Kryeministri Thaçi: Falë masave lehtësuese të qeverisë sonë, bashkatdhetarët tanë kanë për të udhëtuar më shpesh, më shpejtë, dhe më lirë


Image


Image


Image

Prishtinë, 24 maj 2014

Në vazhdim, po e japim të plotë fjalimin e Kryeministrit Hashim Thaçi, mbajtur sot ambientet e terminalit të ri të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ku takoi përfaqësuesit e aviokompanive ndërkombëtare që operojnë në Republikën e Kosovës

Të nderuar partnerë,

Ju falënderoj që keni ardhur në një numër kaq të madh për biseduar  së bashku rreth mundësive të reja për të operuar në Aeroportin e Prishtinës si dhe sfidave me të cilat ballafaqoheni.

Gjatë qeverisjes sime i është kushtuar vëmendje e madhe ndërtimit dhe modernizimit të infrastrukturës së transportit të Kosovës dhe kjo vëmendje do të vazhdojë edhe në të ardhmen të jetë e lartë edhe gjatë mandatit tim të ardhshëm qeverisës.

Republika e Kosovës ka tashmë një treg të hapur të transportit ajror. Kompanitë ajrore të Bashkimit Evropian gëzojnë liri të pakufizuara trafiku midis Prishtinës dhe çdo aeroporti në vendet e Bashkimit Evropian.

Ne gjithashtu kemi marrëveshje liberale të transportit ajror me Zvicrën dhe Turqinë, të cilat stimulojnë rritjen e operimeve midis vendeve tona dhe destinacioneve pa asnjë kufizim.

I kemi hequr të gjitha barrierat dhe kemi nxjerr një kornizë rregullatore që ju mundëson rritje në një ambient ligjor të pranueshëm.

Kohëve të fundit, në bashkëpunim me partnerin tonë privat, kemi bërë investime të mëdha në modernizimin e infrastrukturës së transportit ajror në Republikën e Kosovës.

Terminali i ri dhe infrastruktura tjetër përcjellëse ofrojnë shërbime shumë më të mira për kompanitë ajrore dhe udhëtarët.

Tani do të kemi edhe zgjerimin e pistës, që do të jetë një pistë edhe më moderne, më e pranueshme dhe e standardeve më të larta.

Qeveria e Kosovës ka punuar bashkë me Aeroportin e Prishtinës për të ofruar një program gjithëpërfshirës lehtësimesh për kompanitë ajrore, që synojnë rritjen e numrit të fluturimeve, destinacioneve,  tuaj operacionale dhe uljen e kostove të biletave për udhëtarët.

Ky program ofron lehtësira dhe stimulime për kompanitë ajrore që të fillojnë fluturimet në destinacione të reja, të rrisin numrin e fluturimeve në destinacionet ekzistuese dhe të ulin koston e biletave për udhëtarët.  

Programi gjithashtu u ofron kompanive ajrore përkrahje në reklamimin e produkteve të veta.

Më 3 prill është hapur hapësira e lartë ajrore e Kosovës për mbikalime të aeroplanëve civilë.

Jemi duke punuar që t’ju mundësojmë rrugë më të shkurtra për në Prishtinë, duke hapur korridore të reja që lidhin Kosovën me Malin e Zi, Shqipërinë dhe Serbinë.

Siç e dini, këto korridore do t’i shkurtojnë fluturimet tuaja për 15-20 minuta dhe do t’jua ulin ndjeshëm koston e operimeve tuaja. Ju do të fluturoni më lirë në Aeroportin e Prishtinës dhe si rezultat i kësaj konsumatori gjithashtu do të ketë bileta më të lira.

Sot kosovarët udhëtojnë përmes transportit ajror më së shumti në rajon, për kokë banori.

Me diasporën e madhe që ka Kosova transporti ajror veç ka për t’u shtuar dhe falë masave lehtësuese të qeverisë sonë, bashkatdhetarët tanë kanë për të udhëtuar më shpesh, më shpejtë, dhe ajo që është më e rëndësishme, edhe më lirë .

Në një të ardhme shumë  të afërt, qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen.

Qytetarët e Kosovës do ta kenë shumë më të lehtë për të udhëtuar për të takuar të afërmit e tyre në Evropë dhe kudo në botë përmes Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” të Prishtinës.

Një pjesë e Misionit tim të Ri në mandatin e ardhshëm qeverisës do t’i kushtohet për Zhvillimin e Kosovës, do t’i kushtohet një vëmendje shumë e madhe turizmit, në veçanti atij dimëror.

Ne jemi në fazën finale të materializimit të projektit madhor të qendrës së skijimit në  Brezovicë, e cila do të shndërrohet në kompleksin e skijimit më të madh në rajon, ku do të investohen rreth 200 milionë euro.

Të nderuar të pranishëm,

Ne ju garantojmë ambient miqësor biznesi, procedura të shpejta, përkrahje dhe një treg që do të rritet në mënyrë progresive.

Ndërsa në anën tjetër, në Misionin e Ri të mandatit të ardhshëm qeverisës ne do të krijojmë Fondin e Punësimit 1.5 miliardë eurosh, i cili mes të tjerash do ketë për qëllim të financojë projektet që thithin investitorë të huaj.

Unë ju dëshiroj sukseset më të mira. Ju falënderoj shumë për ardhjen tuaj. Ardhja juaj është inkurajim për ne dhe ju do ta keni përkrahjen e plotë të Qeverisë.

Dhe duke parë këta partnerë kaq të fuqishëm që jeni sot këtu, në Kosovë, ky është mesazhi më i mirë për shtetin tonë të ri, për mundësitë e mëdha.

Në veçanti është një lajm shumë i mirë për diasporën tonë të fuqishme që ata të udhëtojnë më shpesh dhe më lirë, por natyrisht edhe një fluturim komod.

Ju faleminderit shumë! Ju uroj sukseset më të mira!”, tha kryeministri Thaçi në takim me përfaqësuesit e aviokompanive ndërkombëtare që operojnë në Republikën e Kosovës.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors