Prishtinë, 23 dhjetor 2010
Në hapje të mbledhjes së 150-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi ka përgëzuar qytetarët dhe institucionet bartëse të organizimit të zgjedhjeve më 12 dhjetor, për punën e mirë në mbarëvajtje të këtij procesi të rëndësishëm demokratik për ndërtimin e shtetit dhe demokracisë në Kosovë.
Kryeministri Thaçi ka shprehur qëndrimin se edhe në mandatin e ardhshëm, do të vazhdohet me realizimin e projekteve zhvillimore për shtetin e Kosovës, me një fokus të veçantë në angazhimet për integrimin e Kosovës në strukturat e NATO-s dhe në Bashkimin Evropian. “Të gjitha zotimet tona janë vendime shtetërore dhe do të fillojnë t’i implementjmë që nga 1 janari i 2011-tës”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.
“Zgjedhjet e 12 dhjetorit i kanë dhënë edhe një hijeshi demokracisë në Kosovë, me një opozitë të re, e cila shpresojmë se do të jetë konstruktive dhe bashkëpunuese në proceset zhvillimore për Kosovën” është shprehur kryeministri Hashim Thaçi.
Qeveria e Kosovës ka aprovuar vendimin për ndarje të mjeteve buxhetore, në përputhje me Ligjin për plotësimin dhe ndryshimin Buxhetit 2010, me ç’rast do të plotësohen kërkesat buxhetore në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Kabineti qeveritar ka miratuar edhe dy vendime që kanë të bëjnë me zhvillimin e projektit të ndërtimit të Autostradës Vërmicë-Merdar. Vendimi i parë ka të bëjë me shpronësimet e ngastrave në trasenë e kësaj rruge në Suharekë, Sllapuzhan, Bllacë dhe Duhël, ndërsa vendimi i dytë ka miratuar e ndryshimet e nevojshme të projektit, sipas konfiguracionit të terrenit dhe zonave të banuara në trasenë e autostradës.
Qeveria ka miratuar Planin e reagimit Kombëtar, i cili rregullon funksionimin e kapaciteteve dhe koordinon resurset në një qasje unike në menaxhimin e emergjencave në Kosovë.
Sipas vendimit që ka miratuar sot Qeveria e Kosovës, veprimtaria Kërkimore-Shkencore në Republikën e Kosovës, do të avancohet me hulumtime të vazhdueshme të fushave të ndryshme shkencore, në linjë me arsimin e lartë, ndërmarrjet dhe biznesin, me qëllim që të prijë në zhvillimin ekonomiko-shoqëror në Republikën e Kosovës.
Në mbyllje të mbledhjes, kryeministri Hashim Thaçi ka kërkuar që të punohet në planifikimin e Buxhetit 2011 në përputhje me zotimet për rritjen e pagave të arsimtarëve, policisë, shërbimit civil dhe në përmirësimin e standardit të kategorive sociale në shoqërinë tonë. Vendimet tona duhet të fillojnë të zbatohen që nga 1 janari 2011, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.
Duke përkujtuar se gjendemi në prag të festave të fundvitit, kryeministri Hashim Thaçi ka përgëzuar kabinetin qeveritar dhe qytetarët e Kosovës, me dëshirën që të kalojnë sa më mirë në këto festa.
