Kryeministri Thaçi: Do t’i mbesim besnik mbrojtjes së idealeve dhe vizionit të qytetarëve të Kosovës dhe luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës


Image

Prishtinë, 1.11.2012
 
I nderuar kryesues, z.Haliti
Të nderuar deputetë,
Të nderuar anëtarë të kabinet qeveritar,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Zonja e zotërinj;
 
Më lejoni që në fillim të kësaj seance t’iu falënderoj juve, të nderuar deputetë, dhe kryesinë e Kuvendit të Republikës së Kosovës për aprovimin e kërkesës sime për të informuar Kuvendin e Kosovës dhe qytetarët e tanë lidhur me procesin e filluar të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.
 
Paraqitja ime sot përpara jush të nderuar deputetë dhe qytetarë të Kosovës ka së paku dy arsye apo qëllime kryesore:
 
Qëllimi i parë është që të respektohet në tërësi obligimi im zyrtar për ta implementuar pikën pesë të Rezolutës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë të aprovuar nga një shumicë e madhe demokratike e Kuvendit të Kosovës para dy javësh.
 
Siç e dini, kjo rezolutë na obligon neve si Qeveri dhe mua si Kryeministër apo komisionet përkatëse parlamentare që të informojmë-raportojmë rregullisht për procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë në Kuvendin e Kosovës.
 
Të nderuar deputetë
Qytetarë të nderuar,
 
Ashtu siç e keni përcjell edhe nga komunikimet e rregullta të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve më eminentë të diplomacisë botërore, ne tashmë edhe zyrtarisht kemi filluar procesin e dialogut politik për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
 
Ky proces ka filluar në Bruksel me mbështetje të fuqishme edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
 
Fillimit të procesit të normalizimit të marrëdhënieve në mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë i kanë parapri konsultat gjithëkosovare dhe mbështetjes së gjerë politike- për çka edhe i jam mirënjohës skenës politike kosovare për mbështetje.
 
Mbështetje të fuqishme këtyre zhvillimeve i kanë dhenë edhe Institucionet  e Shqipërisë, lidershipi i shqiptareve në Maqedoni, lidershipi i shqiptareve në Preshevw, Medvegjw dhe Bujanoc – i falënderoj edhe sot për mbështetje para dhe pas takimit.
 
Dëshmia dhe konfirmimi më e mirë e kësaj mbështetje botërore është edhe vizita që dje i kanë bërë Republikës së Kosovës dhe rajonit sekretarja e shtetit zonja Clinton dhe Baronesha Ashton.
 
Më këtë rast, më lejoni t’iu përkujtoj se një proces i tillë i filluar pas miratimit të Rezolutës nga Kuvendi i Kosovës ka një bazë të gjerë ligjore që buron nga Kushtetuta e Kosovës.
 
Ky proces ka fituar një mbështetje të gjerë koncensuale politike dhe shoqërore-gjithëetnike.
 
Pastaj është plotësisht në përputhje me procesin e integrimeve evropiane dhe përmbushjes së kritereve të Aki Komunitare të Bashkimit Evropian.
 
Si dhe përmbushjen e Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të vitit 2010, e cila verifikon pa asnjë fije dyshimi mendimin e GJND-së për legalitetin dhe legjitimitetin e Deklaratës së Pavarësisë dhe njëkohësisht nis procesin e dialogut midis dy shteteve si pjesë të procesit të integrimeve evropiane.
 
Pas aprovimit të Rezolutës së Kuvendit të Kosovës, unë si kryeministër i mandatuar nga ky Kuvend legjitim dhe demokratik dhe nga qytetarët e Republikës së Kosovës kam marrë një ftesë zyrtare nga Baronesha Ashton për të shkuar për takim zyrtar bilateral me Zëvendëspresidenten e Komisionit Evropian dhe njëherësh Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Baroneshën Ashton.
 
Ky takim ka ndodhur të premten me datë 19 tetor.
 
Baronesha Ashton, po ashtu i ka dërguar një ftesë zyrtare edhe kryeministrit të Serbisë z. Daçiq për takim bilateral po të njëjtën ditë.
 
Përveç ftesës për takime bilaterale, Baronesha Ashton ka konsideruar sa tashmë janë krijuar kushtet adekuate për të ndërmjetësuar-lehtësuar një takim të përbashkët, të nivelit të lartë ndër-shtetëror ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë.
 
Të nderuar deputetë
Të nderuar qytetarë
 
Gjatë takimeve të ndara që kemi pasur në Bruksel me Baroneshën Ashton, ajo na ka prezantuar çështjet që ajo do të dëshironte të diskutonte në takimin e përbashkët.
 
