Kryeministri Thaçi: Duke njohur progresin e qëndrueshëm që është arritur në nivelin komunal, tani është e nevojshme që të vendoset një kornizë adekuate për planifikimin e nevojave për ri-integrim në komuna

Prishtinë, 22 korrik 2011

Kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi ka marrë pjesë sot në takimin me kryetarët e komunave për reintergrimin  e personave të riatdhesuar.

Në vazhdim po e japim të plotë fjalimin e kryeministrit Thaçi

I nderuari z. Bjornsson,

Të nderuar Ministra,

Të nderuar Kryetarë të Komunave të Republikës së Kosovës,

Sot sërish takohemi për të diskutuar rreth procesit të ri-integrimit të personave të riatdhesuar,  proces ky kyç për hapjen e dialogut për liberalizimin e vizave.

Të nderuar,

Siç mund të jeni informuar, Ministri i Punëve të Brendshme i ka dërguar ftesë Komisionit Evropian për të dërguar një mision vlerësues në Kosovë për vlerësimin e kapaciteteve institucionale në nivelin qendrorë dhe atë lokal për zbatimin e kornizës ligjore dhe strategjike për ri-integrimin e personave të riatdhesuar. Kemi indikacione që ky mision vlerësues, i përbërë nga ekspertë të Komisionit Evropian dhe Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian, do të kryejë këtë vlerësim gjatë mesit të muajit shtator 2011. Misioni do të zhvillohet në nivel qendror dhe nëpër Komuna, vizitat vlerësuese të Komisionit Evropian në nivelin komunal do të bëhen në mënyrë të paparalajmëruar nga ana e Komisionit Evropian.

Duhet theksuar se bazuar në gjetjet e vlerësimit të kaluar të misionit të Komisionit Evropian të zhvilluar në dhjetor 2010, misioni i shtatorit vëmendje të veçantë do t’i kushtojë vlerësimit të përmbushjes së obligimeve që dalin nga procesi i ri-integrimit në nivelin komunal.

Të nderuar,

Rëndësia e këtij misioni qëndron në faktin se vlerësimi me të cilin do të dalë ky mision do të përcaktojë vendimin e Bashkimit Evropian për hapat e mëtejmë në kuadër të dialogut për liberalizimin e vizave. Ne besojmë se një vlerësim pozitiv nga ky mision do të mundësonte fillimin e këtij procesi unifikues dhe shumë të rëndësishëm për jetën e përditshme të qytetarëve tonë. Sidoqoftë në mënyrë që ky mision të dalë me vlerësim pozitiv për implementimin e obligimeve në procesin e ri-integrimit të personave të riatdhesuar, duhet intensifikuar angazhimin e përgjithshëm të institucioneve shtetërore, por në veçanti dinamizimin e zhvillimeve në nivelin komunal.

Ky angazhim duhet përkthyer në mundësimin e sa më shumë qytetarëve të riatdhesuar për të pasur qasje në shërbimet publike që ofrohen në nivel lokal, përfshirë regjistrimin civil, regjistrimin e fëmijëve në sistemin arsimor, regjistrimin e të kthyerve në qendrat komunale të punësimit dhe shërbimeve sociale, në ato të shëndetësisë, si dhe t’u ndihmohet këtyre qytetarëve në qasje të papenguar në prona. Në anën tjetër, për të siguruar këtë, nevojitet angazhim në drejtim të funksionalizimit të plotë të shërbimeve tuaja relevante që merren me këto çështje, në veçanti përmes implementimit të Rregullores për Zyrat Komunale për Komunitete dhe Kthim.

Duke njohur progresin e qëndrueshëm që është arritur në nivelin komunal, tani është e nevojshme që të vendoset një kornizë adekuate për planifikimin e nevojave për ri-integrim në komunat tuaja përkatëse që do të mund të mbështeteshin si nga Fondi për Ri-integrim, nga donatorët e ndryshëm, por edhe nga buxhetet tuaja. Në këtë drejtim, presim që do të rrisni numrin e aktiviteteve të vetëdijesimit me qytetarët e riatdhesuar, në bashkëpunim të ngushtë edhe me organizata të shoqërisë civile që veprojnë në komunat tuaja, me qëllim të mundësimit të një ri-integrimi sa më të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.

Ajo që është parë si shumë e nevojshme në drejtim të raportimit për progres dhe sfida në nivel lokal është ngritja e kapaciteteve komunale për raportim sa më të saktë në kuadër të procesit të ri-integrimit. Në këtë kontekst, ministritë relevante, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministria e Integrimit Evropian kanë ndërmarrë një iniciativë të rëndësishme për të ndihmuar dhe siguruar raportim sa më të saktë për përmbushjen e kërkesave që dalin nga ky proces përmes hartimit të një pyetësori, i cili bazohet në kornizën ligjore dhe strategjike për procesin e ri-integrimit. Dëshiroj të falënderoj të gjitha komunat dhe juve personalisht për angazhimin e treguar në këtë drejtim.

Të nderuar,

Duke ju falënderuar për praninë tuaj sot këtu, ripërsëris kërkesën time që të merrni këtë proces sa më seriozisht që të jetë e mundur, të siguroheni që të implementohen të gjitha obligimet që dalin në kuadër të këtij procesi dhe t’i kushtoni vëmendje të veçantë përgatitjeve për misionin vlerësues të Bashkimit Evropian që do të zhvillohet gjatë muajit shtator të këtij viti.

Ju faleminderit

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors