkuptonte se ato do të dilnin në faqe të parë të shumë gazetave. Por është vetëm sensacionalizëm, sepse me këtë gazetarët, nganjëherë edhe në Kosovë, kënaqen. Dhe z. Marty është një gazetar sensacionalist shumë i zoti, edhe politikan, edhe si jurist.