Ato çështje kanë qenë plotësisht të pranueshme prandaj, si rrjedhojë Baronesha Ashton na ka ftuar në takimin e përbashkët të ndërmjetësuar nga ajo dhe me mbështetje të fuqishme të SHBA-ve.
 
Ky takim është zhvilluar në zyrën e Baroneshës Ashton.
 
Ky takim i parë i këtij niveli të lartë, shënon fillimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve të pavarura më synimin e mbylljes së kapitullit të errët të së kaluarës, dhe hapjen e kapitullit të paqes, bashkëpunimit fqinjësisë së mirë dhe integrimeve euro-atlantike.
 
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,
Të nderuar qytetarë;
 
Më lejoni të përsëris atë që e kam thënë tashmë disa herë.
 
Unë personalisht nuk vuaj nga ndonjë nostalgji për të takuar udhëheqësit e një shteti që i kanë shkaktuar vuajtje shekullore deri në masën e gjenocidit, për qytetarët e vendit tim.
 
E kam thënë dhe po e them përsëri se kujtesa jonë për viktimat e luftës së shkaktuar nga Serbia, kujtesa jonë për bijtë dhe bijat më të mira që ranë në altarin e lirisë, kujtesa për mijëra njerëz të zhdukur do të mbetet gjithmonë e freskët.
 
Kurrë nuk do të harrojmë tmerrin dhe dhimbjen e shkaktuar nga Serbia.
 
Gjithashtu, shteti ynë sovran, tashmë i ka të gjithë mekanizmat e sigurisë që garantojnë lirinë tonë, ekzistencën tonë, zhvillimin tonë dhe integrimin euroatlantik .
 
Por, ne të gjithë jemi pajtuar se e kaluara e jonë e hidhur, nuk guxon ta mbaj peng të ardhmen tonë.
 
Përkundrazi, vuajtjet dhe sakrificat tona duhet të jenë motivi ynë për të lëvizur sa më shpejt përpara drejt integrimit në NATO, Bashkim Evropian dhe organizatën e Kombeve të Bashkuara.
 
E që kjo të ndodhë, patjetër na duhet të kemi fqinjësi të mirë me të gjitha shtetet e rajonit, përfshirë edhe Serbinë.
 
Të nderuar deputetë,
Qytetarë të Kosovës;
 
Unë si kryeministër, nuk do të pranoja të udhëheq një proces të tillë dhe nuk do të hyja në dialog po të mos përmbusheshin disa parakushte.
 
E para, jam i sigurt në përkrahjen e partive politike, shoqërisë civile, botës akademike dhe qytetarëve të Kosovës për integrimet evropiane dhe për nevojën tonë historike t’i afrohemi familjes evropiane si objektiv dhe vizion mbarëkombëtar i të gjitha partive dhe vullnetit të gjithë qytetarëve të Kosovës. 
 
Pastaj, Rezoluta e aprovuar ka krijuar një rrethanë të re, një agjendë të re në këtë Kuvend.
 
Kjo agjendë pra ishte agjenda unifikuese për të pasur progres në përmbushjen e kriterit kryesor të Kopenhagës që po imponohet si imperativ i kohës, e ai është “fqinjësia e mirë” në mes të gjithë atyre që pretendojnë anëtarësim në Bashkimin Evropian.
 
Pastaj kemi kërkuar garanca ndërkombëtare që ky proces të jetë i strukturuar dhe krejtësisht i barabartë në nivelin ndër-shtetëror për Kosovën dhe Serbinë, në reciprocitet të plotë politik dhe me hapjen e rrugëve integruese për Kosovën.
 
Involvimi i thellë dhe i drejtpërdrejt i kreut të diplomacisë amerikane dhe evropiane na garanton se procesi i dialogut është me përkrahje strategjike për Kosovën.
 
Për funksionalizimin e plotë, konsolidimin dhe fuqizimin e shtetit të Kosovës – Kosovës së Re – Kosovës së Evropiane.
 
Po ashtu kemi kërkuar të implementohen marrëveshjet e arritura deri më tani.  Në këtë pikë ende kemi ngecje dhe paqartësi të cilat presim të zgjidhen brenda javëve në vijim.
 
Marrëveshjet e arritura që përcaktojnë vijën kufitare dhe rregullojnë ligjërisht kalimet kufitare sipas modelit të integruar evropian, si dhe e drejta e pamohueshme e Republikës së Kosovës të jetë pjesë e barabartë e organizmave rajonalë, do të testohen në ditët, javët dhe muajt në vijim.
 
