Prishtinë, 6 nëntor 2012
Në ditën e parë të vizitës zyrtare në Republikën e Kroacisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi është pritur me nderimet më të larta shtetërore nga homologu i tij, Kryeministri i Republikës së Kroacisë, Zoran Milanoviq.
Kryeministri Thaçi dhe homologu i tij kroat, kryeministri Milanoviq biseduan për situatën në rajon, për politikën, për marrëdhëniet dhe stabilitetin në rajon, për bashkëpunimin ekonomik, shkëmbimin tregtar dhe investimet.
Kryeministri Thaçi ka marrë premtimin e kryeministrit Milanoviq se Kroacia do ta përkrahë Kosovën në procesin e integrimeve evropiane.
Në konferencën e përbashkët për media, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi theksoi se e ka njoftuar kryeministrin Milanoviq për rrjedhën e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, të udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Për institucionet e Republikës së Kosovës është i domosdoshëm largimi i strukturave paralele nga veriu i vendit, të cilat janë mbetje të Millosheviqit, për të cilat gjithë bota e di, se financohen e kontrollohen nga Serbia” ka potencuar kryeministri Thaçi, dhe ka shtuar se një çështje tjetër që në mënyrë urgjente duhet të zgjidhet është fati i më shumë se 1800 të pagjeturve në Kosovë.
I pyetur për takimin e nesërm me kryeministrin serb, Ivica Daçiq në Bruksel, kryeministri Thaçi tha do të bisedohet për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani mes Kosovës dhe Serbisë, por nuk do të bisedohet për statusin e Kosovës.
“Statusi i Kosovës është zgjidhur përgjithmonë me shpalljen e pavarësisë së saj”, është shprehur z.Thaçi.
Kryeministri Thaçi ka shprehur optimizëm se ky proces do të përfundojë me njohjen reciproke mes dy shteteve.
Kryeministri Thaçi sot është pritur edhe nga Kryetari i Parlamentit të Kroacisë, Josip Leko. Në takim është diskutuar për bashkëpunimin ndërshtetëror mes Kosovës dhe Kroacisë dhe për perspektivën evropiane të Kosovës.
Kryeministri Thaçi në takim pasi i vleësoi lartë raportet ndërshtetërore mes Kosovës dhe Kroacisë, u shpreh për thellimin e mëtejmë të këtyre raporteve, me theks të veçantë forcimin e bashkëpunimit ekonomik.
Kryetari i Parlamentit të Kroacisë, Josip Leko në takim me kryeministrin Thaçi potencoi se Kroacia e përkrahë konsolidimin dhe forcimin e shtetit të Kosovës, dhe në këtë kuadër, shtoi z.Leko perspektiva e Kosovës është perspektiva e anëtarësimit në BE dhe në NATO.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi nesër do të zhvillojë një takim në Zagreb me Presidentin e Republikës së Kroacisë, Ivo Josipoviq.