Serbia është obliguar nga Bashkimi Evropian që të përmbush në plotëni këto marrëveshje.
 
Takimi im i parë si kryeministër i shtetit të Kosovës me kryeministrin e Serbisë rezultoi nga përmbushja e këtyre kritereve tona minimale dhe në kuadër të Rezolutës së Kuvendit.
 
Takimi u fokusua në kornizën e bisedimeve dhe natyrën e temave.
 
Është fakt i pamohueshëm nga të dy palët se dialogu është për zgjidhjen e çështjeve që nuk janë statusore e as që rrezikojnë në asnjë rrethanë integritetin e Republikës së Kosovës. 
 
Përkundrazi, demokratizojnë dhe hapin kufijtë sipas modelit evropian për gjithë rajonin.
 
Të nderuar deputet
Qytetarë të nderuar
 
Çështjet që janë ngritur nga Baronesha Ashton dhe diskutuar nga dy kryeministrat, i shtetit të Kosovës dhe Serbisë në takimin e parë janë:
 
•         Zbatimi në praktikë i të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë;
•         Zbardhja e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës,
•         Zhbërja dhe largimi nga Kosova i strukturave paralele të financuar nga Serbia,
•         Mos pengimi i Kosovës për anëtarësim në organizatat dhe forumet ndërkombëtare,
•         Mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe në Kosovë,
•         Përmbyllja e procesit të decentralizimit në Kosovë që nënkupton domosdoshmërinë e formimit të komunës së re, atë të Mitrovicës së veriut dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira në veri të vendit,
•         Arritja e marrëveshjeve në fushën e telekomunikacionit dhe energjisë, sipas standardeve evropiane
•         Si dhe mundësinë e shpejt të hapjes së Zyrave Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd dhe anasjelltas të Serbisë në Prishtinë.
 
I nderuar kryesues;
Të nderuar deputetë;
Qytetarë të Kosovës;
Zonja dhe zotërinj;
 
Konkluza e takimit të parë ishte pajtimi për të adresuar temat e diskutuara dhe vazhdimi i takimeve tjera.

Besoj se takimi i ardhshëm do të ndodhë gjatë këtij muaji dhe jam i sigurt se do të jetë më përmbajtjesor.
 
Me lejoni edhe një herë t’iu bëj të qartë se nuk po marr pjesë personalisht se nuk m’ka mbete zhig me fol me Daçiqin, por se jam thellësisht i bindur se dialogu do të dërgon deri te përfundimi logjik që hap rrugë anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe NATO.
 
Unë e di se këto takime nuk janë fare populiste, janë të rënda për mua personalisht, por të nderuar qytetarë të Kosovës-unë gjithë jetën time kam marrë vendime të rënda për mua, por të dobishme për vendin tim-atdheun tonë Kosovën. 
 
Së pari do të vazhdojmë të pajtohemi për realitetin, e ma vonë do ta quajmë realitetin edhe me emrin e vërtetë-njohjen reciproke.
 
Kjo ka qenë politika amerikane dhe evropiane e cila i lejon Kosovës të ndërmerr hapa të plotë në rrumbullaksim të integritetit, sovraniteti dhe anëtarësisë në NATO, BE dhe OKB.
 
Këto mesazhe, i keni të qarta të gjithë ne sidomos pas vizitës së Baroneshës Ashton, Sekretares Clinton dhe ministrit britanik Ëilliam Hague.
 
Këto kanë qenë mesazhe të fuqishme të përkrahjes për unitetin politik që kemi arritur të gjithë ne së bashku me rastin e përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur dhe fitimin të Studimit të Fizibilitetit, si parakusht për liberalizim të vizave.
 
Të nderuar deputetë,
 
Me këtë rast, dua të falënderoj Sekretaren Clinton për vite të tëra të miqësisë dhe mbështetjes.
 
Qytetarët e Kosovës kanë vetëm dashuri dhe respekt për Sekretaren Clinton dhe lidershipin demokrat dhe republikan në Amerikë që me dekada na kanë qëndruar si mbrojtës të shenjtë të drejtësisë në Kosovë dhe gjithë rajonin.
 
Jemi krenarë me fjalët e saj emblematike ‘se Kosova është shembulli i progresit më të shpejtë pas lufte në historinë e kombeve’, duke kaluar një rrugëtim të hatashëm për pesë vite pavarësi.
 
Falënderoj edhe Baroneshën Ashton e cila në Kosovë ishte si në shtëpi të vetë sepse shtëpia e jonë e përbashkët është Evropa.
 
Vizita e saj e përkrahur nga Sekretarja Clinton paraqet fuqizim të agjendës evropiane dhe shtytje edhe më e madhe për të gjitha partitë dhe të gjithë qytetarët.
 
Baronesha Ashton si dhe Komisioneri Fule, kanë luajtur rol të madh dhe të paharrueshëm në arritjen e konsensusit brenda Bashkimit Evropian që edhe Kosova është përfituese e barabartë e premtimit të Samitit të Selanikut para dhjetë vitesh se i tërë Ballkani do të integrohet në Bashkim Evropian.
 
Por, më lejoni që të falënderoj edhe ministrin Hague.
 
Marrëdhëniet me Britaninë veç sa po forcohen në fusha të politikës, diplomacisë, ekonomisë dhe vizita e tij e parë në Kosovë paraqet një moment të ri të forcimit të marrëdhënieve në mes të dy shteteve.
 
Falënderimet më të mëdha për përfundimin e një faze dhe fillimin e një etape të re ju takojnë juve, përfaqësuesve të partive politike të cilët me ndërgjegje kombëtare dhe politike keni kontribuar unitetit për qëllime të përbashkëta.
 
Jemi të hapur për të gjithë përfaqësuesit e opozitës dhe shoqërisë civile, botës akademike, të marrin pjesë në proceset e ardhshme.  
 
Të nderuar deputetë,
 
Arsyeja e dytë, që më obligon t’iu informoj-raportoj sot është konfirmimi i Qeverisë së Kosovës, të cimentuar tani edhe nga ana e Qeverive të shteteve të Quintit, se Kushtetuta e Republikës së Kosovës do të jetë korniza e vetme operuese gjatë dialogut.
 
Platforma kosovare është e qartë dhe e fokusuar dhe e aprovuar edhe nga partnerët ndërkombëtar.
 
T’i përsëris pikat të cilat janë edhe pjesë e raporteve respektive të progresit për dy shtetet:
 
•         Qëllimi i diskutimit për implementimi e plotë i marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufijve ashtu që të mundësohet operim evropian i shërbimeve kufitare.
 
•         Pikat kufitare do të kenë doganë kosovare, polici kosovare, prezencë të EULEX, sipas ftesës së Presidentes Jahjaga dhe mandatit të ri, duke marrë parasysh nevojën e identifikuar për shtrirje të autoritetit të plotë të EULEX në tërë territorin e Republikës së Kosovës, duke përfshirë edhe pjesën veriore të vendit.
 
•         Ndërprerja e shërbimeve ilegale të telefonisë dhe distribucionit që paraqesin ndërhyrje në treg të lirë dhe shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
 
•         Tërheqja e plotë e të gjitha strukturave ilegale të sigurisë. Këta janë mbetje të regjimeve të mëhershme, janë mbetje të pushtimit të periudhës së mëhershme.
 
•         Zgjerimi dhe ushtrimi i plotë i autoritetit të EEULEX-it dhe ligjeve të Kosovës është hapi i ardhshëm i natyrshëm dhe po punojmë me bashkësinë ndërkombëtare që qytetarët e veriut të fitojnë qasje të njëjtë në sistemin e gjyqësisë.
 
•         Legalizimi i sistemit bankar dhe krijimi i transparencës së plotë të përkrahjes eventuale financiare të Serbisë për arsimin dhe shëndetësinë në veri, sipas Planit të Ahtisaarit.
 
•         Njëkohësisht i drejtohem përfaqësuesve të komunitetit serb, përfaqësuesve politik por edhe qytetarëve serb,  të gjithë përfaqësuesve legjitim të popullit serb në Kosovë dhe Kishës Ortodokse Serbe: Kosova nuk ka ndër mend që të menaxhojë apo drejtojë jetën e serbëve apo cilido qytetar në Kosovë. Ne e kemi ndërmend të respektojmë vullnetin e tyre demokratik integrues në jetën institucionale .
 
Jeni të lirë të flisni, të jetoni, të punoni dhe të shpresoni të guxoni, si të gjithë qytetarët e tjerë të Kosovës demokratike dhe shumetnike.
 
Ne u kemi premtuar gjatë procesit të Vjenës se Kosova do të jetë shtet me shoqëri të hapur, sekulare, që respekton diversitetin, ku patriotizmi i njërit nuk është rrezik për tjetrin, me rrugë të sigurt në NATO dhe BE që do të thotë edhe respektimin me të lartë të drejtave dhe lirive të njeriut.
 
Komunitetet tjera po ashtu i kanë të garantuara të drejtat e plota kushtetuese.
 
Të nderuar deputet,
të dashur qytetarë të Kosovës,
 
Më lejoni t’iu rikujtoj se sivjet i kemi dy përvjetorë të popujve tanë.
 
Është bërë një shekull prej fillimit të luftërave Ballkanike që copëtuan Ballkanin pas 500 viteve të Perandorisë Osmane dhe një shekull i shtetit modern shqiptar.
 
Ka kaluar shumë kohë dhe është derdhur shumë gjak prej asaj kohe.
 
Shteti i Kosovës është krijuar, dhe atë jo në baza të luftërave etnike ballkanike, por në baza të parimeve evropiane dhe drejtësisë ndërkombëtare.
 
Megjithatë, e kuptojmë se e drejta nuk ka fituar plotësisht.
 
Do t’i mbesim besnik mbrojtjes së idealeve dhe vizionit të qytetarëve të Kosovës dhe luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
 
Do të fitojmë edhe reparacionet për dëmet e bëra nga Serbia.
 
Krimi të jeni të bindur se herëdo kurdo do të dënohet.
 
Të zhdukurit do të kthehen të prehen të qetë në atdheun e tyre. 
 
Por, pasi kemi fituar luftën dhe shpallur pavarësinë tani ka ardhur koha të përfundojmë rrugën tonë të gjatë një shekull e ti kthehemi Evropës.
 
Jam i nderuar që më keni autorizuar të përdorim dialogun për benefite të qytetarëve tanë.
 
Si rrjedhojë, të përdorim procesin e integrimeve për reformat demokratike të thella shoqërore, ekonomike, politike.
 
Qeveria e Kosovës në periudhën e ardhshme do të raportojë sipas hapjes dhe përfundimit të fazave të ndryshme të dialogut.
 
Mirëpresim angazhimin e gjithë spektrit politik, Komisioneve parlamentare por edhe ekspertëve.
 
Të nderuar deputetë,
Qytetarë të Kosovës;
 
Si rezultat përfundimtar i dialogut do të jetë modeomos normalizimi i marrëdhënieve dhe logjikisht në një fazë të mëvonshme edhe njohja e Kosovës nga ana e Serbisë si shtet.
 
Por, këtë vit kemi shënuar progres dhe mund të themi lirisht se ky vit ishte me të vërtetë vit evropian për Republikën e Kosovës.
 
Kosova ka shënuar progres të madh në përmirësim të klimës investive.
 
Sipas FMN-së, ne poashtu kemi ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe kemi rritur të ardhurat buxhetore përtej planeve që kemi pasur.
 
Njohjet po vijnë me një ritëm të pandalshëm për tu afruar edhe 100-shit formal që do të krijoj një momentum krejtësisht pozitiv për Republikën e Kosovën.
 
Të nderuar deputetë
Të nderuar qytetarë të Kosovës
 
Kemi edhe shumë sfida.
 
Dhe unë jam i vetëdijshëm se vetëm të bashkuar si spektër politik dhe si qytetarë mund t’i tejkalojmë ato.
 
Ju ftoj që t’i lemë prapa dhe anash interesat partiake-të koncentrohemi mbi të gjitha në interesat shtetërore dhe vizionin për të ardhmen dhe të bashkëpunojmë për integrimet evropiane.
 
Unë ju ftoj të mbesim të bashkuar në qëllimet dhe interesat tona shtetërore.
 
Qëllimi, vlerat dhe vizioni ynë kombëtar dhe euroatlantikë duhet të na mbajnë të bashkuar.
 
Uniteti ynë politik dhe qytetar në Kosovë forcon edhe më tepër pozicionin e miqve tanë në përkrahje të kauzës  sonë të drejt.
 
Sa herë kemi punuar dhe vepruar të bashkuar kemi shënuar suksese historike për vendin dhe qytetarët tanë.
 
-Kështu ishte në luftën tonë liri 1990-98-99,
-Kështu ishte në Konferencën historike në Rambuje,
-Kështu ishte në bisedat për status në Vjenë 2005-2007
-Kështu ishte kur vendosem të shpallim pavarësinë e vendit tonë më 17 shkurt 2008,
 
Besoj fuqishëm se kështu të bashkuar do të vazhdojmë edhe në të ardhmen.
 
Të kaluarën e rëndë e kemi fituar të bashkuar – Vetëm të bashkuar do të jemi fitimtarë edhe në të ardhmen.
 
Faleminderit për vëmendjen tuaj.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors